Na u thaftë goja, kur…
Na u thaftë goja, kur e teprojmë me mosbesimin tonë, madje deri dhe me mallkime të rënda
Nga Zija Çela
NA U THAFTË GOJA, KUR…
Na u thaftë goja, kur e teprojmë me mosbesimin tonë, madje deri dhe me mallkime të rënda, duke e futur gjithë rininë e sotme në një thes… Flasim keq, ndërkohë që nuk përpiqemi t’i njohim më afër të rinjtë e të rejat. Nga afër i kam njohur në disa shkolla të mesme e auditore universitetesh. Dhe më kanë bindur se një ditë, duke marrë përsipër përgjegjësitë që i përkasin, kjo rini do ta bëjë popullin tonë me qytetërim bashkëkohor më të përparuar. Prandaj të mos ia kemi as zili, le ta këndojë, le ta këndojë me mbështetje familjare, shtetërore e sociale atë këngën e papërsëritshme të moshës së saj, “kangën ma të bukur që di”.
Në takimin e fundit letrar në TES, frymëzuar nga proza poetike “Malli” (libri “Thika pa gjak”), gjimnazistja Reina Hoxha më dhuroi këtë tablo. E tash më kujtohet edhe takimi në shkollën e mesme “Ernest Koliqi”, ku gjimnazistja Iris Mesi kishte punuar portretin e shkrimtarit. E madhe mbetet mirënjohja, pa shih, e paharrueshme.
Për atë Zot, edhe sikur të
na doni më pak, ne e kemi për borxh me ju dashtë më shumë.
MALLI
Një hënë bardhoshe, thua se e thinjur nga padurimi, shihet nga mali i Dajtit.
Në të kundërtën, andej nga është deti, një diell rrethor gjithë përskuqje.
Duket sikur hëna e ka shpejtuar lindjen dhe dielli e ka vonuar perëndimin, vetëm e vetëm që të ndodhen ballë për ballë. A thua edhe trupat qiellorë, prej forcës së mallit kozmik, atij mallit përvëlues për ta parë domosdo njëri-tjetrin, e thyejnë nganjëherë rregullin e patundshëm të trajektoreve?
E më thuaj pra, më thuaj o Zot, si durojnë njerëzit që duhen, ata që duke qenë larg e larg, nuk shihen dot?!..