Historia shqiptare si dilemë ekzistenciale

Romani, “Ismaili, një histori shqiptare” i Gëzim Ziles


Nga Lazër Stani

E çliruar nga diktati i skemës së realizmit socialist dhe aparatçikët e sistemit të censorëve, letërsia shqipe e këtyre shtatëmbëdhjetë vjetëve, në përpjekje për të refuzuar turpin e kompromisit të vet me regjimin dhe ideologjinë e tij, si një refuzim ndaj vetvetes dhe asaj që konceptohet si traditë, zgjodhi dy rrugë për rimbëkëmbjen e vet: një grup autorësh në moshë relativisht te re rendën pas shkollave moderniste letrare, me shpresë se kështu do të afirmonin vetveten ndryshe, duke mohuar çdo lidhje me realitetin shqiptar;

grupi i tjetër ndoshta më i paktë në numër iu ri kthye realitetit të mohuar, duke përshkruar me nota të ashpra e dramatike. Ky grupim autorësh krijoi një lloj realizmi tjetër, realizmin demokratik, që në vetëvete ishte realizmi socialist i kthyer me kokëposhtë.

Në të shumtën e rasteve të dyja tendencat u përcollën me dështime, sepse letërsia në asnjë rast nuk është një makinë që herë ngitet në krahun e majtë e hërë në të djathtin, dhe as një biçikletë cirku me të cilin mund të prodhohet një spektakel ekzotik.

Në këtë kaos të vlerave dhe brenda kësaj çoroditjeje ekperimentale dhe konceptuale, herë pas here autorë të veçantë arritën të krijojnë vepra letrare të mbresëlënëse, në poezi dhe prozë, duke shfaqur sëcili një individualitet të vetin, shpesh larg syve të publikut dhe të medias, por gjithësesi tërheqës e befasues dhe njëkohësisht sfidues për një kohë, kur pak kush e ka mendjen te letersia.

Dhe një ndër befasitë e bukura të këtyre kohëve, ka qenë leximi i romanit të Gëzim Ziles ”Ismaili, një histori shqiptare”, një libër që përveçse e kam lexuar me një frymë, më ka futur ne mendime për një kohë të gjatë.

“Ismaili” i Gëzim Ziles, është një libër që lexohet me një frymë, është rrëfim për jetën njerëzore në njërën prej momenteve më të brishta dhe formuese të saj, rrëfim për kapërcyellin ndarjes nga fëmijëria dhe ardhjen nervoze të rinisë së parë, një histori e rrëfyer rrjedhshëm, me një gjuhë të pastër e të pasur, plot densitet dhe tension dhe mbi të gjitha është një histori e mirëfilltë shqiptare.

Ismaili, përsonazhi kryesor i këtij libri, është një fëmijë shqiptar si shumë të tjerë, energjik dhe i etur për aventurë, guximtar dhe inteligjent, kureshtar dhe i pabindur, nxënës i pasionuar dhe fëmijë i rrugës. Ai është plot jetë, trupi nuk i zë vend dhe mendja e tij ka një fantazi të papërballueshme, por gjithçka zhvillohet brenda një territori të kufizuar, jo thjeshtë në hapësirë fizike, por në mundësi dhe liri.

Dhe mbi të gjitha, në këtë hapësirë ku çdo dëshirë shtypët nga një “Jo” ose “Mos” kërcënues, shtrihet hija e një dhunës, që nuk është thjeshtë vizorja e mesuesit apo një pëllëmbë e babait, por një e keqe shumë më e madhe që qendron në sfond si një re e zezë, e gatshme të gëlltitë sëcilin veç e veç ose të gjithë së bashku. Kjo hije dhune që gjithnjë ndihet e pranishme si sfond, që në fund të fundit është një dhumë shtetërore e padukshme, por njësoj kërcënuese dhe e frikshme, i ka tkurrur të mëdhenjtë, i ka bërë ata të heshtur dhe fjalëpakë, ndërsa fëmijët i ka privuar nga dashuria e prindërve dhe mundësia për të gëzuar një fëmijëri normale.

Ismaili, nuk është as më i mirë e as më i keq se të tjerët, sepse në fund të fundit, edhe ata që do të bëhen, vjedhës, vrasës, kontrabandistë, kriminelë, të gjithë kanë lindur fëmijë dhe njeriu, siç shkruante Balzaku, “nuk lind as i mirë dhe as i keq. Ai lind me instikte dhe aftësi”.
Ismaili është njëri nga këta fëmijë që, siç e përshkruan autori, “me një çantë të vogël prej rrobe të qepur nga e ëma, Labikja dhe pantallonat e shkurtëra dalëboje, nisej çdo mengjes për në shkollë, i ndjekur nga shokët e shumtë që nuk i ndaheshin. Nuk ishte veshur asnjëherë në jetën e tij prej 12 vjeçari pantallona të gjata”.
Që në faqet e para të libri Ismaili na shfaqet si një fëmijë lidër, që gëzon besimin e të tjerëve, për guximin, ndërshmërinë, shpirtin e aventurës dhe vendosmërinë, tipare të një karaketri të fortë në formim, të një arketipi të lirë, që edhe pse konfrontohet me dhunën e vazhdueshme nuk nënshtrohet, po udhëhiqet nga impulset e tij të brendshme që e nxisin për aventura, mbrapshti, kokëshkrepje që për ambjentin janë të papranueshme dhe të ndëshkueshme.
Po kaq të pafajshëm dhe aventurierë, duken edhe bashkëmoshatarët e tij Ristua, Gjoshja, Lalani, Fatriu, por edhe vajza që i shkaktoi emocionin dhe hutimin e parë instinktit të tij prej mashkulli, Tatjana, çapkënja e hedhur e mospërfillëse.

Edhe pse paguan vazhdimisht për aventurat e tij prej vagabondi të vogël dhe pa të keq, ai asnjëherë nuk nënshtrohet, përkundrazi një aventurë, si futja e hardhurcave në çantën e bukuroshes Tatjana, ndiqet nga një aventurë tjetër, si grabitja e pjeshkëve të fermës, apo grabitja e ndonjë fruti në kopshtijet e lagjes, atje ku pleq të sertë e të xhindosur ishin të gatshëm të hakmerreshin me një dhunë shtazarake.

Por Ismaili në vetvete nuk është i keq, nuk është i padrejtë dhe mbi të gjitha nuk ndërton marrdhënie të dyshimta me moshatarët. Kjo e bën atë të dallueshem prej të tjerëve, një rast të vecantë, që herë e bën ta quajnë vagabond, e herë ta shikojën si një fëmijë të dalë duarsh, që herët e vonë do ta pagujë me shpinën dhe kokën e vet.

Autori nuk ndalët të bëjë analiza të momenteve psikologjikë të zhvillimit të përsonazhit, por ai vetëm rrëfen ngjarjet, duke ia lënë lexuesit të receptojë dhe të interpretojë, sepse siç shkruan Keith Çestertoni shkrimtari i mirë gjithmonë na rrëfen të vërtetën rreth heroit të tij. Por nga kjo e vërtetë e rrëfyer pa paragjykime ne gjejmë një Ismail, i cili duke jetuar në një realitet të vrazhdë përballet me dilema të thella, që në shumë momente e bëjnë ekzistencën e tij dramatike: është momenti kur ai nga një histori në tjetrën mëson të vërtetën e hidhur të jetës, brutalitetin dhe egersinë e saj, pabesitë dhe marrëzitë, pasionet dhe epshet, çthurjet dhe degradimin, kompromiset e vogla dhe dinakëritë, që të mbledhura së bashku krijojnë sfondin mbytës të qytetit ku atij i ka takuar të jetojë.

Por energjik dhe plot jetë siç është Ismaili, nuk ka kohë të dëshpërohet. Ai kalon nga një aventurë te tjera me një guxim prej të marri, i gatshëm të ndeshet çdo ditë me rrezikun për të sfiduar atë që është e ndaluar, atë që qendron prapa çdo kufiri të vendosur dhunshëm. Dhe në këtë klimë shtypjeje dhe dhune, zgjohet edhe ndjenja e hakmarrjes, kur Ismaili në prag të burrërimit, vendos t’i vërë zjarrin gjithë lagjes “për inat të prindërve që i rrihnin fëmijët, për çdo të keqe që ata bënin” Dhe pas këtij akti aventuresk vjen edhe akti e parë të burrërimit, kur Ismaili shpall kërcënueshëm vendimin e tij të parë prej burri: “Nuk dua të më prekë më njeri më dorë”.

Me këtë frazë dramatike mbyllet edhe ky roman i Gëzim Ziles, një roman që të fut në mendime të thella.
Sigurisht që për frymën totalitare dhe të dhunshme të një shoqërie dhe për traumat që ajo krijon të anëtarët e saj është shkruar shumë. Moris Dryon pati shkruar se një shoqëri nuk mund të jetë e lumtur kur disa nga anëtarët e saj vuajnë. Për shkrimtarin kjo vuajtje nuk është statistikë, ajo është fati ose më mirë të thuash, fataliteti i një individi të vetëm.

Duke lexuar romanin, njëkohësisht lexuesi ndërmerr një udhëtim eksplorues brenda një shoqërie, që është tipike për qytetet shqiptarë të viteve pesëdhjetë. Nëpërmjet leximit ne njihemi me fatin kolektiv të një shoqërie mbi të cilën shtypja dhe varfëria thellohen çdo ditë dhe ku aknthi i mbijetesës, anntkthi i ekzistences, e shton edhe më shumë shtypjen e vet. Kjo i ka çuar drejt ndrydhjes totale edhe ndjenjat më të thella njerëzore, siç është dashuria e prindit për fëmijën.

Një prind, siç është rasti i Kasemit, babait të Ismailit, që robtohet në punë për të siguruar mbijetesën e familjes, nuk ka kohë të japë dashuri, jo pse ai nuk e ka këtë ndjenjë brenda vetes, por sepese kjo ndjenjë është e rrezikshme. Femijet e rritur me lirinë që jep dashuria, do të përfundojnë në individë të rrezikuar në të ardhmen.

Për të siguruar mbijetesën, që është instinkti bazë i çdo qenieje të gjallë, ai duhet të rritet i privuar nga kjo liri e dashurisë, sepse vetëm kështu individi i ardhshëm do të jetë i modeluar sipas rregullave të kohës.
Kjo logjikë e imponuar nga rrethanat dhe mentaliteti i një shoqërie koncervatie, ku liria ka munguar pothuajse gjithmonë, e ka bërë baballarët të ashpër dhe brutalë me fëmijët. Kjo është edhe linja kryesore e konfliktit Ismail-Baballarë, ose fëmijë prindër, që në rastin e Ismailit nuk arrin të gëlltitet dhe provokon rebelimin e vazhdueshem ndaj rregullave dhe kufizimeve të kohës.
Në tërësinë e vet romani i Gëzim Ziles, “Ismaili, një histori shqiptare”, është një veper provokuese për dilemat më të thella që ekzistojnë brenda qenies sonë, për udhëkryqet që vazhdimisht na shfaqen në jetë, dhe në në secilin rast vuajmë pasigurinë e zgjedhjes, por edhe për trishtimin dhe vuajtjen e udhëkkryqit të katër rrugëve qorre, prej nga nuk ka rrugëdalje.

Me gjuhën e tij të pasur më shumë nënshtresa kuptimore dhe i rrëfyer me një stil narrativ të gjallë e plot jetë , ky libër arrin të zgjojë brenda nesh histroinë e secilit, e cila në vetëvete na ndjek gjatë gjithë jetës dhe na shtyn të arsyetojmë mbi ekzistencën tonë.
I shkruar me një dashuri të thellë për Vlorën, për Skelën, njerëzit e saj, për detin dhe për dhembjen njerëzore, romani i Gëzim Ziles, varfërohet duke u interpretuar. Bukuria, thellësia, dashuria dhe ndjenja e tjera njerëzore, bëhën të pranishme dhe përceptohen vetëm duke e lexuar këtë libër, kaq të freskët dhe të vertetë, sa menjëherë na bëhet pjesë e historisë sonë shpirtërore.

Në foto, shkrimtari Gëzim Zilja

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…