Kumbaro në Riad: Modeli shqiptar i turizmit po vlerësohet gjithmonë e më shumë ndërkombëtarisht
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndodhet në Riad, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë ministerial dhe të liderëve botërorë të sektorit të turizmit me rastin e Ditës Botërore të Turizmit.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndodhet në Riad, ku po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë ministerial dhe të liderëve botërorë të sektorit të turizmit me rastin e Ditës Botërore të Turizmit.
Në kuadër të këtij aktiviteti, Kumbaro zhvilloi takime me ministra dhe drejtues të organizmave më të rëndësishëm ndërkombëtarë që e vlerësojnë maksimalisht Shqipërinë turistike.
Kumbaro zhvilloi takime me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit, Zurab Pololikashvili, drejtuesen e WTTC Julia Simpson, ministrin e Turizmit të Arabisë Saudite, Ahmed bin Aqil al-Khateeb, ministrin e Turizmit të Turqisë, Mehmet Nuri Ersoy, ministren e Kroacisë Nikolina Brnjac, ministrin e Izraelit, Haim Katz, ministrin e Jordanisë Makram Mustafa Queisi dhe ministrin e Maltës Clayton Bartolo.
Sipas saj, investimet e gjelbra dhe turizmi i qëndrueshëm janë kryetema e organizimit të këtij viti në Riad, me rastin e Ditës Botërore të Turizmit, ku modeli shqiptar vlerësohet gjithmonë e më shumë ndërkombëtarisht.
Duke informuar mbi takimin me ministren kroate të Turizmit, Nikolina Brnjac, Kumbaro tha se “hapëm rrugën për një bashkëpunim të ngushtë në fushën e statistikave në turizëm dhe përdorimin e tyre afatgjatë”.
“Kroacia, një nga kampionet e turizmit në rajon, është gjithashtu pararojë në organizimin e sektorit në marrëdhëniet publik/privat, në krijimin e sistemit të të dhënave aq të rëndësishme në politikbërje”, tha ajo. /ATSH