Shqipëria, anëtare e Këshillit të Evropës më 13 korrik 1995
Në janar 2011, në bazë të Rezolutës (2010) 5 mbi Statusin e Zyrave të Këshillit të Evropës u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Qeverisë Shqiptare për krijimin e një zyre të Këshillit të Evropës në Tiranë
Shqipëria u bë anëtare e Këshillit të Evropës më 13 korrik 1995. Pas pranimit të saj, në Shqipëri u hap një zyrë përfaqësimi e kryesuar nga një Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm. Kjo u pasua në qershor 2003 nga Zyra e Informacionit e Këshillit të Evropës.
Në janar 2011, në bazë të Rezolutës (2010) 5 mbi Statusin e Zyrave të Këshillit të Evropës, të miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në korrik 2010, dhe Konventës së Vjenës të vitit 1961 mbi Marrëdhëniet Diplomatike, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Këshillit të Evropës dhe Qeverisë Shqiptare për krijimin e një zyre të Këshillit të Evropës në Tiranë si një formë e re institucionale bashkëpunimi, duke zëvendësuar Zyrën e mëparshme të Informacionit.
Si përfaqësuese e Sekretarit të Përgjithshëm në Shqipëri, Zyra punon për të rritur vizibilitetin e veprimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri, siguron një bashkërendim efektiv midis Drejtorive të Përgjithshme të Këshillit të Evropës në zyrat qendrore në Strazburg dhe institucioneve vendase, si dhe lehtëson kontaktet me partnerët ndërkombëtarë në terren.
Aktualisht, Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë, e udhëhequr nga Kreu i Zyrës, po zbaton tetë projekte nën autoritetin e Drejtorive të Përgjithshme të Këshillit të Evropës. Nga këto tetë projekte, gjashtë janë pjesë e Instrumentit Horizontal, një kuadër bashkëpunimi i Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, që synon të mbështesë Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë në përputhjen e tyre me standardet evropiane, duke u fokusuar në tri fusha: (1) Sigurimi i drejtësisë; (2) Lufta kundër korrupsionit, krimit ekonomik dhe krimit të organizuar; (3) Promovimi i antidiskriminimit dhe mbrojtja e të drejtave të grupeve vulnerabël. Një projekt tjerër i përbashkët me Bashkimin Evropian fokusohet në mbrojtjen e të drejtave të romëve, ndërsa një bashkëpunim dypalësh me Agjencinë Suedeze për Zhvillimin Ndërkombëtar (Sida) synon të forcojë edukimin për qytetari demokratike në Shqipëri.