“Kujtime nga Kina 1967”

Me vizatime dhe skica realizuar gjatë një vizite të delegacionit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Kinë në 1967


Nga Prof. Mumtas Dhrami, Skulptor i Popullit

“Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë e veçantë t’ju ftojë në inagurimin e ekspozitës personale të njërit prej personaliteteve më të rëndësishëm të artit shqiptar:

Prof. Mumtas Dhrami

“KUJTIME NGA KINA 1967”
me vizatime dhe skica realizuar gjatë një vizite të delegacionit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe
Artistëve në Kinë në vitin 1967.

Inagurimi / dt. 27 shtator 2023 / ora 19.00
Kohëzgjatja 27 shtator / 4 tetor 2023
Galeria FAB / UNIVERSITETI I ARTEVE
TIRANË”

Të nderuar miq, Galeria FAB ka kënaqësinë e veçantë t’ju ftojë në inagurimin e ekspozitës personale të njërit prej…

Posted by Galeria FAB on Monday, September 25, 2023

Kujtime në pragun e një ekspozite

Në shtëpinë tonë të vjetër, në lagjen Palorto të Gjirokastrës, vite të shkuara, në odën e madhe, mbi një raft, që ne e quanim sergjen, mbanim një servis të bukur çaji prej porcelani kinez. Prindërve të mi ia kishin prurë si dhuratë në ditën e martesës së tyre. E ruanim me shume kujdes mos thyhej…

Isha fëmijë atëherë, por atë admirim dhe dashuri që pata për bukurinë e atij objekti të vogël nuk mu shlye për vite të tëra. Nuk dija ku binte Kina, vendi nga kishte ardhur ajo bukuri, që unë si fëmijë e admiroja. Prindërit, sa herë i pyesja më thoshin se Kina është larg, shumë larg…

Në shkollën fillore “Drita” të Gjirokastrës, mësuesit Sokrat e Kasjani Kutra na tregonin për Kinën se ku ndodhej. Më vonë, në Liceun Artistik, në lëndën e Historisë së Artit, që na i jepte skulptori i popullit Odhise Paskali, mësova për varret perandorake etj.. Profesor Paskali na fliste me admirim edhe për pikturat në mëndafsh me stilin guóhuà të mjeshtërve Ci Paj Shi e Sju Bej Hun, njëri mjeshtër në pikturimin e peizazheve, pemëve e luleve, tjetri për kuajt të realizuara me virtuozitet. Në libra pamë të ilustruara tempujt madhështorë, qindra skulptura prej balte të zbuluara nën tokë, peizazhet e bukura dhe punën kolosale të popullit kinez.

Vitet kalonin, Kina zhvillohej. Unë kisha një ëndërr që të prekja nga afër mrekullinë kineze dhe artin e veçantë të saj. Në vitin 1967 kjo ëndërr mu realizua kur unë isha pjesëtar i delegacionit të Lidhjes së Artistëve, bashkë me shkrimtarin Ismail Kadare dhe ushtarakun Resul Bedo që e kishim si kryetar delegacioni, e krahas Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore vizituam Kinën. Qysh atëherë kanë kaluar shume vite, me zhvillime politike të papritura të cilat nuk ma lëkundën dashurinë që ndjeja për Kinën dhe njerëzit e saj. Këtë dashuri të ruajtur për vite e mblodha në këtë ekspozitë për ta ndarë së bashku.

Dikur, në vitet e studimit 1957-1961 në Akademinë e Arteve (Instituti I.E Rjepin) të Leningradit, sot Shën Peterburg, isha në një klasë me studentin e talentuar kinez, që e quanin Dun Zu Ji. U miqësuam shumë, u bëmë gati si vëllezër, por fatkeqsisht na ndanë, si rezultat i zhvillimeve politike. Larg atyre zhvillimeve ne e kishim ruajtur miqësinë tonë të paprekur.

Gjatë vizitës sime në Kinë pata një nga gëzimet e mëdha që provova kur ne u takuam pas shtatë vitesh ndarje. Asgjë nuk e kish prekur miqësinë tonë. Ashtu si dikur, kur ishim bashkë në ateljetë e skulpturës Duni më qëndroi pranë dhe më dha një ndihmë të çmuar për realizimin e punimeve të mia.
Në Kinë pashë dhe punova me mjaft punëtorë, fshatarë, intelektualë, studentë, ushtarë e artistë të operas kineze. Pashë mjaft qytete, fabrika, uzina e kantjere pune.

Gjithçka ishte mjaft mbresëlënëse, dhe mbi çdo gjë më prekte dashuria e mikëpritja, kudo ku shkuam. Gjatë punës me modele të ndryshme shkëmbenim mendime dhe përkthyesja jonë He Daming (në shqip do të thotë Drita) që kishte studiuar në Tiranë, na qëndronte e gatshme për të na treguar gjithçka. Ajo ishte një vajzë me trup të vogël, e re, me kaçurrela që mbante gjyslyke, e qeshur dhe mjaft e shkathët. Drita na zbulonte njërin pas tjetrit mjaft kuriozitete të ndryshme.

Na fliste me admirim për filmat shqiptarë, që pëlqeheshin në Kinë etj.. Punëtorët na tregonin për orët e punës për shkrirjen e çelikut, për kohën rekord të ndërtimit të urave të mëdha ndërsa fshatarët, për punën kolosale në tarracimin e kodrave e maleve, e me artistët diskutonim për teorinë e lulëzimit të 100 luleve etj.. Unë admirova peizazhet e bukura të Kinës, admirova arkitekturën e pagodave me çatitë elegante, me unitetin stilistik të çdo orendie e zbukurim të interierëve… Në një park të bukur të qytetit Hangzhou më thanë një frazë të vjetër kineze që e lartësonte bukurine e atij qyteti: “Në qiell është parajsa kurse në tokë është Hangzhou”.


Në bllokun tim të shënimeve kam shkruar se kudo na shoqëronte muzika, marshet e këngët revolucionare për festën e 1 Tetorit. Duke shëtitur me Ismailin në sheshin Tian An Men pamë duke u valëvitur edhe flamurin shqiptar; e kur u ktheva vonë në dhomën e hotelit, gjeta kavaletin dhe baltën që të nesërmen te filloja nje portret në skulpturë. I kishte sjellë Dun Zu Ji… Kam shkruar me admirim për një shfaqje të fëmijëve 5-6 vjeçarë, për vallen e tyre gjithë finesë dhe elegancë. Kam punuar në një kooperativë me fshatarët në Jenan, kam mësuar disa fjalë të gjuhës kineze, kam provuar ushqimin karakteristik kinez… Plot kujtime… Ishte shumë e vështirë të bashkoja në krijimet e mia gjithë ato përshtypje; të bashkoja gjithë respektin dhe dashurinë që ndjeva për atë vend.

Në këtë ekspozitë kam përmbledhur disa punime. Janë emocione të hedhura direkt si fryt i dashurisë dhe respektit për ç’ka pashë në jetën e vrullshme të atij populli të madh e të talentuar, që e do vendin e vet dhe punon për ta zhvilluar e përparuar atë më tej.

Kina nuk është më ajo që unë pashë në vitin 1967. Tani Kina është krejt tjetër; një vend kolosal me një zhvillim mahnitës.

Në përfundim i jam thellësisht mirënjohës miqve kinezë që më ndihmuan të realizoja këto punime. Falënderoj përzemërsisht Ambasadën e Republikës Popullore të Kinës që bëri të mundur realizimin e këtij albumi dhe të kësaj ekspozite, në këto ditë feste të jubileut të 70-vjetorit të themelimit të Republikës Popullore të Kinës që është edhe një shenjë tjetër e miqësisë midis popujve tanë.

MUMTAS DHRAMI
Skulptor i popullit
Tiranë, Tetor, 2019

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.