Ashpërsim i dënimeve për veprat penale në mjediset e institucioneve arsimore
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i ka dërguar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja një shkresë me propozime për ndryshime në Kodin Penal në kuadrin e Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i ka dërguar ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja një shkresë me propozime për ndryshime në Kodin Penal në kuadrin e Paketës së Sigurisë në Shkolla.
Në shkresë Balla shkruan se, “në kuadër të planit të masave parandaluese dhe ndëshkuese të Paketës së Sigurisë në Shkolla, propozojmë ashpërsimin e dënimeve të parashikuara në Kodin Penal për veprat penale që kryhen në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, sipas projektligjit dhe relacionit shoqërues që dërgohet bashkëlidhur”.
“Në mënyrë të veçantë, propozohet që kryerja e një vepre penale në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij të parashikohet si rrethanë rënduese, nëse në dëm të një të mituri, dhe, në çdo rast, si rrethanë cilësuese e figurës së veprave penale të mëposhtme:
Dhuna seksuale (neni 107/a);
Pornografia (neni 117),
Trafikimi i të miturve (neni 128/6),
Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit (neni 278);
Prodhimi, mbajtja blerja upo shitja pa leje e armëve të ftohta (neni 279);
Prodhimi dhe shitja e narkotikeve (neni 283);
Përshtatja e lokalit për përdorim droge (neni 285/a);
Hedhja ose braktisja e shiringave (neni 285/b);
Nxitja për përdorimin e drogës (neni 286),
Drejtimi i automjeteve ne menyrë të parregullt (neni 291)”, thekson Balla në shkresë.
“Jam i bindur se këto ndryshime në Kodin Penal do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë, parandalimin e kriminalitetit dhe shmangien e rrezikut për jetën dhe shëndetin e fëmijëve dhe të rinjve tanë në të gjitha ato mjedise brenda dhe përreth shkollave të frekuentuara prej tyre”, shprehet Balla.
Balla gjithashtu ka depozituar në Kuvend projektligjin “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.1.1995, “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.
Në këtë pr/ligj parashikohet që në nenin 50 “Rrethanat rënduese”, shtohet paragrafi “ë” me këtë përmbajtje:
ë) kryerja e një vepre penale në dëm të një të mituri në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij.
Në nenin 107/a “Dhuna Seksuale”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset ose në perimetrin e sigurisë së institucionit arsimor të frekuentuar nga i dëmtuari dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Në nenin 117 “Pornografia”:
Pas paragrafit të parë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në pesë vjet”.
Pas paragrafit të tretë, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Rekrutimi, përdorimi, shtrëngimi ose bindja e një të mituri për të marrë pjesë në shfaqje pornografike, kur kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.
Në nenin 128/b “Trafikimi i të miturve”, shtohet paragrafi si vijon:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënimi me burgim shtohet me ¼ e dënimit të dhënë”.
Në nenin 278 “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe I municionit”, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Në nenin 279 “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” pas paragrafit të dytë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Mbajtja e armëve të ftohta si shpatat, bajonetat, thikat dhe mjete të tjera të përgatitura e të destinuara posaçërisht për sulm kundër personave ose për vetëmbrojtje, pa lejen e organeve kompetente, në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga tre deri në gjashtë vjet”.
Në nenin 283 “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga shtatë deri në pesëmbëdhjetë vjet”.
Në nenin 285/a “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet”.
Në nenin 285/b “Hedhja ose braktisja e shiringave”, shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.
Në nenin 286 “Nxitja për përdorimin e drogës”, paragrafi i dytë zëvendësohet nga paragrafi më këtë përmbajtje:
“Kur nxitja apo injektimi i detyruar bëhet ndaj fëmijëve apo në mjediset e një institucioni arsimor ose në perimetrin e sigurisë së tij, në institucione penale, sportive apo të çdo veprimtarie tjetër shoqërore dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet.
Në nenin 291 “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, pas paragrafit të parë shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:
“Kur kjo vepër kryhet në perimetrin e sigurisë së një institucioni arsimor, dënohet me burgim nga një vit deri në tre vjet”.
Në relacionin shpjegues thuhet se, Ministria e Brendshme, duke filluar nga muaji shtator i këtij viti, ka ndërmarrë një paketë të re masash për rritjen e sigurisë së të rinjve në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar.
Në kuadër të kësaj pakete, Ministria e Brendshme propozon një qasje të re penale në raport me veprat që vënë në rrezik apo cënojnë jetën dhe shëndetin e fëmijëve brenda shkollave dhe në perimetrin e sigurisë rreth tyre, tëquajtur nëprojektligjin e propozuar “Perimetëri Sigurisë” në shkolla.
Ndryshimet ligjore të propozuara parashikojnë ashpërsimin e dënimit për veprat penale që kryhen në mjediset e institucioneve arsimore ose në Perimetrine Sigurisë së tyre, përvepra penale veçanërisht të rrezikshme për të rinjtë.
Kryerja e veprave penale në mjediset e institucioneve arsimore ose në Perimetrin e Sigurisë së tyre parashikohet si rrethanë rënduese edhe për të gjitha veprat e tjera penale të kryera në këto mjedise, nëse personat e dëmtuar janë të mitur.
Qëllimi i propozimit të këtij projektligji është garantimi i sigurisë, jetës dhe shëndetit të fëmijëve, dhe parandalimi i kriminalitetit në të gjitha ato hapësira fizike brenda dhe përreth shkollave, ku fëmijët qëndrojnë, ndërveprojnë dhe kalojnë pjesë të kohës së tyre para apo pas orarit të mësimit.
Marrë nga ATSH