Duka: Në Euro 2024 shkojmë pasi të bëjmë edhe dy rezultate pozitive. Do tentojmë Botërorin në 2026-n!

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për televizionin “News24”


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë për televizionin “News24” ku ka folur gjatë për sukseset e fundit të Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Euro 2024 dhe ka analizuar punën e bërë nga stafi teknik kuqezi me në krye Sylvinho-n.

Presidenti Duka thekson se objektivi për të shkuar në finalet e Europianit ende nuk është arritur dhe se duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, për të përgatitur sa më mirë edhe dy finalet e fundit ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar ka komentuar edhe protagonistët kuqezi, duke vlerësur talentet shqiptare për ato paraqitje fantastike që kanë bërë përgjatë gjithë këtij edicionit të kualifikueseve të Europianit.

Më poshtë intervista e plotë e realizuar me gazetaren Trevisa Tufa:

– Z. Duka, posti i zëvendëspresidentit të UEFA-s të ka ndryshuar pak, tani je më papërmbajtshëm në dhomat e zhveshjes, të kemi parë në një version ultras, duke festuar pafund me lojtarët dhe stafin, kaq emocione të forta ke përjetuar këtë periudhë….

– E para, të jesh tifoz i Kombëtares shqiptare të jep shumë emocione, të bën të papërmbajtur, aq më shumë të jesh në detyrën e presidentit, e shton edhe më shumë kënaqësinë, apo emocionin që dhuron një ndeshje futbolli. Ajo që ka dhuruar ekipi Kombëtar ka qenë me të vërtetë fantastike, kundër kundërshtarëve shumë të fortë.

Po dëgjoja në media rekordet që kemi thyer pas 70 vjetësh, vetëm këto të dëgjosh aq i madh është gëzimi, aq më shumë kur e mendon se do të shkosh në një kompeticion kaq të madh sa “Euro2024”. Ka qenë legjitim gëzimi, jo vetëm për mua, por për të gjithë shqiptarët. Mendoj se ka qenë tema kryesore e diskutimit në të gjithë muajin tetor.

– Ju kemi parë në lot, duke përqafuar këdo, duket sikur po e përjetoni pak më shumë këtë kualifikim për në Evropian. Çfarë e bën ndryshe nga “Euro2016”?

– Nuk besoj se janë të krahasueshme, janë të dyja të bukura të dyja. Ka qenë shumë emocionuese edhe kualifikimi në Euro2016, pasi ka qenë për herë të parë në historinë e Shqipërisë, por në këto kualifikuese kemi qenë më shumë bindës. Kemi bërë rezultate fantastike, kemi humbur vetëm një ndeshje, ndeshjen e parë, mbase edhe atë nuk duhet ta humbnim, kemi barazuar një dhe kemi fituar të tjerat.

Paraqitja e ekipit ka qenë më të vërtetë shumë bindëse, gola shumë të bukur, spektakël, spektakël në shkallet e stadiumin, në një stadium edhe më të bukur se në 2016-n, pra çdo gjë është pak më e bukur, por nuk e zbeh kënaqësinë dhe emocionin që na ka dhuruar 2016-ta. Tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm që ta shijojmë, por që ta shijojmë duhet të marrim edhe një pikë, por për ta marrë atë pikë nuk është e lehtë. Festa për skuadrën besoj se ka përfunduar, jam i bindur që skuadra e kupton që nuk ka vend për festë, festa është pasi ta marrim atë pikë, pra duhet të kthemi me këmbë në tokë.

Nuk shkojmë me matematikë as në Moldavi e as kundër Ishujve Faroe, por duhet të shkojmë për t’i fituar të dy ndeshjet, për të qenë në një pozicionim më të mirë, për të qenë të parët e grupit, për të qenë në një pozicion më të mirë në short dhe pse jo në renditjen e FIFA-s

– Kaq shumë është ndezur ambienti këtë herë, sa në miqësore erdhën jo vetëm 16 mijë tifozë, por dhe kryeministri Rama. Çfarë mendon ai për këtë Kombëtare, kur do të marri në Podkastin e tij, se Sylvinho-n e mori?

– Më vjen mirë dhe kështu duhet të jetë. Ekipi Kombëtar duhet mbështet në çdo ndeshje, nuk ka rëndësi se kundër kujt dhe për çfarë kompeticioni luan. Kur vesh fanellën kuqezi është një gjë e rëndësishme, është një eveniment për futbollistët, që duhet ta vlerësojnë maksimalisht, por dhe për tifozët, duhet të jenë gjithnjë aty për të mbështetur apo mobilizuar futbollistët.

Këtë kanë bërë tifozët ndaj Bullgarisë, këtë ka bërë edhe Kryeministri dhe ka bërë shumë mirë që ka qenë, por duhet ta vazhdojmë këtë lloj kulture. Nëse do të shohim një ndeshje të Anglisë në ‘Uembli’ edhe kundër San Marinos stadiumi mbushet plotë. Të njëjtën gjë duhet të bëjmë dhe ne, aq më shumë që kjo skuadër vërtetë meriton më shumë vëmendje, më shumë mbështetje nga të gjithë faktorët në vend.

– Po e përjetojnë shumë këtë sukses të Kombëtares edhe në Kosovë. Albin Kurti bëri tifo pafund në ndeshjen ndaj Çekisë, çfarë raporti keni me kryeministrin e Kosovës, nuk mërzitet që po i merr shumë lojtarë?

– Çdo shqiptar që ndihet shqiptar gëzohet. Çdo qytetar i Kosovës, pasi më shumë se 90% e tyre janë me kombësi shqiptare, e ndjejnë shumë, mbase e ndjejnë më shumë se sa ne, pasi i ka munguar ajo ndjenja e nacionalizmit, i kanë munguar ngjarje për t’u bërë krenar, ku ka ngjarje të tillë, jo vetëm ato të Kosovës, pasi nuk ka qenë vetëm Kurti, por edhe Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, që po ashtu është shqiptar, edhe ai i Malit të Zi, pra ndihen krenar për flamurin e tyre. Kjo bën që të mos ketë hatërmbetje, por vetëm të festojmë të gjithë së bashku për rezultatet që dhurojnë futbollistët në fushën e lojës.

 

– President, kjo Kombëtare po bën atë që nuk po bën dot politika, keni bërë bashkë Shqipërinë e madhe në fushë dhe në tribuna, por nuk arritët të bënit dot bashkë Ramën dhe Kurtin, ishin të ndarë në tribunë. Kaq e vështirë është i bësh bashkë në këto momente?

– Ne realisht dhe më shumë ekipi Kombëtar, i ka bërë bashkë. Ne kemi bërë bashkë lojtarët që vijnë nga të gjithë trojet shqiptare, ne i kemi bërë bashkë për sa kohë i kemi sjellë në stadium, për më tej ato duhet t’i shohin vet punët e tyre.

 

– A tentuat të flisnit më stafet e dy Kryeministrave për t’u ulur pranë? Do ishte më i plotë ky bashkim, se sa duke bërë tifo në kate të ndryshme.

– Të dy janë lajmëruar nga protokolli i shtetit shqiptar për të ardhur në stadium. Në kohën kur janë lajmëruar janë akomoduar në vendet më të mira të mundshme që ishin në dispozicion përkëtë ndeshje. Besoj se kanë qenë akomoduar shumë mirë, mbase miqtë nga Kosova dhe Maqedonia kanë qenë edhe në kushtet më të mira se sa Rama, sepse kanë qenë në kushtet komode të ofruara nga Federata e Futbollit.

– Pasi morët mbi 300 mijë kërkesa për biletë për sfidën me Republikën Çeke, a jeni bërë pishman që nuk ndërtuat një stadium më të madh në kryeqytet? A keni një plan B, mbase që mund ta diskutoni edhe me Ramën?

– Në fakt jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që kemi atë stadium, që prezantohemi shumë mirë. Padyshim që kemi kushte shumë të mira për çdo njeri që hyn brenda, por edhe jashtë ambienteve sportive të stadiumit. Padyshim që në ndeshje të tilla nuk do të ishte i mjaftueshëm as dyfishi i atij kapaciteti apo më shumë se sa dyfishi, por duke pasur parasysh zhvillimet apo mundësitë, mendoj që kemi mjaftueshëm stadiumin “Air Albania”. Unë uroj që kjo skuadër të shkojë akoma më lart me rezultat edhe më të mira dhe pse jo në të ardhmen të bëjmë një stadium edhe më të madh, sepse tifozët afrohen më shumë kur ka rezultate më të mira, por në asnjë mënyrë nuk jam penduar, jam shumë i gëzuar për stadiumin që kemi.

– E prisje realisht që mund të bëje një “bingo” të tillë me Sylvinho-n? A keni diskutuar këtë periudhë për t’i rinovuar kontratën? Vetëm mos më thuaj që pasi të sigurojmë matematikisht kualifikimin, ju jeni biznesmen, e di shumë mirë që tregu lëviz shpejt…

– Kur kemi vendosur për të pasur Sylvinhon, edhe trajneri e di qenë ne kemi kontaktuar edhe disa trajnerë të tjerë, madje të gjithë emrat janë diskutuar mediatikisht. Kemi vendosur në atë kohë për Sylvinho-n, por asnjëherë nuk mund të jesh i sigurt, sepse janë shumë gjëra që vendosin apo që sjellin rezultatin, nuk mjafton vetëm trajneri, nuk mjafton vetëm stafi, nuk mjaftojnë as lojtarët e kështu me radhë, pa organizim nuk bëhet. Jam shumë i gëzuar, pasi mund të themi që është një “bast i fituar”, të paktën deri tani që gjërat kanë shkuar mirë, por nuk janë thjeshtë bast i fituar, nuk janë thjeshtë rezultate që kanë ardhur rastësisht. Padyshim, që kemi një skuadër të mirë, kemi djem me talent e punëtorë, që janë shumë të lidhur me fanellën, që e duan fanellën, që japin gjithçka për të dhe kjo është shumë më e rëndësishmja.

Por edhe drejtimi dhe organizmi i punës nga Sylvinho dhe nga stafi i tij ka qenë shumë i mirë. Përkushtimi i tyre ka qenë si kurrë më parë në stafet, jo vetëm të ekipeve kombëtare, por edhe të ekipeve të klubeve që kemi ne në Shqipëri. Stafi është vërtetë shumë i impenjuar dhe përgatit gjërat deri në detaje për të qenë sa më mirë në fushën e lojës. Përgatitja e të gjithë këtyre gjërave, detajeve, harmonizimi, padyshim edhe skema taktike dhe talenti i futbollistëve kanë sjellë këto rezultate pozitive, por e thashë nuk jemi ende në Evropian. Në Evropian do të shkojmë pasi të bëjmë dy rezultate pozitive, ne duhet t’i luajmë këto dy ndeshje me shumë seriozitet, futbollistët duhet të jenë shumë të përqendruar ne radhë të parë Moldavi e më pas kundër Ishujve Faroe.

– Jeni bërë pishman që nuk i ofruat Sylvinho-s ndonjë test miqësor më shumë? Mos humbëm më shumë kohë se sa duhej me Edy Rejan?

– Ne kemi respektuar kontratën me Edy Reja-n deri në ndeshjen e fundit dhe më pas firmosëm me një trajner tjetër. Padyshim që nëse do të kishte ndeshje miqësore në dispozicion do të ishte akoma më mirë, por kështu është tashmë kalendari i ekipeve kombëtare, shumë i ngjeshur dhe është shumë e vështirë të gjesh ndeshje miqësore. Dhe ndeshja miqësore që kishim me Bullgarinë apo datat që kemi në mars për të organizuar ndeshje miqësore janë data në të cilat ne në kalendar nuk kemi ndeshje zyrtare. Megjithatë kjo nuk na ka cenuar, nuk na ka prekur në rezultate, pasi kemi bërë rezultate shumë të mira, madje që në ndeshjen e parë me Poloninë që mbase nuk e meritonim ta humbnim.

– Cili është detaji, apo lojtari, më thuaj diçka që të ka bërë më shumë përshtypje këtë kualifikuese?

– Në fakt, unë nuk e kam zakon të flas me emra të përveçëm, por nuk mund rri pa e thënë që vërtetë janë dy prurje të reja që kanë bërë diferencën në këtë edicion. Asani me golat fantastik që ka shënuar në ndeshjet kualifikuese, njëri më i bukur se tjetri, dhe mbrojtësi i majtë Mitaj, që është një djalë i ri me talent, që nuk ka qenë më parë pjesë e ekipit të parë, por ka ardhur nga moshat dhe ka luajtur me të gjithë ekipet zinxhir.

Mbase këto të dy janë të veçantat, sepse i gjithë ekipi është i mirë, të gjithë futbollistët janë shumë të mirë, por janë të njohur për ne, janë të njohur për publikun. Këto dy ishin prurjet e reja që mbase i dhanë më shumë kuptim kësaj skuadre dhe i dhanë një shtysë pozitive përpara ekipit.

– President, kur sheh golat që shënon Shqipëria sot, na kthen pas në kohë me Sylvinho-n që luante në kohën e tij. Nuk kemi parë kurrë një Shqipëri të tillë, cili është goli që ju ka shijuar më shumë në këto kualifikuese?

– Goli i Seferit, që mezi kaloi vijën fatale. Goli është gjithnjë i bukur, të jep tre pikë (qesh).

– President, të gjithë kemi qejf të vendosim nota, të komentojmë mbi kombëtaren, mbi lojtarët, por unë do të doja një koment shumë të shkurtër për disa nga lojtarët e Kombëtares, mundësisht me nga një fjali. E nisim nga kapiteni i ri, Gjimshiti?

– E para është një djalë fantastik, përveçse është simpatik, por është shumë djalë i mirë, shumë i edukuar dhe një futbollist i nivelit të lartë, i nivelit botëror. Një figurë e kompletuar 100%, nuk e di nëse ka më shumë se nota 10 dhe nuk e di ku e keni kufirin.

– Hysaj, nuk duket shumë i shqetësuar që iu hoq shiriti i kapitenit…

– Unë do të vazhdoj t’u vë të njëjtat nota të gjithëve. Hysaj është një futbollist i cili akoma nuk ka mbushur 30 vjeç, por ka shumë ndeshje në ekipin Kombëtar, ka rreth 80 ndeshje deri tani. Ka kontribute shumë të mëdha, ka luajtur që 16 apo 17 vjeç me ekipin e parë, kapiten i ekipit, lojtar shumë i mirë, luan në nivele të larta te Lazio. E keqja e Hysajt në fakt në marrëdhënie me ekipin Kombëtar është se ai do të bëjë shumë më shumë se sa bën te Lazio, shpeshherë kur kërkon të bësh më shumë mbase nuk bën më të mirën, por ama dëshira është e madhe.

– Jasir Asani, pse kaq vonë në Kombëtare?

– Zgjedhje teknike dhe zgjedhje skematike. E kemi diskutuar edhe me stafin e Drejtorisë Teknike në FSHF. Mbase me skemën që luante Edy Reja 3-5-2, Jasir Asani përsëri do ta kishte të vështirë të kishte një vend në ekipin kombëtar. Me skemën që luajmë tani dhe që mua më duket skema më e përshtatshme për futbollin që ne kemi luajtur në përgjithësi, e gjen më lehtë vendin në Kombëtare.

Sylvinho, duke pasur parasysh skemën që ai kishte dëshirë të aplikonte, ka qenë në kërkim të një lojtari të tillë, që është mëngjarash, por që luan në krahun e djathtë e që bën inkursione në qendër e për të shënuar ato gola që ka shënuar. Pra, përveç kualitetit të tij, që luan shumë mirë, është edhe skema që në këtë rast e ka favorizuar dhe e ka afruar në Kombëtare. Është bërë shumë mirë që është afruar, të gjithë jemi të kënaqur me atë që ka dhënë.

– Një koment për dyshen Asllani-Bajrani?

– Goli që Bajrami ka shënuar në Çeki ka qenë fantastik. Edhe ai është një djalë fantastik, i disponueshëm në çdo lloj pozicioni në fushë. Nëse në përgjithësi futbollistët kanë ato tekat e veta në lidhje me pozicionin, Bajrami nuk ka asnjë lloj pretendimi.       Ku të ketë nevoja skuadra ai thotë jam i gatshëm, edhe portier thotë jam i gatshëm, kjo e bën që të jetë më i lirshëm që të jap akoma më shumë. Mendoj që është një nga kualitetet më të mira që kemi në skuadër.

Asllani? Nuk është se një ekip i niveleve të larta si Inter nuk mund të marrë një futbollist që nuk ka kualitete. Ka qenë lider në ekipin Kombëtar U-21 të Shqipërisë dhe ka qenë vërtetë vendimtar në këto ndeshje, sidomos në ndeshjen e fundit ka qenë fantastik.

– Dua të ndalem pak te Armando Broja. Nuk dua të bëj lajm me këtë pyetje, por ka shumë interes nga tifozët. A ka një çështje Broja? Lojtari grumbullohet nga Kombëtarja shqiptare, trajneri Sylvinho del në konferencë dhe thotë që nuk mund të luajë, sepse është i dëmtuar. Rikthehet në Londër Te Chelsea, del menjëherë në stërvitje, nuk qëndroi as për të parë ndeshjen, ndryshe nga Ismajli. Si qëndron e vërteta?

– Unë besoj se të vërtetën e ka sqaruar vetë trajneri. Ne nuk mbajmë asnjë herë të fshehta, e kemi për detyrë të themi të vërtetën. Unë nuk jam mjek të them se sa ka qenë shkalla e dëmtimit të Brojës dhe pse është i gatshëm për Chelsea-n, por futbollisti ka ardhur në ekip kombëtar për të luajtur në dy ndeshjet e radhës. Pasi ka qenë në stërvitje ka ndjerë dhimbje në gjurin e majtë dhe i ka thënë trajnerit që jam i pamundur për të ndihmuar ekipin me gjithë dëshirën e madhe që ka për këtë ndeshje.

Pastaj Chelsea duke qenë i shqetësuar që futbollisti vjen nga një dëmtim i gjatë faktikisht dhe duke qenë një futbollist i rëndësishëm për klubin, ka kërkuar që futbollisti të kthehet urgjent të kurohet në Londër. Për sa kohë nuk ishte i gatshëm për të luajtur, dhe përderisa Chelsea dhe vetë futbollisti mendonte se ishte më mirë për të, ne nuk kishim pse ta pengonim dhe Sylvinho i ka dhënë dritë jehsile që të vazhdojë rikuperimin e të jetë i gatshëm për të ardhmen. Qoftë në klub, qoftë edhe në Kombëtare. Nuk është se ka një çështje mes Brojës dhe Sylvinhos dhe lojtari nuk është nga ata që krijon çështje. Është një djalë i ultë që flet pak me gojë, por shumë me këmbë.

-Unë e di që ju, stafi i FSHF-së keni nisur të mendoni për Gjermaninë. Pas Euro 2016 humbëm dy super talente si Rrahmani dhe Rashica, të cilët sot janë pjesë e Kosovës. A rrezikojmë të njëjtin skenar edhe këtë herë në Euro 2024? Kemi shumë yje, por jo të gjithë mund të jenë besnik si Gjimshiti…

– Kjo është fatura e trajnerit, ky është risku i trajnerit le të themi. Kur ke shumë futbollistë të mirë, kjo ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne kemi më shumë se 23 futbollistë që meritojnë të jenë pjesë e finaleve të Evropianit, por rregullat janë të tilla, që nuk mund të kesh më shumë se 23 futbollistë dhe ta që regjistron ditën e parë do t’i mbash deri në fund të kompeticionit. Trajneri dhe stafi do ta marrin këtë kosto dhe do të zgjedhin 23.

E përsëris, aty janë më shumë se 23, uroj që të gjithë të jenë të shëndetshëm deri ditën e parë të Evropianit, por vetëm 23 do të jenë pjesë. Edha ato që nuk do të jenë duhet ta mirëkuptojnë vendimin e trajnerit dhe ata që do të jenë pastaj, jo të 23 do të jenë në fushë, por 11 do ta nisin nga fillimi dhe të tjerët do të ndërrohen. Kështu që këto janë rregullat e lojës, këto janë kostot që ka futbolli dhe sa më mirë të jesh, aq më shumë kosto të tilla ke. Në fakt ka qenë e vështirë edhe në Euro 2016. Unë kam qenë dëshmitar kur katër nga lojtarët nuk u përzgjodhën nga stafi për të qenë pjesë e Europianit. Padyshi që të gjithë janë mërzitur shumë, u mërzitëm edhe ne, jemi ndarë të përlotur me futbollistët, sepse nuk është e lehtë që të largosh katër lojtarë, kushdo që të ishin ato.

-A mund të jemi një Marok i vogël në Gjermani? Nuk po them të imitojnë Greqinë, se ata nuk dinin të shënonin gola kaq të bukur…

– Ne do të jemi një Shqipëri e madhe në Gjermani, jo një Marok i vogël.

– Flitet për një premio prej 4.5 mln euro që FSHF do të japë për lojtarët dhe stafin. A është e vërtetë? Po Kryeministri Rama a ju premtuar diçka? Sepse një herë i morën lojtarët pasaportat diplomatike…

– Ne që në fillim të edicionit, dhe jo vetëm në këtë rast, por në çdo edicion ne përcaktojmë premio për çdo rezultat, fitore, barazim apo kualifikim. Dhe brenda këtij vendimi të marrë që në fillim të këtij edicioni nga Komiteti Ekzekutiv do të jetë edhe për Evropianin, edhe për stafin gjithashtu është i kontraktuar niveli i premiove, kështu që nuk e di se sa janë shifrat fiks, por mund të jenë rrotull aty. Edhe qeveria besoj se padyshim që do të kontribuojë në këtë shumë. Ka pasur një kontribut edhe në fund të vitit të kaluar për kontratën e trajnerit, besoj do të ketë një kontribut përsëri nga qeveria për premion e stafit të ekipit kombëtar të paktën, nëse do t’i ndajmë qeveria për stafin dhe ne për futbollistët.

– Tani me stofin e zëvendëspresidentit të UEFA-s, a keni një objektiv të ri, një ëndërr tuajën? Sepse Evropiani është bërë tashmë një detyrim. Cila është ëndrra juaj më e madhe Dukës?

– Ëndërr ka qenë edhe kualifikimi në Evropian, shpesh është komentuar si një ëndërrë e parealizueshme. E kemi realizuar dhe kemi luajtur një herë në vitin 2016 dhe pretendojmë edhe një herë tjetër në 2024-n, por niveli më i lartë i rezultati sportiv është Botërori dhe pse jo, ne do ta tentojmë për 2026-n. Por që ta tentojmë duhet të shohim një herë edhe shortin, sepse varet edhe nga kundërshtarët. Megjithatë, ky është një ekip me kualitet të mirë, me një mentalitet të duhur, me dëhsirë maksimale dhe mund të arrijë që të jetë pjesë edhe i një Botërori. Pra, objektivi më i lartë për ekipin Kombëtar mbetet kualifikimi për Botëror. Objektivi më i afërt është që të kualifikohemi tani në Euro 2024.

– Një pyetje e fundit që ka të bëjë me skemën e re të kampionatit kombëtar Abissnet Superiore. A do ta rishikoni skemën, sepse duket sikur nuk po e jep atë efektin e duhur? Të paktën aktorët kryesorë që janë në fushë duket sikur nuk janë shumë dakord…

– Ne duhet ta shohim deri në fund, pastaj të nxjerrim konkluzionet. Ne kemi kohë që luajmë me një skemë me 10 skuadra, me katër faza vajtje-ardhje. Nuk është se kemi vendosur në një ditë që të bëjmë një mbyllje të kampionatit me një “Final 4” për të patur një spektakël final të katër skuadrave më të mira dhe për të fituar titullin. Kur kjo skemë vendoset që nga fillimi nuk ka pse paragjykohet, sepse të gjithë e dinë se për çfarë po luajnë. Kemi eksperienca të tilla me “Final 4” dhe që kanë rezultuar pozitive. Dhe ne kemi bindjen që edhe kjo do të jetë pozitive.

Pastaj, nëse do të kërkosh gjilpërën në kashtë, e gjen gjithkund. Çdo skemë ka të mirat dhe të këqijat e veta. Ne mendojmë se kjo skemë ka më shumë të mira se sa të këqija. Do të ketë shumë më shumë emocione në fund, në ndeshjet e “Final 4” dhe nuk i heq asnjë gjë kampionatit. Nuk besoj se kishte ndonjë gjë për të kritikuar në kuptimin sportiv ndeshja derbi mbrëmë në “Air Albania”. Pra, vazhdon të bëhet një kampionat i mirë, nuk mund të ketë tolerime sepse del jashtë katërshes, por edhe brenda katërshes ka stimuj të tjerë që nuk të lejojnë të bësh tolerime. Kështu që unë mendoj se është një skemë e mirë, e diskutuar padyshim, çdo gjë e re diskutohet, por pasi i shijon, atëherë edhe mund të bëjnë edhe autokritika, siç kanë bërë shumë njerëz autokritika për emërimin e Sylvinho-s në krye të Kombëtares shqiptare.

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…