Në kundërshtim me Organizatën Botërore të Tregtisë, BE heton automjetet elektrike kineze

Nuk ka asnjë fakt që makinat elektrike kineze janë produkt i subvencioneve me anë të financimeve publike, por vetëm financime të sektorit privat kinez


Nga Dr. Enriko Ceko

Automjetet elektrike janë mjete që përdorin një ose më shumë motorë elektrikë për lëvizje. Ato mundësohen nga sisteme energjetike elektrik nga burime jashtë automjeteve dhe/ose mundësohen në mënyrë autonome nga bateritë (që ngarkohen nga panele diellore, kutitë e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe/ose duke konvertuar karburantin në energji elektrike, etj). Këto mjete lëvizëse përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në automjetet rrugore dhe hekurudhore, por gjerësisht përfshijnë gjithashtu anije elektrike dhe anije nënujore (zhytëse, nëndetëse bërthamore), avionë elektrikë, anije kozmike elektrike, etj.


CFP

Në rastin e automjeteve rrugore elektrike, përfshihen makina elektrike të pasagjerëve, autobusë elektrikë, kamionë elektrikë dhe transportues personalë, si biçikleta elektrike, motoçikleta/skuterë elektrikë, etj. Makinat elektrike formësojnë një vizion të ardhshëm të transportit të quajtur lëvizshmëri e lidhur, autonome, e përbashkët dhe elektrike (CASE).

Automjetet e hershme elektrike u shfaqën për herë të parë në fund të shekullit të 19-të, kur Revolucioni i Dytë Industrial solli elektrifikimin dhe siguron një nivel qetësie, rehatie dhe lehtësie operimi që nuk mund të arrihej nga makinat me motorët me benzinë të asaj kohe, por frika se kjo do ndikonte shumë në konsumin e energjisë elektrike dhe do shtonte çmimin e energjisë elektrike përtej parashikimeve, bënë që kjo teknologji të lihej pas dore, shtuar këtu edhe pamundësinë e prodhimit të baterive të përshtatshme për këtë lloj transporti, duke lënë shkas për dominimin e tregut për më shumë se 100 vite nga ana e motorëve me djegie të brendshme (me benzinë dhe naftë). Pavarësisht kësaj, lëvizja me energji elektrike mbeti e zakonshme në llojet e tjera të automjeteve, të tilla si automjetet e tranzitit masiv, trenat elektrikë, tramvajet, autobusët me një shinë dhe karrocat elektrike, si dhe automjete të ndryshme të vogla, me bateri personale me shpejtësi të ulët, si skuterët lëvizës, etj.

Në vitet 1990 dhe në vazhdim pati një shtysë për zhvillimin e automjeteve elektrike hibride, por prodhimi masiv i tyre duhej vite të ndodhte.


CFP

Stimujt qeveritarë për të rritur adoptimin e këtyre automjeteve u prezantuan për herë të parë nga Norvegjia (1990), ndjekur nga SHBA, BE, etj. Rritja e interesit dhe ndërgjegjësimit publik dhe stimujve strukturorë, të tillë si ato që u përdorën për rimëkëmbjen e gjelbër gjatë Pandemisë COVID–19, pritet të rrisin shumë tregun e automjeteve elektrike. Gjatë pandemisë COVID-19, bllokimet reduktuan numrin e gazeve serrë në automjetet me benzinë ose me naftë. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka deklaruar se qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të përmbushur qëllimet klimatike, duke përfshirë politikat për automjetet e rënda elektrike. Në vitin 2022, rreth 14% e të gjitha makinave të reja të shitura ishin elektrike, krahasuar me 9% në vitin 2021 dhe më pak se 5% në vitin 2020. Shitjet e automjeteve elektrike mund të rriten nga 1% në vitin 216, në më shumë se 35% deri në vitin 2030. Tregu global i tyre në vitin 2022 arriti në 280 miliardë USD dhe pritet të arrijë në 1 trilion USD në 2026, kryesisht në SHBA, BE dhe Kinë.

General Motors Corporation, është licensuar që në vitin 1999 për këto automjete dhe më pas edhe Chrysler, Ford, Honda, Toyota, etj.

Të tërë ne kujtojmë filmin e suksesshëm të viteve 2005–2006 “Kush e vrau makinën elektrike?”, shfaqur nga Sony Pictures Classics, ku eksplorohet roli i prodhuesve të automobilave, industrisë së naftës, qeverisë së SHBA-së, prodhuesve të baterive, automjeteve me hidrogjen dhe publikut të gjerë.

Që nga viti 2010, stoku global i automjeteve elektrike hibride plug-in (PHEV) dhe automjeteve elektrike me bateri (BEV) është rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe ka një prirje për reduktimin e shitjeve të automjeteve me gaz dhe ka një interes në rritje për zgjerimin e infrastrukturës së transportit elektrik.

Makinat elektrike ndryshojnë nga automjetet me lëndë djegëse fosile në atë që (1) energjia elektrike që ato konsumojnë mund të gjenerohet nga një gamë e gjerë burimesh, përfshirë karburantet fosile, energjinë bërthamore dhe burimet e rinovueshme si energjia diellore dhe energjia e erës, ose ndonjë kombinim i tyre. Energjia elektrike mund të ruhet në automjet duke përdorur bateri, volantë ose superkondensatorë, (2) frenimi rigjenerues, i cili rikuperon energjinë kinetike, të humbur zakonisht gjatë frenimit me fërkim si nxehtësi, pasi energjia elektrike kthehet në baterinë në bord dhe (3) këto makina kanë ndikime shumë pozitive në mjedis, në jetën ekonomike dhe shoqërore si dhe në menaxhimin shkencor të burimeve natyrore, (4) ato ndihmojnë në menaxhimin më të mire, me më shumë eficiencë dhe efektivitet të rrjetit të energjisë elektrike, (5) duke ndihmuar edhe në reduktimin e kërkesës për hidrokarbure, që janë bërë vitet e fundit edhe burim konfliktesh ndërkombëtare dhe një burim kryesore për emetimin e CO2, për të cilin e tërë bota, përfshirë Kinën, SHBA dhe BE, , janë angazhuar për reduktimin në zero deri në vitet 2050-2016.

Vetëm pak ditë më parë, publiku ndërkombëtar u njoh me kërkimet shkencore të një shkencëtari iranian për makinën që punon me ujë si dhe me arritjet e një kompanie japoneze për realizimin e një makine që funksionon me hidrogjen.

Nga ana tjetër, përballë arritjeve të kompanive kineze për realizimin e makinave elektrike, Bashkimi Evropian ka synuar një hetim apo investigim, që bazohet vetëm në disa supozime subjektive mbi të ashtuquajturat mënyra subvencionimi dhe kërcënime dëmtimi nga ana e Kinës, gjë që Kina e kundërshton eksplicitivisht.

Sipas palës kineze, “nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur këtë pretendim, i cili është në kundërshtim me rregullat përkatëse të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT).

I pyetur nga shtypi, shumë i interesuar për këtë çështje, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës tha: “BE-ja i ka kërkuar Kinës të kryente konsultime brenda një periudhe shumë të shkurtër kohore, por vetë BE nuk arriti të siguronte materiale për këto konsultime. Kjo gjë ishte pikërisht ajo që seriozisht dëmtoi të drejtat e Kinës në lidhje me këtë çështje”.


CFP

Masat hetimore të planifikuara nga BE-ja kanë si qëllim të mbrojnë industritë europiane në emër të “tregtisë së ndershme”, por këto metoda janë thjeshtë e vetëm forma të stërholluara proteksionizmi të pastër, që nëse vazhdon me këtë ritëm nuk do bëjë gjë tjetër veçse do prishë dhe dëmtojë zinxhirët globalë të furnizimit në tërësi dhe ata të industrisë të automjeteve, përfshirë edhe zinxhirët e furnizimit të vetë BE-së, duke sjellë ndikim negativ për marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare Kinë-BE dhe më gjerë.

Me këtë rast (sipas zëdhënësit), “Kina i kërkon BE-së të përdorë me maturi masat e rregullimit të tregtisë dhe të ruajë qëndrueshmërinë e zinxhirëve globalë industrialë dhe të furnizimit dhe partneritetin e gjithanshëm strategjik Kinë-BE. BE-ja duhet të inkurajojë bashkëpunimin në industrinë e energjisë së re të përfaqësuar nga automjetet elektrike dhe të krijojë një mjedis të drejtë, jodiskriminues dhe të parashikueshëm për zhvillimin e përbashkët të industrisë së automjeteve elektrike Kinë-BE. Kina do t’u kushtojë vëmendje të madhe procedurave hetimore të BE-së dhe do të mbrojë me vendosmëri të drejtat dhe interesat e ligjishme të kompanive kineze”.

Ishte në fakt vetë Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, që njoftoi së fundmi nisjen e një hetimi antisubvencion për automjetet elektrike kineze. Shumë specialistë në qarqet ekonomike dhe në industrinë evropiane të automjeteve besojnë se vendimi i BE-së është “proteksionist” dhe do të shkaktojë një luftë tarifore midis Evropës dhe Kinës, gjë që nuk është e favorshme për zhvillimin e industrisë evropiane të automjeteve, sepse industritë e automjeteve të Kinës dhe Evropës janë thellësisht të integruara dhe bashkëpunimi dypalësh në fushën e automjeteve elektrike është në rritje, aq më shumë që gjendja aktuale e bashkëpunimit është në një situatë me përfitime të ndërsjella.

Ola Källenius, CEO e Grupit “Mercedes-Benz” të Gjermanisë, me këtë rast deklaroi se: “Tregjet e hapura janë forca lëvizëse për rritje dhe krijimin e pasurisë. Le ta mbajmë tregun të hapur dhe t’i lëmë aktorët e tregut të përpiqen për të”.

Britanikja “Daily Telegraph” theksoi: “Vetëm humbësit ekonomikë i drejtohen proteksionizmit. Nuk është e këshillueshme që dikush të fshihet pas mureve të larta të proteksionizmit duke pasqyruar dobësitë e veta”.

Në fakt, Kina ka qenë gjithmonë hapur e bashkëpunuese dhe i mirëpret kompanitë evropiane të automjeteve që të zgjerojnë investimet e tyre në Kinë, duke përfshirë sektorin e automjeteve elektrike.

Ministria kineze e Tregtisë e nxit BE-në të zhvillojë dialog e konsultime me Kinën dhe të krijojë një mjedis të barabartë e jodiskriminues për zhvillimin e industrisë së automjeteve elektrike për Kinën dhe BE-në.

Edhe nëse ecim sipas idesë evropiane, kërkimet mbështetur me subvencion duhet të kryhen për këdo që bën eksperimente dhe hedh në treg makina që nuk funksionojnë me hidrokarbure, pavarësisht burimit të energjisë. Por nëse ka hetime për këtë, që në fakt është në kundërshtim edhe me vetë parimet dhe rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, atëhere duhet që hetimet të shtrihen edhe për eksperimentet dhe modelet tregtare të mjeteve lëvizëse australiane që funksionojnë me anë të energjisë diellore, mjeteve britanike që funksionojnë me anë të karburanteve bimore, mjeteve amerikane dhe evropiane që funksionojnë me bateri, pllaka hidrogjeni, mbushje heliumi, etj.


CFP

Pra, pyetja është, përse ky hetim vetëm për makinat elektrike kineze? Në cilin shtet të botës qeveria nuk mbështet kërkimin shkencor? Në cilin shtet të botës nuk bëhen kërkime me fonde publike për eficiencën energjetike dhe përmirësimin e funksionimit të rrjetit elektrik. Në cilin shtet të botës nuk ka inciativa të përbashkëta publike dhe private për eliminimin e ndotjes së mjedisit, tokës, ajrit, ujit nga mbetjet dhe emetimi i CO2 në atmosferë?

Aq më tepër që nuk ka asnjë fakt që makinat elektrike kineze janë produkt i subvencioneve me anë të financimeve publike, por vetëm financime të sektorit privat kinez, që tashmë është në zgjerim dhe i aftë të konkurrojë denjësisht në tregjet ndërkombëtare me produkte cilësore dhe në sasi të mjaftueshme për të përballuar kërkesën në rritje në tregjet transkontinentale për produkte të kësaj natyre.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.