“Nga “Shteti i Àrbërit” tek Arbëria në shekujt e humanizmit europian”

Fjalë përshëndetjeje e Kryetarit te Akademise se Shkencave te Shqiperise, akad. Skënder Gjinushi, në konferencën “Nga “Shteti i Àrbërit” tek Arbëria në shekujt e humanizmit europian”.


Fjalë përshëndetjeje e Kryetarit te Akademise se Shkencave te Shqiperise, akad. Skënder Gjinushi, në konferencën “Nga “Shteti i Àrbërit” tek Arbëria në shekujt e humanizmit europian”.

Seanca e hapjes se konferences u mbajt në mjediset e jashtme të Kishës së Shën Mërisë
Gëziq, Mirditë.

Kryetari i Akademise se Shkencave te Shqiperise, akad. Skënder Gjinushi e çeli konferencen me fjalen pershendetese.

***
I nderuar z. Nikollë Gjeta, kryetar i fshatit Gëziq,
I nderuar Àt Bernard Caruana, vikar i përgjithshëm i arqidioqezës metropolitane Tiranë-Durrës,
I nderuar z. Albert Melyshi, kryetar i bashkisë së Mirditës,
Të nderuar pjesëmarrës, studiues, banorë të Mirditës, miq e kolegë që keni ardhur nga Italia, Kosova dhe vende të rajonit,
Të nderuar banorë të Gëziqit dhe të Mirditës;
Kam kënaqësinë të përshëndes hapjen e konferencës së dytë shkencore ndërkombëtare kushtuar principatës së Arbërit, që shenjon fillimet e organizimit shtetëror të popullit shqiptar, fillime që njohën më vonë një zhvillim po aq të përparuar qytetërimi sa dhe vendet europiane tejadriatike të epokës së humanizmit.
Një dekadë më parë, në vitin 2014, Akademia e Shkencave, bashkë me forumin Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar, organizuan një konferencë të rëndësishme kushtuar 800-vjetorit të Shtetit të Arbërit, në respekt të vitit që daton shkrimin epigrafik të gurit historik të Gëziqit, ku përmenden edhe emrat e fisnikëve arbër që qendronin në krye të Principatës së Arbërit: Dhimitër, Gjergj e Gjin Progoni.
Konferenca e sivjetshme bashkorganizohet nga po të njëjtët subjekte, në kuadër të 555-vjetorit të kryeheroit të shqiptarëve Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në funksion të ndriçimit të shekujve të Mesjetës shqiptare, që janë shekuj të lulëzimit të zotërimeve parashtetërore, të familjeve të mëdha patronimike arbërore, periudhë gjatë të cilës u përgatit vetëdija e të qenit një etni, faktor themelor për qëndresën shqiptare antiosmane.
Studimet për Àrbërin në Mesjetë, duke filluar prej akademikeve tanë themelues, si Aleks Buda e Dhimitër Shuteriqi, i cili ka dhe meritën e rizbulimit të mbishkrimit të famshëm të Gëziqit, deri tek brezi i pasuesve dinjitarë të tyre, si profesorët Pëllumb Xhufi e Aurel Plasari, kanë përparuar cilësisht në tri dekadat e fundme. Studimet e kësaj periudhe po ndryshojnë përfytyrimin e vlerësimin për këtë epokë, e cila, për arsye ideologjike më shumë se shkencore, është quajtur e errët, reaksionare e obskurantiste, ndonëse pikërisht në shekujt e saj u krijua fisnikëria e parë shqiptare, e cila u vetëdallua etnikisht e në religjion prej të tjerëve, duke krijuar zotërimet dhe autonominë e vet në kuadër të ish-perandorive të kohës. Kjo fisnikëri e parë arbërore ishte themeli i parësisë shqiptare që u mblodh në Besëlidhjen e Lezhës dhe përcaktoi karakterin e epokës së ndritur skënderbejane.
Ndriçimet shkencore mbi Àrbërin mesjetar, etnik e fetar janë shumë të rëndësishme jo vetëm për principatën e Arbërit, dioqezën Arbanense; por për gjithë periudhën arbërore në tërësi, si periudhë që ndërlidh ilirët dhe shqiptarët dhe konfirmon vazhdimësinë e popullit shqiptar këtu ku është, ku ka mbijetuar në kushte pushtimesh e ngushtimesh. Këto ndriçime, përveç argumentimit të vazhdimësisë nga ilirët tek arbërit e nga arbërit tek shqiptarët, përforcojnë një tjetër konkluzion të rëndësishëm të shkencave shqiptare për Mesjetën, që deri në pushtimin perandorak trevat shqiptare ecnin me të njëjtin hap e zhvilloheshin me të njëjtin ritëm europian si të gjitha vendet e pellgut të Adriatikut, këndej e andej detit. Këto fakte e prurje të reja, pjesë e platformës dhe të referimeve të kësaj konference, do të pasqyrohen në projektin tonë madhor, në veprën e re Historia e shqiptarëve, duke qenë një prej risive dhe vlerave kryesore të këtij botimi.
Në këtë konferencë është rasti të evokojmë me nderim të thellë të gjithë ata që punuan e punojnë me dedikim e devocion në fushë të mendimit e të kërkimit: transkriptuesit e mirënjohur Injac Zamputi e Koço Zheku; filologët Francesco Altimari e Matteo Mandalà, dhe, me plot meritë, profesoreshën e nderuar Lucia Nadin, rizbuluesen e Arbërit europian, tani së fundi edhe rizbuluese e dorëshkrimeve të panjohura të Marin Barletit, që i kthejnë atij përfundimisht autorësinë e vënë padrejtësisht në pikëpyetje dhe autoritetin e padiskutueshëm si autori më i hershëm e më i rëndësishëm i Arbërit në Mesjetë. Për këto dorëshkrime te panjohura, Akademia e Shkencave po bashkëpunon me sukses për promovimin e integrimin e tyre në trashëgiminë europiane, duke mundësuar përkthimin e tyre.
Dëshiroj të vlerësoj e të përshëndes gjithashtu bashkëpunimin e frytshëm me kryetarin e bashkisë së Mirditës z. Albert Melyshi; me imzot Arjan Dodajn, arqipeshkv i dioqezës metropolitane Tiranë-Durrës; me imzot Gjergj Metën, ipeshk i Mirditës; me dom Umberto Boeron; me gjithë të pranishmit në këtë hapje ceremoniale.
Përgëzoj në veçanti komitetin shkencor-organizues të konferencës për seriozitetin e përgatitjeve të saj; përshëndes referuesit e dëgjuesit në konferencën tonë dyditore, që do të sjellë të reja shkencore të dobishme.
Faleminderit.
www.akad.gov.al.

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.