Kur “Moulin Rouge” shihej si nje vend i nëmur

Gjithçka dehëse, maramendëse. Modelet ishin aty, dhe ato kalonin të xhveshura pa asnjë ndroje


Nga Luan Rama

E habitëshme! Sa herë kaloj nga «Moulin Rouge» duke shkuar në Montmartre, aq herë do më kujtohen riprodhimet plot ngjyra të ndezura të Toulouse-Lautrec, të cilat i kisha parë fillimthi në Tiranë në një album të madh me ngjyra nga një seri autorësh impresionistë, që atëherë qarkullonin fshehurazi ndër disa piktorë dhe që zanafillën e kishin në bibliotekën universitare të Tiranës që atë kohë drejtohej nga Mihal Hanxhari.

Toulouse Lautrec më dukej vërtet i habitshem, disi ajror, i pakujdesshëm në penelin e tij, erotik por që shpaloste diçka që ne nuk e njihnim në atë kohë: epokën e bordellove pariziane, figura prostitutash, këngëtare kabaresh, vajza dhe zonja të kaluara në moshë që të detyruara, prisnin ende mishterinjtë e rrugës. Një botë plot ngjyra, herë e gëzuar dhe me ritme muzike e herë e trishtuar, në mjedise të zymta, para një gotë, një afishe koncerti, një gjoks i lëshuar nudo… Por sidoqoftë, ai e kishte bërë «Moulin Rouge» dhe «Place Pigalle» si një vend mitik pasi ai e kishte përjetuar më shumë se gjithkush tjetër në jetën e tij të përditëshme si dhe në pikturën e tij.

Kur me regjisoren Xhanfise Keko dhe shkrimtarin Kiço Blushi do të shkonim në Paris për një javë filmi, sapo zbritëm në aeroport na pritën dy punonjëse të Ministrise franceze të Kulturës që çuditërisht që të dyja quheshin Marie, të cilat menjëherë na thanë të gëzuara se për atë mbrëmje kisshin një surprizë për ne; na kishin rezervuar bileta për të parë një shfaqje në «Moulin Rouge». Për ne që zbarkonim nga Shqipëria e atëherëshme, kjo ishte një e papritur e madhe dhe e gëzueshme: do të shikonim kërcimtaret e atij holli të madh plot dritëza ku vajzat e kabaresë ngrinin këmbët duke kërcyer një «french cancan». Por punonjësi i ambasadës që merrej me kulturën dhe që nuk njihte asgjë nga kultura, na pëshpëriti, ose urdhëroi, se s’duhej të shkonim në asnjë mënyrë në atë shfaqje borgjeze, duke na detyruar të themi se ishim të lodhur dhe se mjerisht ishte e pamundur të shkonim në «Moulin Rouge», banesën e dikurshme të piktorit tim të dashur.

Kështu «Moulin Rouge», që e kisha parë veçse në pikturat e Lautrec nuk mundëm ta shikonim. Por ah, për zyrtarët e atëhershëm, «Moulin Rouge» ishte një sakrilegj. Kështu unë nuk arrita ta shoh Moulin Rouge dhe hijen e banorit të saj të dikurshëm që quhej Toulouse-Lautrec i cili më kishte bërë për vete me tablotë e tij. Këtë gjë do ta shikoja më vonë kur derdha si diplomat në Paris apo kur me Ibrahim Kodrën, Rajmonda Bulkun e Ehat Musa do të shkonim në një bar të madh që mbahej nga një shqiptar i Tetovës dhe ku për habinë tonë në një skenë të vogël na u shfaq një striptizë e cila e zgjoi mjeshtrin Kodra nga lodhja, duke i kujtuar modelet e tij të dikurshme. Ishte një striptizë aspak e bukur, jo si ato të «Crazy Horse», prandaj ne u larguam shpejt. Sidoqoftë unë doja të gjeja vendet ku kishte jetuar Lautrec edhe pse disa prej tyre nuk ekzistonin më siç ishte «Moulins de la Gallete». Megjithatë, apartamenti i tij në 24 Rue Coulaincourt, sapo kapërcen varrezat e Montmartre-s është gjithnjë aty. Lautrec ishte një personazh i veçantë i jetës artistike pariziane të dy dekadave të fundit të shekullit XIX. Edgar Degas, mjeshtrin e balerinave të bukura, Lautrec e adhuronte, ndërsa në të kundërtën, Degas e shante atë, ndoshta pse figurat e tij ishin personazhe të vërteta të kabareve të errta ku vera derdhej lumë. Ndoshta sepse ai po merrej me balerinat, të cilat ai kujtonte se vetëm ai mund t’i pikturonte aq bukur.

Lautrec ishte një artist që vinte nga një familje aristokratike e jugut të Francës, nga Albi dhe familja e tij ishte familje kontësh, por një sëmundje, mesa duket genetike, e kishte bërë atë handikap, duke e lënë me gjymtyra të shkurtëra, një lloj distrofie dhe «nanizmi», duke bërë që të ecte me vështirësi. Por kjo sëmundje, (si pasojë se në familjen e tij martesat bëheshin brënda familjes me mbesat, nipërit, kushërinjtë e parë e të dytë, etj,) nuk e pengoi talentin e tij dhe dëshirën të studjonte për pikturë, ku shkoi në të njëjtin atelier të piktorit të njohur Carmon, ku do të njihej dhe me Van Gogh, një mik i afërt për të.

Hollandezi e shikonte me simpati, edhe pse ata ishin tipa të ndryshëm: ai serioz dhe i zymtë përgjithësisht, ndërsa Lautrec gazmor e hokatar dhe që pëlqente jetën e rrugës: biri i kontit pëlqente rrugën e dehur dhe britmën njerëzore. Në atë kohë Parisi kishte 34.000 prostituta ndërkohë që Londra veçse 24.000. Shtëpitë publike apo «maison close» siç quheshin, gëlonin ngado veçanërisht në Montmartre, Clichy, deri në stacionet e trenave Gare du Nord apo Gare de l’Est e Saint-Lazare, apo pranë Madeleine, «Le Chabanais», «Two-two»,… ku shin bordellot e fisme ku vinin madje princat e mbretëtrisë angleze dhe ku Edourad VI kishte vendosur diku një lloj shtrati të çuditshëm ku kënaqte epshet e tij në fshehtësi, apo vende ku Cora Pearl lahej në një vaskë të mbushur me qumësht dhe petale trëndafili…

Madje ishte koha kur jo pak angleze dhe amerikane, ishin prekursore të lezbizmit në Paris,(epokë që ndryshe u quajt e «safizmit», nga emri i poetes së antikitetit grek), emra që u bënë të njohur dhe që nuk munguan në tablotë e Courbet «Gjumi» (Le sommeil), apo dhe të vetë Lautrec («Dy miket»). Edhe ato bënë pjesë në afreskun e madh të historisë së Francës, në një kohë që Baudelaire, autori i Lulet e së keqes kishte vdekur, po kështu Rimbaud i Stinës në ferr apo kur Van Gogh ishte vetëvrarë në një arë gruri ku fluturonin korba të zinj në Auver-sur-Oise. Maupassant botonte novelën «Maison Tellier», ndërsa Huyssman, «Marthe»… episode nga jeta e buzëmbrëmjes.

Toulouse Lautrec vdiq kur hynte shekulli i XX, në vitin 1901, po atë vit që shuhej dhe Oscar Wilde në një hotel të Parisit në Rue des Beaux-Arts, afër Odeonit.

Qyteti i kurtizaneve

Montmartre e fundit të shekullit XIX ndryshonte shumë nga pjesa tjetër e Parisit, pasi aty ishte vendi i artistëve, i piktorëve dhe poetëve, i letrarëve të paqtë dhe atyre që për muzë kishin balerinat e kabareve të shumta të Montmartre-s e mbi të gjitha «Moulins de la Galette», «Chat noir», «Au Tambourin» e më pas «Moulin Rouge», kohë që e kemi përjetuar dhe në filmin Moulin Rouge me Nicole Kidman, dekor i festave, fanfareve dhe i fateve të dhimbshe njerëzore. Sidoqoftë, «Moulin Rouge» ishte për Toulouse-Lautrec «qyteti i femrave», diçka «felliniane», pasi atje ishin personazhet e tij, ato që dashuronte në mënyrë platonike, ato që shkonte në shtrat për të shuar epshet e tij dhe ato që ishin idhuj të baletit të asaj kohe.

Rrugë të kalldrëmta që ngjiteshin drejt kodrinës, kabare, kafene të vjetra ku në kapërcyellin e shekullit do të vendoseshin dhe piktorët e rinj si Utrillo, Picasso, i cili gjeti një lloj frymëzimi tek personazhet e Lautrec, jo vetëm në frymën e pikturave të tij por dhe në detaje, siç e gjejmë dhe në një tablo të Picasso-s «Dhoma blu», ku në sfond është e ngjitur në mur një afishe e Lautrec. Por Lautrec asnjëherë nuk e njohu dashurinë e vërtetë, pasi fiziku i tij i shtynte femrat larg tij. E megjithatë, ai ishte gazmor, hokatar, kavalier dhe besnik në miqësi.

Personazhet e tij ishin gjithashtu kllounë cirku, zbutësit e kafshëve në cirk, akrobatët, vajzat ekuilibriste në litar… vetë bota e spektaklit, por mbi të gjitha vajzat, «vajzat e gëzimit» siç i kishte quajtur dikush. Në vitin 1892, patronia e një bordelloje me emër i kërkoi t’i pikturonte 16 tablo për të dekoruar muret e salloneve të saj. Dhe ai i pikturoi. Javë me rradhë ai largohej nga shtëpia dhe flinte atje në kulisat e dhomave të prostitutave dhe balerinave, pasi jeta pranë tyre i dukej më e ëmbël. Modelet ishin aty, dhe ato kalonin të xhveshura para tij pa asnjë ndroje. Ai i njihte historitë e secilave prej tyre, dramat familjare, ikjet nga shtëpitë e tyre për të mbijetuar, dashuritë e pamundura, zhgënjimet, përbuzjet, dhe dehjen e harresës ngjyer në seks… Ishin mikeshat e mira të tij që plagët i fshihnin thellë, nn makiazhin e shndritshëm të bukurisë.

Nganjëherë ndonjera, për miqësi e pranonte dhe në shtratin e saj dhe Lautrec mburrej tek shokët se “ishte i zoti në atë punë”… Kështu, Lautrec gjente frymëzimin e vet. Një kritik i kohës shkruante se “bordello ishte rifuxhio apo manastiri i tij”. Ndërsa vetë Lautrec thoshte: “Këtu jam më mirë se në shtëpinë time dhe se kudo gjetkë!” E megjithatë ato personazhe krijuan dhe apogjeun e tij. Në kokën e krevatit të tij, Lautrec mbante një riprodhim të një pikture të Vittore Carpaccio-s, “Dy kurtizanet” çka ishte e njëjta temë që trajtonte dhe ai. Por atë kohë, krahas Lautrec, shumë kurtizane i gjejmë në tablotë e Bernard, Manet, Degas.

Ishte ai që bënte afishet e mëdha, siç ka mbetur në historinë e Moulin-Rouge afishja e Gouloue-së që ishte mikja e tij e afërt, Louise Weber apo më pas Jane Avril, aq sa Lautrec e cilësuan për një fare kohë “piktor i Jane Avril”, meqë e pikturoi në shumë tablo. Pikturon balerinën Mary Belfort që vallëzonte në “cabaret-concert” apo në kafenene “Les Decadents”. Yvette Guilbert, një aktore teatri dhe personazh në disa nga tablotë e tij, luante në teatër pjesën e njohur Mbretëresha Margot… Misia Natanson kujtonte me nostalgji kohën kur Lautrec vinte pranë saj, në kopësht. “E kishim bërë zakon që unë shkoja në kopësht, duke u ulur dhe u mbështetur në një trung peme, me një libër në dorë, ndërsa Lautrec përkulej me penelin e tij të më pikturonte.

Madje ai m’i ngacmonte gishtërinjtë e këmbëve me penelin e tij, ku gjente një botë paradiziake…” Një nga balerinat që pëlqente ishte dhe një balerinë kuqaloshe, May Milton, figura e së cilës është në afishet e pikturuara nga Lautrec. Edhe pse atë kohë doli ligji kundër pornografisë, Lautrec kërkoi të tallej dhe pikërisht atëherë pikturoi tablonë e njohur divani, me disa prostituta që prisnin në një sallon bordelloje. Artisti vazhdonte me artin e tij.


Vitet e fundit të Lautrec ishin të vështira, të rënda, të hidhta. Pija shpesh e bënte agresiv aq sa zihej me njerëzit në kabare apo në rrugë. Madje ai kishte shpikur dhe një pije të veçantë, të tijën, një përzjerje që ai e quante «Tërmeti» dhe që kishte brenda gotës dy masa konjaku dhe dy absinti. Nëna e tij erdhi me nxitim nga jugu i Francës për tu kujdesur për të birin, ndërkohë që guvernantja që i kishte caktuar të qëndronte pranë tij, jo rrallë i shkruante për të që i dehur, i kërkonte të bënte dashuri: «Zotëria Zonjë nuk është treguar korrekt me mua!… ».

Ishte një marrëdhënie e vështirë me të ëmën, aq sa pak kohë më vonë ajo u detyrua të ikte, por duke vënë njerëz të kujdeseshin për të. C’fat i keq! Ndërkohë, tablotë e tij shiteshin ngado dhe gjithnjë e më shumë, nga «Drouot» gjer tek tregëtarët e veprave te artit përtej Atlantikut. Nga fundi i shekullit XIX ai ndërmorri një udhëtim me një mikun e tij. Shkoi në Havre, ku bëri shumë tablo e vizatime nga kabaretë e portit të La Manche e veçanërisht një kamariere angleze, një kuqalashe të bukur, pas të cilës thuaj ra në dashuri. Pastaj ata i hipën anijes Chili për të shkuar në Bordeaux dhe rrugës, gruaja e një oficeri francez të kolonive që shkonin për në Dakar, në Afrikë, e joshi pa masë duke i bërë disa vizatime e tablo, ulur në një shezlong, mbi kuvertën e anijes.

Ishte ajo që ai e titullon “La passagère 54”, meqë ajo flinte në kabinën “54”. Madje ai e shoqëroi deri në Lisbonë, duke dashur të vazhdonte pastaj drejt Afrikës, pas saj, por miku i tij e ktheu. Kështu, i dëshpëruar, Lautrec kthehet përsëri në shtëpinë e tij në Paris. Tashmë pija i krijon haluçinacione dhe ai e ka tepër të vështirë të ecë. Madje vuan nga sëmundja «Delirium tremens».

Kishte haluçinacione, bënte litografi të çuditëshme, të errta. Një çast iu duk se po e sulmonin insektet dhe me një revole që mbante kishte qëlluar në mure. Por shpejt, artistin rrebel e fusin në një birucë edhe pse ai ankohej duke thënë «Unë jam konti Toulouse-Lautrec!»… E mbyllën që ai të mos pinte më alkool dhe të mos prishte «rendin publik»… e megjithatë edhe atje ai pikturonte. Pikërisht duke vizatuar portretet e gardianëve të tij, ai mundi të fitonte lirinë. Një liri kohë-shkurtër… E njoftuar nga guvernantja e saj në Paris, e ëma u kthye në Paris dhe qëndroi pranë tij deri sa një ditë, ai do të jepte shpirt në duart e saj.

Djegja e erotikave

Kur u kthye nga varrimi, nëna e tij konteshë i mblodhi të gjitha «erotikat» e Lautrec dhe si një katolike e devotshme filloi t’i digjte: një lloj inkuizicioni ndaj gjithë atyre linjave, gjinjve dhe trupave të kolme, «vajza të gëzimit dhe të dhimbjes», vetëm pse ato ishin aty lakuriq. Arti i krijuar me aq ethe e dashuri nga shpirti i piktorit, tashmë shkatërrohej në zjarrin e një oxhaku dhe në zemërimin e një nëne. Megjithatë nga Lautrec mbetën në koleksionet e galeristëve dhe ato që ishin tek miqtë e tij 737 tablo vaji, 275 akuarele, 368 gravura dhe afishe, si dhe 5084 vizatime, skulptura, qeramika e vitrazhe, çka tregon për punën e madhe të tij në jetën e tij artistike të ndërprerë para kohe, në një moshë 36 vjeçare.

Por shpejt, ekspozitat e hapura në Londër, Paris e gjetkë do të afirmonin artin e tij të madh, çka mbart gjurmën e një kohe, historinë e një aspekti të shoqërisë franceze të asaj kohe, vetë jetën e dhimbëshme mes dritave të kabareve dhe shpirtërave që humbisnin në dehje, seks e alkool, si në vargjet e Baudelaire në Les fleurs du mal, («Lulet e së keqes»)… Po, tabotë e tij mund t’i quajmë thjesht « tablo nga Lulet e së Keqes»… Kështu, Lautrec la gjurmën e tij në historinë e impresionizmit francez. «Unë gjithnjë kam patur ndjesinë se Toulouse-Lautrec ishte vëllau dhe miku im, – ka shkruar regjisori i famshëm Fellini, – ndoshta pse ai që para shpikjes së vëllezërve Lumière ka imagjinuar kuadrimin e kompozicionit me skemat e kinematografisë. Dhe padyshim, kjo si pasojë për pasionin që ai kishte për njerëzit e përbuzur dhe të hedhur rrugës. Eshtë e vështirë të imagjinosh se çfarë ju ka frymëzuar gjatë karrierës tuaj, por e di mirë që nuk e kam vështruar me indiferencë asnjë nga veprat e Lautrec, afishet apo litografitë dhe kujtimi për të asnjëherë nuk më është shuar…»

Eshtë lehtë të thuash ta reduktosh veprën e një artisti të madh në thjesht ca balerina, për më tepër kabaresh… kështu mund të thonim dhe për një Baudelaire, Rimbaud apo Verlaine… kështu mund të thuhej dhe për Gustave Courbet që krijoi vepra të mëdha, mes të cilave dhe veprën emblematike të erotizmit, Origjinën e botës. A nuk duhej dhënë përmes artit dhe bota e jetës në hije, në trisht, në dhimbje e në delir?…

Pak ditë kanë kaluar tashmë kur në rrugët e Parisit, metrotë, autobuzët, një imazh përsëritet si një refren i këndshëm: një tablo e Lautrec që lajmëron hapjen e ekspozitës «Splendeurs et Miseres» («Shkëlqime e mjerime») në Muzeun e Orsay-it, në Paris. Janë përsonazhet e Lautrec por dhe të bashkëkohësve të tij që na grishin drejt një bote të cilën ata e kanë jetuar dhe ua përcollën gjeneratave që do të vinin.

Filozofi francez Deleuze, duke folur për pikturën, flet për imazhin «motrice» pra në lëvizje, që ky imazh nuk është një «dublicata», një kopje, por në kuptimin kulturalist, është një imagjinacion, një inovacion… Kështu, në këtë formë, Lautrec na e la artin e tij, nga realja në imagjinatë, në figura që lëvizin ende, në një dinamikë të jashtme dhe të brendëshme, në vetë jetën që është ngjizur në ato…Por duke shkuar në «Moulin Rouge», instiktivisht mund të pyesësh: «Ku është tani Gouloue që me moshën e thyer përfundoi portiere e kabaresë së famshme? Po Louise Weber, Jane Avril, Misia Natanson, etj…? Ku janë modelet e sharmit Lautrec.

Gjithçka dehëse, maramendëse, është shuar bashkë me vërtitjen e krahëve të atij mulliri. Krahët e mullirit nuk rrahin më në ajër edhe pse ai spektakël vazhdon në një kohë tjetër, moderne. Por nga gjithë kjo kanë mbetur këto imazhe impresioniste të një arti të ri që po lindëte e zhvillohej, kundër akademizmit, tablo vaji, guash apo akuarele, ku publiku i sotëm ndjen penelin e shpejtë të artistit, impresionin që na jep menjëherë thelbin e personazhit, madje botën e tij, gjëndjen emocionale, ku të bëjnë përshtypje dhe personazhe në kurriz, çka është diçka e re mes impresionistëve dhe shkollave të tjera artistike, ku fare mirë nga një tablo në tjetrën ndjen dhimbjen apo trishtin e balerinave.

Para pak kohësh, duke fotografuar studion e Jean-Louis Gérôme, i cili pikërisht përballë «Moulin Rouge» kishte atelierin e tij, ku atje kishte pikturuar figurën legjendare të Marko Boçarit, me ra në sy lëvizja e jashtëzakonshme të turistëve që vinin nga të katër anët e botës për të parë «Moulin Rouge» si një vend mitik. Cdo mbrëmje perdet hapen dhe në skenën e lavdishme shfaqen balerinat e «french cancan” plot dritëza dhe hire. Një prej tyre është një balerinë shqiptare. Në spektaklin marramendës është e pamundur të mos kujtosh banorin e dikurshëm të këtyre kthinave, artistin që aq shumë i pikturoi ato, Toulouse-Lautrec, një bir konti dhe një artist i skenës së madhe të jetës…

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…