Shqipëria vendi i nderit i ITB Berlin 2025, panairit më të madh të turizmit në botë
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin, panairi më i madh në botë për turizmin, kanë arritur marrëveshjen që shpall Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe ITB Berlin, panairi më i madh në botë për turizmin, kanë arritur marrëveshjen që shpall Shqipërinë vend nderi të ITB Berlin 2025.
Në memorandumin e mirëkuptimit mes dy palëve nënshkruar në Gjermani nga zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello dhe drejtoresha ekzekutive e “ITB Berlin” Debora Rothe, Shqipëria zyrtarisht do të jetë vendi i nderit për panairin më të rëndësishëm të turizmit në botë për vitin 2025.
Më herët, në korrik, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro foli për ambicien e Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve me palën gjermane për të arritur këtë marrëveshje që e kthen vendin tonë në epiqendrën e pikëtakimit më të rëndësishëm botëror të turizmit dhe turoperatorëve që mbahet çdo vit në Berlin.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje, ka si qëllim fuqizimin e rolit të Shqipërisë jo vetëm në nivel pjesëmarrës, por në sipërmarrje aktive të organizimit të agjendave të nivelit të lartë të eventeve të rëndësishme globale siç është ITB Berlin, që promovojnë ndërkombëtarisht imazhin e Shqipërisë.
Programi i promovimit nis në mars 2024 për të përfunduar në mars të vitit 2025.
Të dhënat e fundit tregojnë për 9 milionë turistë të huaj që e kanë vizituar Shqipërinë deri në tetor. Gjithashtu, Shqipëria ruan vendin e tretë në Barometrin Botëror të Turizmit të publikuar nga Organizata Botërore e Turizmit për sa i përket rritjes së flukseve të turistëve të huaj.
Për vitin 2024, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka deklaruar se Shqipëria do të marrë pjesë në panairin e turizmit FITUR në Madrid, në ITB Berlin si edhe do të jetë organizatore e takimit të 70 të Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit, që do të zhvillohet gjatë pranverës në Tiranë me pjesëmarrjen e 40 ministrave evropianë të turizmit.
(Marrë nga ATSH)