Bergner: E rëndësishme mbështetja e Shqipërinë në rrugën drejt BE-së
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner vlerësoi sot se në këndvështrimin gjeostrategjik është mjaft e rëndësishme mbështetja e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner vlerësoi sot se në këndvështrimin gjeostrategjik është mjaft e rëndësishme mbështetja e Shqipërisë në rrugën e saj drejt BE-së.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes prej 50 milionë eurosh, me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila ka në fokus përmirësimin e sistemeve të furnizimit me ujë të pijshëm, kanalizimeve të ujërave të përdorur dhe trajtimit të tyre në disa bashki të vendit, ambasadori gjerman tha se në kohë të tilla, ku tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë të ndjeshme, ngjarje të tilla, si Samiti i Berlinit marrin rëndësi edhe më të madhe.
“Ky program është ndër më të mëdhenjtë në bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Jemi mirënjohës për bashkëpunimin që kemi me Shqipërinë, e cila luan një rol të shkëlqyer në shumë dimensione, si ai në Këshillin e Sigurimit pranë OKB-së, duke dhënë një kontribut të shkëlqyer, çka u dëshmua edhe në muajin shtator, në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, përfshirë këtu fjalën dhe prezantimin e shkëlqyer të Kryeministrit Rama”, u shpreh ambasadori gjerman.
Por, shtoi ai, roli i Shqipërisë është i shumëfishtë.
“Duke u fokusuar në kontekstin e zgjerimit të BE-së, do të kemi së afërmi takimin e ministrave të Jashtëm. Më 16 tetor do të kemi Samitin e Ballkanit Perëndimor. Në kohë të tilla, ku tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë të ndjeshme, mendoj se ngjarje të tilla si Samiti i Berlinit marrin rëndësi edhe më të madhe”, shtoi ai.
Sipas ambasadorit gjerman, në këndvështrimin gjeostrategjik është mjaft e rëndësishme të mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt BE-së.
“E bëjmë këtë me kënaqësi e bindje të plotë edhe sepse e dimë se projektet që zhvillojmë janë kontribute të cilat e sjellin Shqipërinë më përpara në rrugën e saj drejt BE-së”, deklaroi ambasadori gjerman.