Mes katër rrugëve
“Mes katër rrugicave hesht në mëngjes…”
Nga Dritëro Agolli
Mes katër rrugëve
Mes katër rrugicave hesht në mëngjes.
Të shkoj nga e majta, të ngas nga e djathta?
A ndofta më mirë të pres
Ashtu si heroi në përrallat e lashta.
Jam lodhur.
Më duhet patjetër të gjej një njeri
Këtu në gurore ku rrahën çekiçët,
Të nisem në gjurmët e tij,
Mbështetje ta kem, mos më bjerë të fikët.
Jam lodhur.
Ai e di mirë se ç’rrugë të mbaj,
Veç dua të vijë e pas tij të mbështetem.
Në vend kur të arrijmë pastaj,
Të kthehet nga erdhi, të mbetem i vetëm.
Jam lodhur.
26 gusht 1998
(Libri “Prit edhe pak“)
(Marrë nga faqja në Facebook e Elona Agolli)