“Të prekësh të padukshmen”, Bujar Luca “shenjtori” antikonformist i artit

Piktori Bujar Luca vjen për herë të parë në COD me 71 vepra retrospektivë, pas 33 vitesh jetesë në Francë.


Nga Dash Frashëri

“Të prekësh të padukshmen  – Retrospektivë”

Piktori i mirënjohur Bujar Luca vjen me 71 vepra të përzgjedhura gjatë 45 viteve të krijimtarisë së tij nga 1978 – në një ekspozitë mbresëlënëse të hapur te Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në selinë e Kryeministrisë, kuruar me përkushtim nga Ena Bulku.

Luca, sot 69-vjeçar, dikur i refuzuar sistematikisht për vite me radhë nga komisionet e ekspozitave gjatë regjimit totalitar,  vjen për herë të parë në këtë hapësirë artdashëse të COD, pas 33 vitesh jetesë në Francë.

Piktor kostumesh dhe filmi në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke marrë pjesë në më shumë se 20 filma artistikë gjatë 13 viteve, deri në 1990, sjell  71 vepra arti: kompozime abastrakte, peizazhe impresioniste, vizatime të kohës së Instititutit të Lartë të Arteve, grafika të stilizara, të përzgjedhura, si një retrospektivë e krijimtarisë së tij pasur artistike.

Poet në shpirt, mjeshtër i metaforave, gjithmonë në kërkim të lirisë shpirtërore dhe krijuese për të shpëtuar nga kthetrat e regjimit totalitar, Luca botoi  në Paris, në përmbledhjen me titull “Oniromancie”.

Në vitin 1986 bëhet e mundur ekspozita e tij e parë vetjake, jo me piktura por me vizatimet e kostumeve të filmave. Në vitin 1989, hap ekspozitën e dytë vetjake me pikturat e tij. Në vitin 1990, Bujar Luca, i ftuar për të hapur një ekspozitë në Francë, zgjedh të jetojë në Paris.  Në shtator të këtij viti, revista “Connaissance des Arts”, duke folur për herë të parë mbi artin në Shqipëri, e publikon në një dyfaqësh të fotografuar mes pikturave në atelierin e tij në Tiranë.

Në vitin 1991, hapet në Paris ekspozita e parë vetjake. Në vitet 1990-2023, ekspozitat do të pasojnë njëra-tjetrën dhe do të jenë të shumta.

Në vitin 2015, Bujar Luca do të rikthehej për herë të parë në Galerinë Kombëtare të Arteve me një ekspozitë vetjake. me kurator piktorin e mirënjohur Artan Shabani, me pjesëmarrjen e Kryeminstrit Edi Rama.

“Të prekësh të padukshmen  – Retrospektivë” është ekspozita e tij e dytë në Shqipëri, gjatë këtyre 33 viteve që Bujar Luca jeton në Paris.

***

Si një vizitor i përhershëm i ekspozitave të artit figurativ, kudo që ato hapen –  në COD apo Galerinë e Artit të Tiranës, në Muzeun Historik Kombëtar apo në Parking Art Gallery –  nuk mund ta humbisja mundësinë për të shijuar 71 veprat e Bujar Lucës, falë edhe ftesës dashamirësve të drejtuesve të COD.

***

Ekspozita u përurua edhe me praninë e jashtëzakonshme të Kryeministrit Edi Rama, një piktor dhe ish-pedagog në Akademinë e Arteve dhe një shok i hershëm i Bujar Lucës.

Në ceremoni ishte e pranishme edhe bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, emra të rëndësishëm në botën e artit shqiptar, kineastë, por dhe dashamirës të shumtë.

Gjithashtu, merrte pjesë edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard.

***

Drejtoresha e Përgjithshme Eridana Çano, e cila ka  shndërruar COD, në një nga referencat më të rëndësishme në promovimin e artit, por dhe aktitiveteve të tjera të shumëllojshme, kryesisht kulturore, mbajti fjalën hapëse, duke vlerësuar ekspozitën e Lucës, njëherësh edhe e fundit për vitin 2023. Ekspozita mbyllet, më 31 dhjetor 2023.

“55 vite retropesktive, duke prekur të padukshmen. Është një kënaqësi tejet e veçantë të kemi për herë të parë në COD, Bujar Lucën, i cili vjen pas 33 vitesh jetesë në Francë, dhe për herë të dytë me një ekspozitë në Shqipëri. I madhi Kadare do të shprehej se, ‘arti i Bujar Lucës ka kaluar nëpër ndalime të frikshme të një diktature tashmë të përmbysur’.

Ndonëse i gjendur në atë periudhë të errët të hitorisë, ai bën pjesë në grupin e krijuesve, të cilët u përpoqën me aq mundim midis atij terri të mbanin gjallë hyjninë e artit dhe ligjer e tij të përjetshme. Vepra e tij ka kaluar në një kalvar të brendshëm befasues”, tha midis të tjerash, Drejtoresha e COD, Eridana Çano.

Vetë Luca foli për përpjekjet e tij gjatë diktaturës, për t’iu larguar klisheve të realizmit socialist.

“Sonte duke ngjitur shkallët e kësaj godine ku ne jemi mbledhur, nuk mund të mos mendoja dhe të kujtoja çfarë simbolizonte në të kaluarën kjo ndërtesë për ne. Ndjej gëzim të ekspozoj pikërisht këtu, një pjesë të veprave që janë refuzuar gjatë kohës që unë isha i ri dhe deri në vitin 1990, kur unë jam nisur për në Francë.

Këto vepra u refuzuan nga komisione të ndryshme, të cilët kishin si devizë ‘kështu duhet të bëhet dhe jo ndryshe’, ose ‘kështu duhet’. Kjo ishte thuajse një frazë urdhërore e asaj epoke. Por, në art nuk ka ‘duhet’. Arti është përjetësisht i lirë dhe ashtu do të mbetet”, tha Luca.

“Jo larg kësaj godine ku ndodhemi, është Liceu Artistik dhe Instituti i Arteve. Unë kam studiuar në këto dy shkolla. U munduan aty të më mësonin realizmin socialist.

Kundër këtij arti deklamativ, skematik dhe pa jetë, unë preferoja një art intim që fliste për jetën e përditshme, që fliste për dritën dhe për ngjyrat dhe dëshiroja mbi të gjitha që të mos bëja një realitet të dukshëm, po duke u sforcuar, për ta kuptuar atë më shumë, ta çoja drejt të padukshmes dhe të mos mbështetesha mbi aparencën”, theksoi piktori Bujar Luca.

***

Në çeljen e ekspozitës përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi talentin dhe kontributin e artistit në historinë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare.

“Ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”, u shpreh Rama.

“Kjo ekspozitë ishte një ide që lindi kur ishim së bashku në Paris dhe Bujari e priti me kënaqësi ftesën për të konsideruar mundësinë e një ekspozite të tillë. Por unë nuk e kisha menduar që do të sillte këtu punë nga e gjithë trajektorja e tij, dhe faktikisht në sallën e vogël gjenden punët e bëra shumë vite më parë kur Bujari krijonte në shtëpinë tij të vjetër tiranase me pus e carac.

Aty ku patëm mundësi të takoheshim përpara rënies së diktaturës gjatë një vizite të parë që një delegacion i huaj bëri në Akademinë e Arteve, pjesë e të cilit ishte edhe kryeredaktori i njohur i revistës së artit “Connaissance des Arts”, i cili i kushtoi një reportazh të tërë krijimeve tona të asaj kohe dhe u bë edhe pika e parë e kontaktit konkret fizik me botën e artit përtej mureve brenda të cilave ne zhvillonim aktivitetin tonë”, tha Rama.

Pastaj, vijoi Kryeministri Rama, Bujari zgjodhi të ikte.

“Mua më kujtohet se qysh përpara se të hapeshin rrugët për t’u larguar Bujari ishte shumë i lidhur dhe pasionuar pas Francës e kulturës franceze, pas impresionistëve, gjë që vihet re në punët që janë në sallën e vogël si një influencë malinje për atë kohë.

Gjatë qëndrimit të tij në Francë me natyrën e tij të përmbajtur meditative, pa zhurmë, pa kërkuar asnjëherë asgjë nga askush, hapi dalëngadalë një rrugë te një stacion i të cilës është besoj unë pjesa qendrore e ekspozitës, ku në njëfarë mënyre fillojnë e bëhen bashkë qoftë kujtimet e të shkuarës së largët, qoftë edhe njohjet e reja apo afrimet e reja me eksperienca artistike që në dukje janë dy ekstreme, por në të vërtetë janë pjesë e të njëjtës qasje ndaj sipërfaqes së bardhë”, nënvizoi Rama.

Rama tha se “flas për eksperiencën e artit të vjetër dhe të ri, kinez, japonez, aziatik, që është shumë i lidhur me shenjën edhe me transpozimin e gjuhës së shkruar përmes hieroglifeve, në një ushtrim të menjëhershëm artistik dhe në ekstremin tjetër furia e lëvizjes “action painting”, Jackson Pollock edhe të tjerë, që në njëfarë mënyre në punën e Bujarit fillojnë edhe shkrihen te njëra-tjetra duke krijuar një identitet dhe një origjinalitet të ri. Ajo që më shtyu ta bëj këtë parantezë ndoshta pak të gjatë të natyrës krejt profesionale lidhet me diçka tjetër; lidhet me raportin e Bujarit me pikturën, raportin e Bujarit me telajot, sipërfaqet e letrës apo sipërfaqe të tjera me të cilat ai e ushtron profesionin e tij, që në njëfarë mënyre është mishërim i raportit të tij me jetën dhe me shoqërinë në një kohë, e cila ka shumë tundime, ka shumë zhurmë, ka shumë mundësira, por dhe shumë shtigje dhe rrugë që mund të merren”.

Bujari, –  vijoi Rama, – ka vazhduar t’i qëndrojë shumë besnik diçkaje që unë në fakt e kisha të vështirë ta formuloja, por e formuloi Bujari në fjalët e tij, kur tha realiteti i idealit tim dhe besoj që në njëfarë mënyre punët e tij janë dhe autoportrete shpirtërore të tijat, të cilat flasin shumë për atë që Bujari është në raport me pasqyrën dhe në raport me mjedisin apo botën.

Dua të shtoj vetëm një komponent që përsëri lidhet me atë çfarë po them, që ka të bëjë me aktivitetin e Bujarit jashtë studios, i cili është një aktivitet i jashtëzakonshëm në një vend që është shumë i pasur në traditë, por është dhe shumë i pasur në burime njerëzore kur flasim për operan, kur flasim për teatrin. Bujari është vendosur vetvetiu në një pozicion shumë të respektuar dhe është thirrur për të bashkëpunuar dhe për të kontribuar për një numër të madh shfaqjesh në operan Garnier që është një tempull i ri i muzikës operistike në Paris apo në shfaqje që shkojnë nga klasikja deri tek ato më kontemporane, duke bashkëpunuar me regjisorë shumë të njohur, deri tek regjisori, koreografi Angjelin Preljocaj dhe përsëri fakti që në këtë aktivitet jashtë studios Bujari ka shkëlqyer, lidhet me zotërimin e asaj që duket shumë qartë në të gjitha punët e tij, që është gjesti i shenjës, për një gjest shenje që nuk vjen në mënyrë sipërfaqësore, por që vjen nga një formim akademik, nga një formim i thellë, gjë që mund të shihet në hyrje të asaj sallës së vogël që po e përmend për të tetën herë, sepse aty është fillesa dhe tek disa vepra figurative, duke filluar nga një portret, nga një vizatim që në pamje të parë duket që nuk ka asnjë lidhje me çfarë shohim këtu, por në fakt është fillesa e asaj që shohim këtu dhe kjo është diçka që më duket mua është karakteristikë e disa artistëve të mëdhenj shqiptarë sot, ndër të cilët pa diskutim renditet dhe Bujari në skenën ndërkombëtare, të cilët edhe kur shkojnë në rrugë që janë në dukje krejtësisht pa asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me mjeshtërinë dhe gjestin e shenjës, siç është për shembull videoarti, kam parasysh Anri Salën, veprat e tyre bëjnë një diferencë në raport me ato të kolegëve të së njëjtës fushë dhe të njëjtës rëndësi po themi në skenat artistike, sepse tek to, ti sheh se ka brenda diçka që e tejkalon kohën dhe që vjen pikërisht, sipas meje, nga të brumosurit me klasiken për arsye që ne i dimë dhe pastaj të pjekurit të këtij brumi në botën kontemporane”, nënvizoi Rama.

Rama u shpreh se “dua ta falënderoj Bujarin, sepse ka bërë një investim në kohë, ka bërë një investim në energji, ka menduar seriozisht dhe thellësisht për këtë ekspozite dhe ka bërë dhe një investim në hamallëk po themi, sepse ka paketuar dhe transportuar gjithë këto punë, gjë për të cilën nuk e ka paguar qeveria, që të jemi të qartë. Është larg të qenit një artist qeveritar apo i oborrit të pushtetit, siç në fakt janë shumë ose pothuajse të gjithë nga ata që ekspozohen këtu, dhe do doja të shikoja shumë të tjerë që të vinin këtu, mund të vijnë të bëjnë dhe protesta kundër qeverisë këtu dhe sallën e marrin pa qira”.

Por, shtoi Rama, “realisht Bujar, shumë shumë komplimente dhe shumë faleminderit, dhe më beso nuk është një fjalë xhentile për një mik këtu, në këtë hapësirë, që i duhen thënë disa fjalë të mira, por është një fjalë shumë e sinqertë dhe unë i besoj vërtetë të gjitha këto që po them dhe ti je një nga ata të cilët i japin historisë bashkëkohore të arteve pamore shqiptare diçka pa të cilën kjo histori do ishte më e varfër”.

***

EKSPOZITA

TEK HOLLI PROTOKOLLAR

 

SALLA “TAKO ARTISTIN”

Të realizuara gjatë viteve ‘70, vizatimet e portreteve dëshmojnë njohjen, nivelin dhe sigurinë e Bujar Lucës në përdorimin e teknikave të ndryshme për realizimin e tyre. Larg vizatimeve skematikë të realizmit socialist, në këto portrete shprehet një realitet i dhimbshëm dhe i trishtë, që nuk zinte vend në artin zyrtar.

Në veprat e viteve ‘80, dominon një lloj ekspresionizmi. Natyra dhe objektet nuk janë pasqyruar “me pasivitet”: pra në stadin e impresionizmit, por përkundrazi: nga kontakti direkt me natyrën e deri tek përfundimi (sado i menjëhershëm të jetë bërë ky i fundit) janë futur në realizimin e veprës kërkimet e bëra gjatë viteve mbi formën dhe ngjyrën. Ky ndërtim aktiv i tablosë përfshin eksperiencën e fituar dhe pasurohet padyshim nga termperamenti krijues.

Tek Bujar Luca, këto dy elemente ndërtojnë dhe shkatërrojnë formën në të njëjtën kohë. Të shtyra nga pasioni, shprehur nëpërmjet një lirie maksimale të gjestit, linjat dhe ngjyrat çlirohen nga imitimi i natyrës. Ky sakrilegj ishte i papranueshëm nga komisionet e kohës, ndaj dhe veprat ishin të paekspozueshme.

Tendencës materialiste të asaj epoke, Bujar Luca i përgjigjet duke krijuar vepra intime, shpirtërore, të vrullshme e plot tension me synimin që të bëjë të dukshme idetë apo ëndrrat që mbart.

“Alphaimagique”

“Heshtja e të palexueshmes”

Duke mos i besuar imazhit të identifikueshëm, për shkak të interpretimeve të shumta, të ndryshme dhe kontradiktore, i besoj spontanitetit dhe shenjave që shfaqen pa dashur të imitojnë të njohurën. Nuk është e nevojshme të shohim për të pikturuar. Vetëm spontaniteti mund të zbulojë dhe fiksojë të vërtetën e fshehur.

Për të udhëtuar drejt pastërtisë së shprehjes, më duhet t’i shpërbëj kuptimet, ta zbraz përmbajtjen, t’u besoj shenjave të padepërtueshme e të pashpjegueshme. Shpik shenja që sjellin ndërmend gërma alfabetesh të panjohura. Tekstet që këto shenja shkruajnë nuk shfaqin të dukshmen.

Janë të çliruara nga misionet. Përballë këtyre shkrimeve jemi para të pakapshmes, të pazbërthyeshmes, e mbi të gjitha: të padhunueshmit mesazh që ju dërgoj.

Për ta zbërthyer këtë mesazh, duhet të vini si era ose si vala e detit, duke e lejuar veten të rrëmbehet nga lëvizja.

Te Salla e “Gurit”

Këto piktura janë realizuar në vitin 1993, të bëra me pigmente pikture në pudër, lidhur me ngjitës vinilik. Kjo teknikë më lejonte të vizatoja me gërvishtje. I takojnë një periudhe kur përpiqesha të çlirohesha nga trashëgimia realiste dhe kërkoja të ndillja po ato emocione, por pa ndihmën e identifikimit të figurës. Këtu, shpejtësia e interpretimit dhe vendosmëria e realizimit bëhen më të dukshme. Evokimi po ashtu. Kërkesa këto, që do të shpeshtohen nga viti në vit.

Letrat mbi të cilat janë realizuar vinin nga Shqipëria. Ishin botimet skarco të kapakut të librit “Gjeografia e Shqipërisë”, të destinuara të përfundonin si kartona ambalazhi, të cilat duke patur pjesën e pasme të bardhë, më kishin interesuar. Mungesa e letrës në Shqipëri gjatë diktaturës, më kishte kushtuar shtrenjtë kur isha student. Paraqisja projekt-diplomën dhe njërin prej vizatimeve e kisha realizuar në pjesën e pasme të një letre, ku nga përpara ishte nje portret i Stalinit.

 

MIQTË E LUCËS

Disa prej piktorëve të njohur ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes, përfshirë Niko Dhales (i cili jeton në Paris), apo Artan Shabanin (piktor dhe kurator), Adrian Devolli, Kristaq Janushi, Lekë Tasi, apo dhe përfaqësues të feve.

“Bujar Luca vjen në Tiranë për të “riatdhesuar” artin e tij dhe për të komunikuar e për të ndarë me publikun shqiptar dhe kolegët e tij artistë, me inteligjencë dhe shije, atë ç`ka mundur të krijojë si një artist që ka jetuar nën diktaturën komuniste. Me ekspozitën e tij në COD, artisti tregon çka mund të arrijë të krijojë me kurajo dhe guxim kur emocionalisht e udhëheq imagjinata, dija dhe talenti.”, tha për piktori Artan Shabani për ” Tirana Diplomat”

NJË FOTO ME LUCËN

***

Edhe unë bëj fotot e mia, së pari me Kryeministrin Edi Rama, si iniciator i Ekspozitës…

… dhe me vetë “yllin e mbrëmjes”, piktorin Bujar Luca.

______________

Tiranë, më 2 nëntor 2023

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…