Naim Shqipëria!
Këndo ëngjëll urtësinë/ edhe të gjithë mirësitë…
Nga Dr. Dorian Koçi
Naim Shqipëria!
Këndo ëngjëll urtësinë
edhe të gjithë mirësitë…
Sa herë i rikthehemi rrënjëve të kulturës kombëtare e kemi të pamundur mos të rikthehemi te Naim Frashëri dhe vepra e tij. Në harkun kohor prej 30 vitesh ai krijoi nga një traditë e pakët dhe pa kohezion , një trashëgimi të pasur që u kthye në arën pjellore ku u mbollën pothuajse të gjithë fidanet e ripërtëritjes sonë kombëtare dhe kulturore.
Naim Frashëri, në 1898, në prag të vdekjes së tij boton “Istori e Skënderbeut”, një lloj testamenti politik me të cilin poeti kombëtar i shqiptarëve dëshironte t’u jepte kumte të reja bashkatdhetarëve të vet. Në poemë mungojnë referencat fetare, por ka një idealizim të fortë të gjendjes së Shqipërisë të para pushtimit osman.
Aty nuk përmendet asnjë institucion fetar, por ka një “pamje idilike”, ku si karakteristika të kohës jepen paqa, kama, nderi, shpresa, drejtësia, dashuria, miqësia dhe besa-besa.
Nuk është e vështirë të kuptohet se duke mos përmendur asnjë fe konkretisht, por duke dhënë në të njëjtën kohë pothuajse të gjitha karakteristikat e besimeve monoteiste, Naimi Frashëri dëshiron të “krijojë” një besim të përbashkët të gjithë shqiptarëve, të cilin ai e gjen të konkretizuar në epokën e Skënderbeut. Kjo “fe” e re që Naimi kërkon të krijojë nuk është gjë tjetër veçse bashkimi kombëtar i shqiptarëve dhe atdhedashuria.