BSH: Investimet e Huaja Direkte, u rritën në 12.38 miliardë euro në gjysmën e parë të vitit
Në 6-mujorin e parë 2023, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i Investimeve të Huaja Direkte në vend në mesin e këtij viti arriti në 12.38 miliardë euro.
Stoku i Investimeve të Huaja Direkte është rritur me 11.9 %, ose rreth 1.3 miliardë euro që nga fillimi i vitit. Rritja e stokut të investimeve direkte gjatë periudhës është ndjeshme më e lartë krahasuar me flukset e reja të këtyre investimeve.
Në 6-mujorin e parë 2023, vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte arriti në 686 milionë euro. Flukset e reja të investimeve të huaja direkte janë afërsisht sa gjysma e rritjes së stokut për të njëjtën periudhë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ndryshimet në stok nuk kanë ardhur domosdoshmërisht vetëm nga flukset, por në ecurinë e stokut duhen llogaritur edhe ndryshimet nga kursi i këmbimit, ndryshimet nga çmimi dhe ndryshimet e tjera.
Në vitet e fundit, leku ka ndjekur një tendencë mbiçmuese në kursin e këmbimit me valutat e huaja, kryesisht me euron. Por, këtë vit, mbiçmimi i lekut është shpejtuar ndjeshëm.
Aktualisht, kursi i këmbimit euro-lek paraqitet në rënie vjetore me afërsisht 10 %, ndërsa në momentin më të ulët, në muajin korrik të këtij viti, rënia e kursit arriti në 14 %.
Kursi i këmbimit në fakt ndikon jo vetëm stokun, por edhe flukset e reja të investimeve të huaja direkte.
Ndërkohë që investimet e reja të huaja në përgjithësi vijnë në valutë, fitimet e riinvestuara të kompanive të huaja janë shifra të raportuara në Lekë, që konvertohen në euro, që është edhe monedha në të cilin raportohet për qëllime statistikash Bilanci i Pagesave.
Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 376 milionë euro, pothuajse 12 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Fitimet e riinvestuara përbënin 55 % të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin e parë 2023.
Këto të dhëna tregojnë se vlerat rekord të investimeve të huaja direkte në dy vitet e fundit mund të shpjegohen pjesërisht edhe me forcimin e lekut në kursin e këmbimit.