Dita Evropiane e Përkujtimit të Holokaustit të Romëve
Deklaratë nga Sekretarja e Përgjithshme Marija Pejčinović Burić
Me rastin e Ditës Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit të Romëve, Marija Pejčinović Burić, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Evropës, bëri këtë deklaratë:
“Sot përkujtojmë Ditën Evropiane të Përkujtimit të Holokaustit të Romëve dhe nderojmë 3000 romët – kryesisht gra dhe fëmijë – të cilët u vranë pa mëshirë në errësirën e natës në Aushvic-Birkenau. Nuk duhet të harrojmë kurrë se si urrejtja, shfrytëzimi dhe stigmatizimi çuan në këtë vrasje masive 79 vjet më parë. Përkujtimi shërben për të rivendosur dinjitetin dhe drejtësinë për viktimat dhe për komunitetin.
“Këshilli i Evropës është i përkushtuar të sigurojë përfshirjen e romëve dhe të mbështesë shtetet e tij anëtare për të vendosur dhe ruajtur masa mbrojtëse për këto komunitete.
“Vitin e kaluar, shtetet tona anëtare miratuan një Rekomandim për luftimin e gjuhës së urrejtjes, i cili u jep udhëzime autoriteteve kombëtare dhe aktorëve kryesorë se si të vendosin një sërë masash ligjore dhe joligjore për të adresuar këtë sfidë.
“Këtë vit, Komiteti i Ministrave miratoi Rekomandimin për pjesëmarrjen e të rinjve romë, i cili promovon pjesëmarrjen, përfaqësimin dhe përfshirjen e të rinjve romë në të gjitha sferat e shoqërisë dhe proceset vendimmarrëse. Ne po zhvillojmë gjithashtu mjete të reja për të mbështetur shtetet tona anëtare për përfshirjen e Historisë së Romëve dhe Udhëtarëve në kurrikulat shkollore dhe materialet mësimore në të gjithë Evropën.
“Mësimi i historisë dhe kujtimi i Holokaustit Rom jo vetëm që forcojnë identitetin e romëve, por gjithashtu ofrojnë një kontekst thelbësor që mund të ndihmojë për të mësuar nga e kaluara.
“Romët kanë një të drejtë që të gjithë ne duhet ta mbrojmë: të drejtën për të kujtuar.”