Kur fryn era e ndryshimit, disa ndërtojnë mure, të tjerë ndërtojnë mullinj ere
Kjo është një proverbë kineze që i përshtatet shumë realitetit të kohëve tona në lidhje me ekonominë.
Nga Dr. Marsela Musabelliu
Kina filloi më 29 shtator festën e saj tradicionale ose “Javën e Artë”, një periudhë pushimi që këtë vit përfshin festimet e Festivalit të Mesvjeshtës dhe Ditës Kombëtare. Kalkulimet paraprake flasin për rreth 800 milion udhëtime gjatë kësaj periudhe festive, më shumë se 100 milion në ditë sipas Akademisë Kineze të Turizmit, të dhëna që tregojnë një rimëkëmbje ekonomike dhe rigjallërim të konsumit. Për më tepër, më shumë se 21 milion njerëz pritet të marrin fluturime të brendshme, një rritje prej 18% nga viti 2019. Ndërkohë, rezervimet e hoteleve për destinacionet e njohura kanë shënuar një rritje prej 514% krahasuar me vitin 2019 sipas portalit të udhëtimeve Qunar. Këto janë shifrat që vijnë nga Kina, por çfarë lexohet dhe dëgjohet në pjesën tjetër të botës? Ekonomia e Kinës është një temë që ka bërë tituj ndërkombëtarë prej muajsh, veçanërisht që nga korriku, pasi Byroja Kombëtare e Statistikave publikoi të dhënat mbi PBB-në.
Turistë në bregdetin e qytetit Yantai, 1 tetor 2023, provincë Shandong(Foto:VCG)
Vizitorë në një kopsht zoologjik, qytet Linyi, 3 tetor 2023(Foto:VCG)
Kur fryn era e ndryshimit, disa ndërtojnë mure, të tjerë ndërtojnë mullinj ere! Kjo është një proverbë kineze që i përshtatet shumë realitetit të kohëve tona në lidhje me ekonominë.
Rimëkëmbja ekonomike globale ka qenë e ngadaltë që nga fillimi i vitit me presione të vazhdueshme inflacioniste. Shumë ekonomi kanë zbatuar masa shtrënguese monetare për të përballuar inflacionin, gjë që ka çuar në efekte të dukshme. Megjithatë, përballë këtyre sfidave komplekse të jashtme, ekonomia e Kinës ka arritur të tejkalojë ekonomitë kryesore të zhvilluara, duke treguar elasticitetin e saj të fortë në zhvillimin ekonomik. Shumë projeksione në mbarë botën po rishikohen këtë vit, megjithatë Banka Botërore më 1 tetor 2023 parashikoi një rritje prej 5.1% për ekonominë kineze në vitin 2023, sipas përditësimit ekonomik të saj të sapo publikuar në Azinë Lindore dhe Paqësor.
Më 24 korrik 2023, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PKK-së mbajti një takim mbi punën ekonomike dhe vendosi objektivat për gjysmën e dytë të vitit. Takimi vuri në dukje se kërkesa e brendshme e pamjaftueshme e ngadalëson rritjen e sektorit privat, disa rreziqe “të fshehura” në fusha kyçe, si dhe një mjedis të jashtëm të zymtë dhe kompleks. Megjithatë, qeveria do t’i përmbahet një politike fiskale proaktive dhe një politike monetare të kujdesshme, do t’i jepet mbështetje e fortë inovacionit shkencor dhe teknologjik, ekonomisë reale dhe zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Dy ishin shqetësimet: për sektorin privat për shembull, është pranuar tashmë se ka nevojë për rregullime të reja. Këshilli Shtetëror i Kinës njoftoi grupin e tij prej 31 masash për të nxitur rritjen e sektorit privat, duke përfshirë heqjen e barrierave për aksesin në treg dhe sigurimin e konkurrencës së ndershme. Pika e dytë, papunësia tek të rinjtë. Në qershor shkalla e papunësisë së anketuar për të rinjtë e moshës 16 deri në 24 vjeç arriti në 21.3%, më e larta që nga mbledhja e të dhënave për herë të parë në vitin 2018. Megjithatë, në muajt në vijim, më shumë të rinj do të hyjnë në tregjet e punës dhe për ta bërë më të lehtë punësimin, punëdhënësit në të gjithë vendin do të inkurajohen për të ofruar 1 milion praktika dhe një fokus i fortë në formimin profesional do të lejojë të paktën 15 milion të rinj për të përmirësuar aftësitë e tyre.
Megjithatë, si duket ekonomia e Kinës nga lentet e mediave perëndimore? A janë të vërteta sfidat e Kinës apo është luftë për të shtyrë narrativën?
Automjete për eksport, porti Taicang, qytet Suzhou, 24 maj 2023, provincë Jiangsu(Foto:VCG)
Sidoqoftë, “shqetësimet për ekonominë e Kinës janë të mëdha pasi të dhënat në gjysmën e parë të 2023 janë pjesërisht të nxitura nga një bazë e ulët nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar, kështu që Kina është në telashe”, shkruan the Economist.
Bloomberg, ka në plan të parë “rritjen zhgënjyese të ekonomisë” dhe për CNBC “Ekonomia e Kinës duket se është duke u ndalur me shenja të stanjacionit”.
Kemi dëgjuar për teorinë e “kolapsit të Kinës” për dekada dhe çdo pjesë e të dhënave statistikore mund të përdoret për të vërtetuar pretendimet e një analize ose një tjetre. Por, cili është realiteti? – Ekonomia e Kinës është tejet elastike dhe përpara se të gjykohet bazuar në një grup të dhënash selektive, është më mirë të shihet në një kuadro më e madhe.
Nëse për të dhënat e Kinës thuhet se janë “zhgënjyese” kjo ndodh sepse bota është ende duke kërkuar nga Kina për rritje dhe ky është një lajm i mirë, pavarësisht nga të gjitha bisedat për “shkëputjen dhe heqjen e rrezikut”, shumica e ekonomive në botë kanë investuar në Kinë.
Shumica e mediave perëndimore po i bien ziles së alarmit duke fajësuar kërkesën e ngadaltë “Kina është në prag të deflacionit” shkruan Financial Times. “Deflacioni po afrohet,” shkruan Wall Street Journal.
Megjithatë, a është ky një problem strukturor? Absolutisht jo, sipas Zëvendës Guvernatorit të Bankës Popullore të Kinës, sfidat me të cilat përballet aktualisht ekonomia kineze janë një fenomen normal në epokën pas pandemisë globale COVID-19. Në përgjigje të zbutjes së rritjes së çmimeve në muajt e fundit, ai parashikoi që Indeksi i Çmimeve të Konsumit të Kinës ose CPI, matësi kryesor i inflacionit, do të shohë një trajektore në formë U-je këtë vit.
Një punishte robotike për prodhimin e pajisjeve elektronike në qytetin Zhangjiagang, 14 shtator 2023,provincë Jiangsu(Foto:VCG)
Çfarë i obsesionon shumë komentuesit muajin e fundit? “Papunësia e të rinjve në Kinë”. Al Jazeera thekson “performancën në dukje të dobët ekonomike të Kinës dhe dështimin e saj për të ofruar vende pune të mjaftueshme”… ndërsa Business Insider citon ekonomisten e Universitetit Northwestern Nancy Chan duke thënë se “ekonomia e Kinës është në krizë dhe problemi i papunësisë së të rinjve mund të jetë në rrënjë të problemeve të saj aktuale”.
Por, nëse ekonomia do të rritet ose të paktën do të shmangë një tkurrje në afat të gjatë, qeveria kineze po krijon kushtet për krijimin e vendeve të punës në sektorë me produktivitet të lartë dhe investime më të mëdha në arsimin e lartë. Ndërsa Kina po largohet nga denominimi “fabrika e botës” dhe me inovacionin e vazhdueshëm teknologjik dhe shfaqjen e industrive të reja tregu i punës në Kinë po evoluon vazhdimisht duke krijuar mundësi të reja për punëkërkuesit dhe bizneset. Problemi i papunësisë së të rinjve është një çështje globale dhe jo vetëm një problem i Kinës. E kemi parë këtë problem në shumë vende evropiane në Spanjë dhe Itali, si dhe në Shtetet e Bashkuara gjithashtu. Përpjekjet e Kinës në trajtimin e kësaj çështjeje vijnë me politika të qarta dhe të aksesueshme, duke i kërkuar sektorit privat të bëjë më shumë për të rinjtë.
A janë bërë vlerësime të drejta këto analiza? – Jo veçanërisht, është një situatë ku po të duash e shikon gotën, gjysmë plot ose gjysmë bosh, dhe janë bërë vetëm supozime pesimiste. Por Kina ka një potencial të madh rritjeje dhe kjo shihet në programin e saj më të madh të modernizimit.
Në rrugën e modernizimit, ka rreth tre dekada ende për të ecur, të cilat kërkojnë reforma të rëndësishme strukturore dhe në këtë pikë, ka erëra të kundërta drejt rritjes, por vetëm në afat të shkurtër. Megjithatë, qeveria po merr vendimin e duhur për të mos injektuar para për problemin por me politikat e saj po bën atë që një ekonomist kinez e ka quajtur nevoja e gjallërimit të “instikteve shtazore të sektorit privat” duke folur me ironi për natyrën shumë agresive të sektorit privat jo vetëm në Kinë, por në mbarë botën.
Pyetjet e vërteta janë: A ka Kina kërkesë të brendshme të mjaftueshme brenda vendit për ta pasur atë një motor në rritje të vetë-mjaftueshëm për pjesën tjetër të botës? A do të jetë në gjendje Kina të jetë ekonomia e dytë më e madhe që siguron një motor rritjeje për pjesën tjetër të botës? Ndërsa pjesa tjetër e botës po ngadalësohet sepse po lufton inflacionin, Kina, për fat të mirë, ka ekuilibrin e duhur të ofertës dhe kërkesës, kështu që brenda vendit nuk ka përjetuar llojin e inflacionit që shihet në pjesë të tjera të botës, përfshirë Evropën. Shumë ndërmarrje ndërkombëtare nga JPMorgan te Tesla te Bill Gates, kur vizitojnë Kinën, të gjithë thonë se bota është e vendosur të qëndrojë në Kinë dhe është e përkushtuar ndaj suksesit të Kinës, sepse suksesi i botës varet nga suksesi i Kinës.
Foto:VCG
Këto janë llojet e perspektivave që janë dominuese në bizneset në mbarë botën, narrativa mediatiko-politike është një gjë tjetër. Në të vërtetë, ka disa grupe interesi që prej muajsh brohorasin për “rënien e Kinës”, në fakt është krejt e kundërta. Kina është në majë të kalimit në një model tjetër rritjeje, i cili do ta shohë atë të realizojë një rritje prej 5% për një periudhë të gjatë.
Kur retorika kundërshton faktet, duhet të ketë motive të tjera pas saj. John Ross, ish-drejtor i politikës ekonomike dhe biznesore për kryebashkiakun e Londrës, tha në intervistë se edhe me ngadalësimin e zhvillimit ekonomik global, performanca ekonomike e Kinës tejkalon shumë atë të vendeve perëndimore. Duke nxitur retorikën “Kina në rënie”, Perëndimi kërkon të pengojë kompanitë ndërkombëtare të investojnë në Kinë dhe të demoralizojë klimën e biznesit.
Në 15-20 vitet e ardhshme, Kina mund të mbajë një kapacitet të mirë rritjeje, por duhet ta bëjë atë tranzicion në përputhje me realitetin kombëtar dhe ndërkombëtar. Në fakt erërat janë të fuqishme ndërkombëtarisht, por në Kinë mullinjtë e erës janë në punë të plotë.
Së fundmi, duhet pasur parasysh se një “Lajm i keq” për ekonominë e Kinës është një lajm i keq për ekonominë botërore. Në fakt, shumica po shpreson për suksesin e Kinës, sepse shumë nga ekonomitë e botës janë të lidhura me arritjet e saj, pasi është një pjesë jetike e zinxhirit të furnizimit global nga i cili kanë përfituar të gjithë.
Në tregje nuk i intereson askujt dhe askush nuk e dëshiron ngadalësimin, por as konsumatorëve të mbarë botës, askujt nuk i leverdis një gjë e tillë. Duke parë se nga vijnë këto ide, në vend që të fajësohet ose të hidhen ide demoralizuese mbi ekonominë e Kinës, është më mirë të përpiqemi të kuptojmë se çfarë po ndodh. Një ekonomist kinez (Qu Qiang) e shpjegon shumë kthjellët duke thënë, ekonomia kineze është si një makinë në rrugën e modernizimit. Në fakt, në vitin 2023, po ndërrohen marshet dhe po lëvizin ingranazhe të reja…në këtë prizëm duhet parë situata.
Burimi: CRI.CN