Hungaria nderon ish-ambasadoren/ Mira Hoxha dekorohet me Urdhrin e Meritës
Urdhri i Meritës “Kryqi i Komandantit” i është dhënë për meritat e veçanta në rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Me titullin më të lartë Hungaria ka nderuar ish-ambasadoren e Shqipërisë në Hungari, Mira Hoxha.
Urdhri i Meritës “Kryqi i Komandantit” i është dhënë ish-ambasadores për meritat e veçanta në rritjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Lidhjet mes Shqipërisë dhe Hungarisë janë me shekuj, por këto lidhje duan njerëz si Mira për të vijuar më tej e për t’u forcuar. Për këtë arsye me mirënjohjen e qeverisë, presidenti i Hungarisë i jep këtë dekoratë në shenjë të mirënjohjes së lartë,” tha Adam Lovasi (o. Lovassy), i dërguari me punë i Hungarisë.
“Dekoratat nuk janë vetëm formale, por është mirënjohje për punën e bërë me zemër dhe dedikim. Ajo çfarë më ka lumturuar sot dhe më bën të veçantë është se ky vlerësim vjen 8 vite pasi kam lënë detyrën në Hungari,” u shpreh ish-ambasadorja Hoxha.
Në vitin 2011, Mira Hoxha është dekretuar Ambasadore e Shqipërisë në Hungari.
Gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, ajo ka realizuar një aktivitet të dalluar diplomatik. Karriera e saj diplomatike, për më tepër ka vazhduar edhe duke qenë Pika Fokale Shqiptare e Vëzhgimit të Zgjedhjeve për OSBE/ODIHR, si dhe Koordinatore Kombëtare e disa nismave të rëndësishme rajonale, siç janë Nisma e Evropës Qendrore, Nisma Adriatiko-Joniane etj.
Përtej diplomacisë tradicionale, ajo ka qenë një avokate vizionare e teorisë së Fuqisë së Butë, duke theksuar vlerat unike të kombit shqiptar, veçanërisht virtytin e “BESA”, e cila u ilustrua nga shqiptarët gjatë Holokaustit në shpëtimin e hebrenjve. Përpjekjet e saj në promovimin e trashëgimisë së Nënë Terezës si model i “Bamirësisë” kanë rritur ndjeshëm imazhin global të Shqipërisë.
Një arritje e dukshme që pasqyron përkushtimin e ambasadores Hoxha ndaj vlerave humanitare dhe bashkëpunimit global është avokimi i saj i suksesshëm për vendosjen e Ditës Ndërkombëtare të Bamirësisë më 5 shtator, ditën kur Nënë Tereza u nda nga jeta.
Përpjekjet e saj çuan në Rezolutën A/RES/67/105 të Parlamentit hungarez, të miratuar më pas në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 17 dhjetor 2012, me mbështetjen e 44 vendeve që përfaqësojnë të pesë Grupet Rajonale të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria bashkë-sponsorizoi këtë rezolutë. Në shenjë mirënjohjeje për këtë vepër, ajo mori Certifikatën e Mirënjohjes nga Ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, János Martonyi dhe KARDINAL PÉTER ERDŐ, KRYPESHOP I ESZTERGOM-BUDAPESTIT, më 11 dhjetor 2013.