Shpallet konkursi ndërkombëtar për parkun e Vjosës, Rama: Potencial i jashtëzakonshëm turistik
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë shpallur Konkursin Ndërkombëtar për Projektimin e Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informacionit të Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa”.
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot shpalljen e konkursit ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kryeministri shprehu bindjen se kjo nismë do t’i shërbejë rrugës së ngritjes në një nivel tjetër të këtij parku me potencial të jashtëzakonshëm turistik.
“Në Ditën Botërore të Lumenjve, me kënaqësinë e shpalljes së konkursit ndërkombëtar të Qendrës Multifunksionale të Parkut Kombëtar të Vjosës, që do t’i shërbejë rrugës së ngritjes në një nivel tjetër të këtij parku me potencial të jashtëzakonshëm turistik”, u shpreh ai.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura kanë shpallur Konkursin Ndërkombëtar për Projektimin e Qendrës Multifunksionale dhe Stacioneve të Informacionit të Parkut Kombëtar “Lumi Vjosa”.
Autoritetet shqiptare ftojnë grupet e interesuara që t’i bashkohen kësaj nisme për forcimin dhe promovimin e vlerave natyrore dhe kulturore që zotëron territori i lumit të fundit të egër Vjosë.
Konkursi Ndërkombëtar i Dizajnit synon të bashkojë studiot më inovative dhe kreative të dizajnit nga të gjitha anët e globit. Ai ofron një platformë unike për studiot për të shfaqur talentin e tyre, për të fituar njohje ndërkombëtare dhe për t’u lidhur me liderët e industrisë.
“Ne jemi në kërkim të zgjidhjeve arkitekturore në harmoni të plotë me natyrën dhe peizazhin, propozime që do të shërbejnë si katalizatorë për rëndësinë kombëtare të kësaj zone. Konceptet duhet të bazohen në parimet e krijuara duke identifikuar karakteristikat natyrore, trashëgiminë, vlerat kulturore, historike dhe arkeologjike të zonës, si dhe në përvojat më të mira ndërkombëtare”, thuhet në mesazhin që shoqëron shpalljen e këtij konkursi.
Konkursi zhvillohet në dy faza, ku faza e parë ka të bëjë me shprehjen e interesit. Në përfundim të fazës së parë do të shpallen 3 finalistët të cilët do të shpërblehen me nga 26 mijë euro secili.
Faza e dytë do të vijojë me paraqitjen e idesë së projektit. /ATSH