Rama: Drejt finalizimit marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë
Kryeministri Edi Rama e deklaroi në një konferencë të përbashkët shtypi me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Romë, në një konferencë të përbashkët shtypi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm italian, Antonio Tajani se, marrëveshja e pensioneve mes Shqipërisë dhe Italisë është drejt finalizimit.
Pas takimit të Komitetit të Përbashkët për Investimet, Çështjet Ekonomike dhe Sociale, Shqipëri-Itali, duke folur për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Itali, Rama u shpreh se, “ka shqiptarë që janë në Itali prej vitesh dhe kontribuojnë prej vitesh në zhvillimin e ekonomisë italiane dhe kemi kuptuar shumë herë që marrëveshja për pensionet është në pikën e arritjes, pothuajse. Kemi marrë premtimin solemn nga zv/kryeministri që kjo pikëarritje nuk do të jetë një pikënisje tjetër, siç ndodh shpeshherë në anët tona”.
“Kështu të gjithë shqiptarët e shumtë që jetojnë, kontribuojnë, kanë punuar dhe punojnë në Itali më në fund do të mund të ngrenë dolli për lavdinë e Republikës italiane dhe ta falënderojnë këtë qeveri, sepse kjo qeveri më në fund do ta çojë deri në fund këtë nismë shumë të rëndësishme, nga pikëpamja, jo vetëm financiare por edhe nga pikëpamja sociale dhe nga pikëpamja e respektit dhe dinjitetit të punës së njerëzve”, tha Rama.
Konferenca e përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm, Antonio Tajani u mbajt pas takimit të dytë në nivel politik të Komitetit të Përbashkët Ekonomik (KPE) Itali-Shqipëri.
Marrë nga ATSH