Kombëtare e futbollit, apo pasuri kombëtare…!
Silvinjo absolutisht është trajneri më i mirë i ardhur në krye të kombëtares jo vetëm me rezultatet më të mira të arritura
Nga Dëfrim Methasani
Mbrëmja e 12 tetorit duhet konsideruar historike, ashtu si fitorja e bukur dhe e pastër e kuqezinjve kundër Rep Çeke me tre gola spektakolarë, të dy djemve shqiptarë të Shkupit dhe Kumanovës, Jasir Asani dhe Taulant Seferi (dy herë).
Kam festuar nga studio sikur të isha në stadium, sepse ndonjëherë profesioni të heq dëshirën më të madhe, për ta shijuar live madhështinë e fitores.
Gjithsesi Shqipëria sonte fitoi falë heronjve të fushës së blertë, këtyre ambasadorëve që na shtuan krenarinë dhe na bënë faktor sërish në Europë.
Silvinjo absolutisht është trajneri më i mirë i ardhur në krye të kombëtares jo vetëm me rezultatet më të mira të arritura, por sepse ndertoi një skuadër dinjitoze e thënë ndryshe, bëri bashkë një grupim vlerash, gjeti të duhurit edhe pse në mosha të ndryshme dhe krijoi rivalitet për një vend në formacion mes dy-tre lojtarëve.
Fryma dhe forca e grupit, ishin cilësi që e vendosën Shqipërinë jo vetëm në piedestalin e grupit E si kryesuese me 13 pikë, por e kthyen kombëtaren në një pasuri kombëtare në shërbim të imazhit dhe vlerave të kombit.
Faleminderit Shqipëri!