Patti Smith, Rembo dhe një përshëndetje për gjithë shqiptarët

E takova në librarinë “Gallimard” në aveny Raspail dhe i thashë: “ Jam një letrar shqiptar”. Dhe i tregova emrin tim shkruar në librin që sapo kisha botuar për Arthur Rimbaud


Nga Luan Rama

Para disa ditësh, Patti Smith, ajo që thoshte “unë jam e dashura e Rembosë”, nënshkruante në Paris dy vepra të saj. E takova në librarinë “Gallimard” në aveny Raspail dhe i thashë: “ Jam një letrar shqiptar”. Dhe i tregova emrin tim shkruar në librin që sapo kisha botuar për Arthur Rimbaud. Ajo u habit nga kjo e papritur të shikonte Rembonë në një libër të tillë dhe tha: “Oh, ç’surprizë!” Pastaj ndër të tjera shtoi: “A mund të ma dhuroni këtë libër?” – Sigurisht i thashë, por është në shqip! – S’ka gjë, ma nënshkruani ju lutem, – nxitoi ajo.” Dhe unë e nënshkrova. Dy fjalë të dashura për të. Më vështronte e habitur duke menduar ndoshta se si një shqiptar, një shekull e gjysmë pas vdekjes së Rembosë kishte rënë në dashuri me Rembonë. “Ju më nxitet të shkoj të shoh varrin e tij në Charlevilles-Mezière dhe të shoh shtëpinë ku shkroi kryeveprën e tij “Një stinë në ferr”. E lumtur ajo mori librin dhe e vuri para gjoksit të saj: – « A mund të më bëni një fotografi? – Padyshim i thashë, është kënaqësi. – Kjo për mua është një dhuratë e mrekullueshme.!” – shtoi ajo me ata sy të ngazëlluar. Dhe tek tërhiqesha, pasi njerëz të shumtë prisnin autografe nga ajo, Patti më tha: “Mos harroni ti përshendesni gjithë shqiptarët nga ana ime!

Ngrita duart si për ta përqafuar por tashmë ishim disi larg. Bekuar qofsh Patti Smith, rrebele e botës, poete, këngëtare dhe rock star!

Në mbrëmje Patti Smith do recitojë poezi të Rembosë në Teatrin Odeon dhe do lexojë tekstet e saj për Rembonë. Ajo e do me shpirt Parisin, Francën, atdheun e Rembosë. Këtu në Paris ka shëtitur rrugët, sheshet ku shkonte dikur Rembo, ka fjetur në hotelet ku flinte ai, është ulur në kafenetë dhe bistrotë ku uleshin dikur dy miqtë e pandashëm, Rembo dhe Verlen. “Une jam e dashura e Rembosë!” do të thotë përsëri ajo, pasi në gjumë, nëpër ëndërr, ajo ka fjetur me të, ka thënë vargje bashkë me të, ka bërë dashuri me të, i është përkushtuar gjeniut, atij që e shikonte poetin si Profet të shoqërisë, Profet të ardhmërisë njerëzore.

Patti Smith më tha që mos të harroj t’i përshëndes gjithë shqiptarët. Dhe unë po i përshëndes sot ata.

Patti Smith, e “dashura e Rembosë”

Ishte Rembo që e frymëzoi poeten dhe këngëtaren amerikane Patti Smith të shkruante poezitë e saj të para, një prej të cilave është Rêve de Rimbaud (Ëndërr për Rembonë) ku ajo bën dashuri imagjinare me të. “ U ngushëllova kur në moshën 16 vjeçare e gjeta në stendën e një bukinisti, përballë stacionit të trenit në Filadelfi. Vështrimi tij krenar në ballinën e librit  Illuminations  më mbërtheu ”. Poetin e gjejmë dhe në albumin e saj Horses të vitit 1975. “ Rembo kishte çelesat e një gjuhe mistike që e përpija edhe kur nuk e kuptoja atë. Dashuria që kisha ndaj tij ishte po aq reale sa dhe eksperiencat e mia më të forta. Në uzinën ku punoja me një grup grash pa shkollë dhe të ashpra, ato më përndiqnin pse isha e dashuruar pas Rembosë. Dyshonin se isha komuniste meqë lexoja një libër të shkruar në një gjuhë tjetër, të huaj. Madje ato më mbyllën në nevojtoret e uzinës dhe më kërcënuan se do më denonconin… ”

Patti Smith do të frymëzohej gjithnjë nga poezia e poetit të madh ndërkohë që muzikën e njohu në kohën kur u lidh me fotografin e madh Robert Mappeltorp. “ Shkruaja për Rembonë dhe ëndërroja për të. Ai u bë kryeëngjëlli im, ai që më çlironte nga barbaritë që përjetoja në uzinë. Duart e tij kishin gdhendur një manual qiejsh dhe unë nxitoja ti prekja ato. ”

Më 1969, Smith bëri udhëtimin e saj të parë në Francë bashkë me të motrën. “ Unë dhe Linda shkuam në Paris duke kaluar nga Islanda me një avion të vjetër me helika. Ishim të lumtura të ishim në qytetin e ëndrrave tona. U vendosëm në një hotel të mjerë në Montmartre dhe shëtitëm gjithë Parisin për të gjetur vendet ku kishte kënduar Piaff, ku kishte fjetur Gérard de Nerval, ku ishte varrosur Baudelaire. ” Ishte udhëtimi i parë që do të vazhdonte pastaj gjatë viteve të mëvonshme kur Patti Smith u bë një ikonë e rock’n roll, një ikonë e lirisë dhe e jetës boheme.

Në vitin 2011, me rastin e 120 vjetorit të vdekjes së autorit të poezisë Anija e mbytur, ajo vizitoi shtëpinë ku kishte jetuar Rembo. Madje në Charleville organizoi një koncert të improvizuar në kishën ku Rembo ishte pagëzuar foshnje dhe po kështu ku ishte bërë ceremonia funerale, në atë shapelë të thjeshtë në nëntorin e vitit 1891. Më 2014, me rastin e 160 vjetorit të lindjes së poetit, ajo do të shkonte përsëri në varrin e idhullit të saj mitik. Pelegrinazhi në varrin e Rembosë do të vazhdonte sa herë vinte në Paris. Në prani të 20.000 spektatorëve në Charleville, në kuadrin e festivalit Cabaret Vert, Smith këndoi himnin e saj Peaple Have the Poëer. Kësaj rradhe ajo shkoi në “ shtëpinë ” e Rembosë, në fermën e tyre në Roche, atje ku poeti kishte shkruar Një stinë në ferr. Shkoi në ndërtesën e re që ishte ngritur mbi rrënojat e shtëpisë së tyre, pasi gjatë Luftës së Parë Botërore, shtëpia ishte mbushur me ushtarët gjermanë, të cilët në vitin 1917, para se të largoheshin, i kishin vënë dinamitin. Por më pas, me gurët e shtëpisë së vjetër dikush kishte ndërtuar një shtëpi. Një tjetër shtëpi, por me gurët dhe kujtimin e poetit. Ajo vendosi ta blejë dhe ta kthejë atë në një “ Maison de Rimbaud ”, në një shtëpi të Rembosë për artistët që të vinin dhe të preheshin aty. “ E njoh Arturin që kur ka lindur, – do të shprehej ajo para gazetarëve. – Poeti mistik. E imagjinoj veten në kishën kur ai pagëzohej, e imagjinoj atë në zemëratë. Mund ta përfytyroj atë djalosh në të gjitha hiret e tij. Ndoshta nuk ishte i përsosur, por kush tjetër është i tillë ? Dhe për këtë falenderoj Zotin. Artur mishëron ndryshimin…”

I tillë ishte Rembo, një ikonë që frymëzoi këngëtarët e famshëm Bob Dylan, Serge Gainsbourg dhe një mori artistësh të mëdhenj të botës. “ Në fund të jetës time do doja të shkoja të takoja Rembonë në Abisini ”, – do të deklaronte dikur Gainsbourg.

Një fjalorth për të kuptuar më thellë Rimbaud-në

Vargjet e Arthur Rimbaud-së krijojnë gjithnjë një lloj magjepsje, edhe pse ndonjëherë, figura të veçuara qëndrojnë si ndriçime më vete, me një lloj hermetizmi që i bën akoma më tërheqës. E megjithatë, kur poeti i ri i ka shkruar ato, secila fjalë ka qenë e lidhur dhe organike me të tërën, brënda vargut dhe poezisë së krijuar. Ja pse për të kuptuar poetikën e çdo fjale të këtij poeti të jashtëzakonshëm, shumë fjalë të tij kanë patur nevojën e një shpjegimi, të cilin nuk e ka bërë vetë autori, pasi ai nuk kishte nevojë për shpjegime. Ishte koha për të qenë modern dhe për të shkruar një tjetër lloj poezie. Shpjegimet i kanë bërë historianët e letërsisë dhe kritikët, kohë më vonë, pasi ata kanë dashur të deshifrojnë çdo varg të poetit dhe domethënien e tyre. Madje edhe sot, disa fjalë poetike të Rimbaud-së ende nuk janë deshifruar, pasi në fjalën e tij shpesh ishte imazhi, ajo çka ai shikonte apo përfytyronte, dhe shpesh përfytyrimi është abstrakt dhe tepër personal.

Shumë fjalë, Rimbaud i ka marrë nga mitologjia dhe literatura biblike, të cilën e njihte mjaft mirë. Njohës i latinishtes, greqishtes dhe i gjuhëve të tjera, madje dhe i gjuhëve të indigjenëve etiopianë, ai kishte hyrë në gjenezën e kulturës që bazohej në dy themele të fuqishme: Testamenti i Vjetër dhe Testamenti i Ri. Edhe pse jo fetar, literatura biblike i jepte mundësi të shprehej për të kapur thelbin e qenësisë dhe të natyrës njerëzore, meqë ajo literaturë ishte vetë historia e njerëzimit. Kështu, kur ai shkruante se do të bëhej një poet “Voyant”, nuk është fjala për një poet “Parashikues” siç është përkthyer në ndonjë vend, por “Profet”, fjalë çka e ka marrë nga libri Mbretërit I, të Testamentit të Vjetër. Fjala “Miserere” që ai përdor, e ka marrë nga shprehja e psallmit 50: “Miserere me, Domine!” (Ki mëshirë për mua, o Zot!); fjala Ad Matutinum që ai përdor, e ka marrë nga shprehja biblike “ad matutinum, gallo canente spes redit”, (Në mëngjes, me këngën e gjelit, shpresa lind!); fjala “ange blanc”, (ëngjëll i bardhë) është marrë përsëri nga proza biblike. Po kështu dhe fjala “vespre”, fjalë të cilën e ka përdorur Ronsard më parë, por që në latinisht nënkuptonte për fetarët fundin e ditës dhe pragun e muzgut. Në fjalët “credo in unam” që është dhe titull poezie, (I besoj Zotit), ai është nisur nga “Credo in unum Deum!” Në poezinë Një arësyeje, shprehja një “hapi yt” është në kuptimin dhe imazhin biblik, pasi është sinjali i dhënë nga hyjnia e Marsit “gravidus”, (Zot i Luftës), i cili ecën përpara me një hap të tendosur.

Mjaft interesante është përdorimi i termit “Vierge folle” (Virgjëreshë e çmendur), apo dhe “Epoux infernal”, (Bashkëshort i tmershëm), në poezinë kushtuar marrëdhënieve të tij me Paul Verlaine. Kush është “bashkëshorti infernal”? Ai? Sigurisht! Përse “La Vierge folle”, siç e cilëson ai Verlaine-in? Nga vjen kjo fjalë dhe përse e ka përdorur autori. Por deshifrimi i kuptimit të figurës na vjen nga historia biblike, nga Ungjilli i Shën Mateut, i cili tregon historinë se “Mbretëria e qiellit do të jetë e ngjashme me ato dhjetë virgjëreshat që me llampat në duar duhet të shkojnë para gruas dhe burrit. Pesë nga ato ishin të urta dhe pesë të tjerat, të çmendura. Por në mes të natës, u dëgjua një klithmë: “Ja ku po vjen burri, (Dhëndërri). Shkoni para tij! Atëherë të gjitha virgjëreshat u ngritën dhe përgatitën llampat për të shkuar drejt errësirës. Por të çmendurat u thanë virgjëreshave të urta: “Na jepni vaj sepse llampat tona u shuan. Ato u përgjigjën: – Meqë kemi frikë se nuk do na dalë për gjithë rrugën që do bëjmë as për neve e as për juve, atëherë shkoni tek ata që shesin vaj dhe blini nëse ju duhet. Dhë “të çmendurat” u nisën. Ato shkuan ngadalë për të blerë, ndërkohë që burri, (Dhëndërri), erdhi. Kur u kthyen, ato vunë re se burri kishte hyrë dhe porta ishte mbyllur. Dhe ato thanë: “O Zot, na e hap portën!” Por Perëndia u përgjegj: – “Tu them të drejtën, unë nuk ju njoh, pasi ju nuk dini as ditën dhe as orën”…

Që në rini të tij, nga leximet e shumta dhe inteligjenca e jashtëzakonëshme, ai fitoi një kulturë të madhe, çka reflektohet në poezitë e tij që edhe pse jo të shumta, përfshijnë epoka arti dhe të historisë të gjithë njerëzimit. Në fjalën “sommeils”, (përgjumje), tek poezia Villes, (Qytete), ai i referohet “portës së ëndrrave” tek Eneida e Virgjilit; po kështu, shprehja e tij “caverne de forgerons, (shpella e farkëtarëve), është një referencë nga Eneida. Kur shkruan për Mabs, ai ka parasysh mbretëreshën Mab tek Romeo e Zhuljeta. Po, Rimbaud nuk kishte nevojë të shpjegonte fjalët dhe simbolikat e tij. Ato duhet ti dinin lexuesit dhe ja pse poezia e tij ishte një poezi e nivelit të lartë ku ngërthehej kultura e botës, studimet e gjata, pasionet e zbulimit të teksteve të vjetra e të reja, vetë atmosfera e shekujve të mëparshëm dhe të aktualitetit. Jo rrallë, Parisin e quan Parmerde, çka është bashkim i fjalëve Paris dhe “merde” (fëlliqësirë). Fjalën “candor” që ai përdor në imazhin e të bardhës perfekte si pastërti e shpirtit, na vjen nga latinishtja “candeur”. Për fjalën “Përtej detit”, (Outre-Mer), ai përdor “ultramarin”.  Kur shkruan për “Muse verte”, (Muza jeshile), po ta përkthenim fjalë për fjalë, është “muza e absintit”, të asaj pije në ngjyrë jeshile që pinte kabareve të Parisit me mikun e tij Verlaine. Në poezinë Anija e dehur, (Bateau Ivre), për detin ai përdor ngjyrën “azur verts”, çka janë dy ngjyra, që duket se e kundërshtojnë njëra-tjetrën, por nëse shikon një anije të mbytur nën det, pikas realisht atë përzjerje të ngjyrës së kaltërt me jeshilen… Vargu i tij “boulevards de cristal”, (bulevarde kristali), ai e ka nga imazhi i “Crystal Palace” të Londrës, që në atë kohë ishte një vend tërheqës për gjithë të huajt. Madje në poezitë e tij, veçanërisht në Përshndritjet, (Illuminations), ai përdor shumë fjalë me origjinë angleze, madje dhe si tituj poezish si Botoom, Fairy, Being Beauteons, etj. Kritiku francez Pierre Brunel shkruan se fjalën “being” ai e ka marrë nga një roman i Shelley-t ndërsa “bottom” e ka huazuar nga Shakeaspeare. Rimbaud duket sikur luan shumë me fjalën, duke i dhënë një kuptim dhe simbolikë të veçantë. Madje ai krijon neologjizma, fjalë të reja që nuk ekzistojnë në fjalorët e kohës. Ai përdor fjalën “ilune”, në kuptimin “i larë nga drita e hënës”, ndërsa në poezinë Mëngjes dehës, (Matinée d’ivresse), fjala “chevalet”, (kavalet), përdoret për instrument torture, siç thuhej në ato kohë në zhargonin e torturuesve. Po kështu, kur shkruan vargun “fumer de roses”, është fjala “të pish cigare të paketave ngjyrë rozë që ekzistonin atëherë në Paris, dhe jo “trëndafila”, siç mund të përkthehej normalisht fjala “rose”. Ai është një qëmtues i fjalës, duke kërkuar tek ajo koloritin e vetë kohës. Kur shkruan për “vieux de la vieille”,, nuk është “plaku i plakës”, por “ushtari i Perandorisë së Parë franceze”. Enigmatike duket dhe poezia “H”, në vëllimin Përshndritjet. Për Rimbaud, “H”, është vetmia (solitude), është momenti i masturbimit, akt që bëhet në vetmi… “Sa solitude est la mécanique érotique”, shton Brunel. Po kështu, poezia e tij Un cœur sous la soutane, fjala “cœur” nuk është në kuptimin zemër, por në kuptimin e seksit, (një seks nën rasën e priftit). Por le t’i lexojmë poezitë e dy vëllimeve kryesore të Rimbaud-së, Një stinë në ferr, (Une nuit d’enfer) dhe Përshndritjet, (Illuminations), ashtu siç na i ka lënë të shkruara autori, pra pa shpjegimet e mëpasme të kritikëve dhe studjuesve të letërsisë, veçanërisht, specialistëve të Arthur Rimbaud, shpjegime që mund të gjehen në botimin e Gallimard, Pleiade, apo botime të tjera.

 

 

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…