Rama: Të lexohen mirë deklaratat e Macron, plani franko-gjerman mundësia më e mirë për Kosovën
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se plani franko-gjerman është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës tani
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se plani franko-gjerman është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës tani, ndërsa theksoi se Presidenti i Francës, Emmanuel Macron është investuar personalisht për këtë plan.
Në një intervistë televizive, Rama u pyet mbi deklaratën e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, gjatë vizitës së tij në Tiranë.
“Ai e preku çështjen e situatës në procesin e dialogut si gjithë të tjerët, por edhe më shumë se të tjerët, pasi është i lënduar me faktin se edhe pse është investuar personalisht për të vënë në tavolinë një plan që është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës në këtë fazë të historisë së saj, duke diskutuar më tha që: ‘unë nuk jam i gatshëm të hap rrugë, nëse ata në Prishtinë nuk do t’i hapin rrugë dakordësisë mbi planin franko-gjerman”, tha Rama.
Kryeministri këshilloi që deklaratat e Presidentit Macron të lexohen mirë nga Kosova pasi ai foli për disa javë në vijim që janë javë oportuniteti.
“Shqetësuese ishte që edhe figura publike dhe profile fallco në nxitje nga figura publike, u hodhën në një sulm ndaj tij dhe ndaj meje, a thua se e kam unë gjithë fuqinë t’i them Presidentit francez do bësh këtë apo atë”, tha Rama.
Rama tha se “nuk mund të merret peng gjithë bashkësia e aleatëve dhe miqve të Kosovës, komuniteti euroatlantik, për t’i bërë karshillëk një përpjekje të tyre shumë të vendosur dhe të sinqertë për të zgjidhur çështjen e Kosovës”.
Kryeministri theksoi se Kosova duhet ta bëjë unilaterisht pjesën e vetë dhe nuk duhet të pyes fare e bën apo jo Serbia.
“Fjala jam gati të firmos duhet shoqërur me akte. Serbinë duhet t’ja lërë në dorë atyre. Kjo është vetëdëmtuese për Kosovën, të thuash ‘unë jam gati, por nuk firmos, se ai nuk firmos’”, tha Rama.
Sipas Ramës, “plani franko-gjerman është ideal për Kosovën, në aspektin e pragmatizmit politik”.
“Koha është ideale që Kosova të çlirohet përfundimisht nga Serbia. Shqetësimi që duhet të ketë Kosova është që topin mos ta mbajë te zona e vetë duke luajtur në mbrojtje gjithë kohës dhe duke u përpjekur të fitojë nga marrëzitë e Serbisë, por ta heqë topin nga pjesa e vetë”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se flet në emër të interesit strategjik të Shqipërisë, por edhe të gjithë shqiptarëve. “Situata është absurde sepse oportuniteti është i artë, të mos e shohësh këtë është fatkeqësi. Ndaj jam pasionant kur flas për këtë se jam shumë i informuar mbi dinamikat dhe se si e shohin ndërkombëtarët këtë gjë, dhe pa ta nuk bën dot asnjë hap Kosova”, shtoi ai. (ATSH)