Në Bisceglie-n e poetëve!
Ishte poeti i shquar italian Beppe Costa që organizoi këtë Takim Internacional të Poezisë nën titullin “Parole a(r)mate”me poetë të njohur.
Nga Luan Rama
Bari, Biscelie, Puglia me flladet detare dhe tutje, në anën tjetër, Shqipëria!
Ishte poeti i shquar italian Beppe Costa që organizoi këtë Takim Internacional të Poezisë nën titullin “Parole a(r)mate”me poetë të njohur dhe autorë të shumë librave poetikë si poetët italianë Marco Cinque, Vito Davoli, Daniele Dante, Graziella de Cillis, Andrea Giuli, Zaccaria Gallo, Maria Giulia dell’Olio, Roberta Tomi Antonella Puddu, Emanuele Petruzella, Sara Capoccioni (nga Belgjika) apo Simone Principe e Nicola Ambrossino, etj.
Të ftuar ishin gjithashtu dhe poeti vietnamez me banim prej disa dekadash në Shtutgart, Chi Thrung, një nga të shquarit e Vietnamit, poeti Poul Linggaard Damgaard, nga Danimarka, etj si dhe poetët nga Shqipëria, Ukë dhe Era Buçpapaj e gjithashtu dhe unë.
Takimet poetike internacionale që u shoqëruan nga kitaristi i mahnitshëm brazilian Marcos Vinicius, një virtuoz i muzikës spanjolle dhe braziliane, i sapo bërë qytetar italian, si dhe mjeshtra të recitimit dhe të muzikës Marcello Aslan dhe Maurizia Pedone.
Këto takime të mundësojnë të njihesh më thellë me poezinë e poetëve të kombeve të tjerë, me stile të ndryshme dhe optika poetike mbi botën tonë si dhe evolucionin e shoqërive, me shqetësimet sociale, politike e humane, poezi që u botuan në librin poetik të këtij takimi në dy gjuhë, italisht dhe anglisht.
Por ajo që kishte gjithashtu një vlerë të veçantë ishte bashkimi i këtyre zërave poetikë në një korr dhe festë të përbashkët : që poezia ti shërbejë halleve të botës dhe ardhmërisë së saj.
Do duhej të shkruaja akoma më gjatë për këtë takim ku u shëmbyen eksperiencat poetike dhe shpirtërore. Pata fat që kitaristi Vinicius shoqëroi një nga poezitë me një muzikë spanjolle që më pelqente shume.
Tri ditë në Bisceglie, 17-19 shtator, mes nesh ishte poezia dhe muzika siç di ti bashkojë Beppe Costa, ky poet i dashurisë dhe i së drejtës së njeriut, ky rrebel në shoqëri e njëkohësisht muzikant i përsosur, i cili ka botuar autorë me emër si Moravia, Arrabal e shumë të tjerë.
Të gjithë të mrekullueshëm dhe të dashuruar me Shqipërinë ashtu siç është Italia për shqiptarët e anës tjetër të Adriatikut.
Pashë Bisceglie-n të kohës antike dhe moderne, ku qëndronin ende kullat e kohës normande të Robert Giscard që zbarkoi dikur në Shqipëri, kështjella ku recituam poezitë tona, muzeu i dioqezës, pranë katedrales me fasadën normande ku përsëri recituam poezitë tona.
Të mrekullueshme rrugicat me gurët e latuar shekullorë ku mendova për ata mialiona banorë e udhëtarë që kishin kaluar aty nëpër shekuj dhe fatin njerëzor.
Bisceglie me bregun e bukur, shpellat detare dhe plazhin e Pretorit romak, rrugicat e vjetra ku shikoje të ngjizur në mure idhujt dhe dishepujt mbyllur në xham, që populli i adhuronte në ditë festash.
E habitshme kjo mpleksje mes mesjetës dhe modernitetit ! Nëpër ullinjtë e pafund ne pamë varret me gurët qiklopikë ku dikur bëheshin ritet funebre.
Gjithçka ishte historike e njëkohësisht poetike në Bisceglie-n e poetëve.
Dashuria që më falën këta poetë të shquar më ishte më e çmuar se « Cmimi i karrierës » që mu dha.
Mirupafshim Bisceglie.
Poetët kanë rrugë të gjatë dhe në këtë rrugë ata nuk do të rreshtin së kënduari, paçka krizës së botimit…
Ata do të kthehen një ditë në trubadurë të rrugës drejt njeriut, shpirtit dhe dramës njerëzore.