Rama për RaiNews24: Marrëveshja me Italinë për migrantët, jo në këmbim të hapjes së negociatave për në BE

Kryeministri Edi Rama intervistë për televizionin italian Rai News 24


Firmosja e marrëveshjes me Italinë për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e emigrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane nuk është bërë në këmbim të hapjes së negociatave për në Bashkimin Evropian, deklaroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për Rai News 24.

”Fillimisht dua të nënvizoj se nuk ka dy qendra, sepse kjo gjë përsëritet dhe më pas bëhet një e vërtetë e shtrembëruar. Do të ketë një qendër pritjeje dhe një pikë mbërritjeje ku njerëzit do të kontrollohen dhe më pas do të transportohen në këtë qendër pritjeje. Pra një qendër dhe jo dy. Mund të ishin dy, por ja që është vetëm një”, tha Rama.

”Pika e dytë. Është e vërtetë se ne nuk jemi shtet i BE-së, por jemi shtet evropian. Jemi në Evropë, jemi në anën tjetër të detit dhe nuk e kuptoj pse duhet të ketë një ligj tjetër ndërkombëtar në shtetet e BE-së dhe një ligj tjetër ndërkombëtar në shtetet jashtë saj. Dhe unë nuk e shoh apo ndoshta e shoh keq”, shtoi ai.

”Pika e tretë. Kemi pasur kërkesa nga vende të tjera evropiane dhe jo vetëm, por edhe vende të tjera të ashtuquajturave shtete të Ballkanit Perëndimor, për të bërë operacione të kësaj natyre dhe i kemi refuzuar”, tha Rama.

”Italia ka qenë vendi që ka qenë pranë nesh që në minutën e parë të ikjes sonë nga ferri në vitin 1999 dhe nga ferri 50-vjeçar i izolimit. Italia ka qenë pranë nesh gjatë gjithë këtyre viteve dhe jo vetëm në Itali, ku mirëpriti qindra mijëra shqiptarë dhe u dha atyre një të ardhme, por edhe në Shqipëri kur ne ishim buzë greminës dhe Italia solli jo një, por dy herë misione ushtarake, vullnetarë dhe ndihma të pabesueshme. Këtu erdhën zjarrfikësit italianë si ekipi më i madh në numër, kur njerëzit tanë ishin nën rrënojat e tërmetit dhe sakrifikuan jetën për të na shpëtuar jetën si kurrë më parë”, shtoi ai.

”Sepse me Italinë është ndryshe. Italia për ne është ana tjetër e të njëjtit det dhe një vend ku shqiptarët ndihen si në shtëpinë e tyre. Dhe jo vetëm kur punojnë atje, kur studiojnë atje, por edhe kur shkojnë të bëjnë biznes apo për të bërë turizëm. Ajo është shtëpia e tyre në BE. Dhe kur Italia na kërkon diçka është nder të jemi të dobishëm. Si ka ardhur?”, pyet Rama.

”Më lejoni të them se të gjithë gazetarët italianë, të gjithë, pa përjashtim, e bëjnë këtë pyetje. Sa është përfitimi? Çfarë fiton Shqipëria? Çfarë qëndron pas kësaj marrëveshjeje? Por, pse duhet të ketë një përfitim? Çfarë kompensimi na ka kërkuar Italia gjatë gjithë këtyre viteve?… Edhe çështja që ne e bëmë këtë sepse Italia do të na ndihmojë të hapim negociatat me BE-në. Kjo është diçka qesharake sepse ne i kemi hapur negociatat me BE-në. Dhe pastaj, hyrja në BE nuk bëhet kështu. Nuk ndodh kështu. Nuk është se Italia thotë merr 3 000 emigrantë dhe ne do t’ju lëmë të hyni në BE. Por, në çfarë bote po jetojmë? Duhet të jemi pak më korrekt dhe pak më seriozë kur diskutojmë këto çështje dhe kjo çështje është shumë e ndërlikuar për mua. Nuk shoh ndonjë zgjidhje magjike që ka gjetur dikush për çështjen e flukseve migratore dhe kësaj vale njerëzish të dëshpëruar që mbërrijnë në brigjet e Italisë dhe më pas duan të hyjnë në vendet e BE-së”, tha Rama.

”Askush nuk e ka gjetur zgjidhjen perfekte. Lufta politike bëhet nga të gjitha anët dhe nuk ka asnjëherë një debat normal, një dialog normal, një diskutim të përbashkët për të kuptuar se si ta zgjidhim këtë gjë. Por, fatkeqësisht Shqipëria nuk ka lidhje me këtë rast sepse ne nuk jemi në Këshillin Evropian, nuk jemi shtet i BE-së, nuk jemi përgjegjës për gjetjen e zgjidhjes. Më duhet t’ju them se ka vende në BE që publikisht nuk e fshehin faktin se janë të mbyllura për emigrantët që vijnë nga vende ku njerëzit kanë një tjetër ngjyrë dhe ku njerëzit kanë një tjetër besim fetar. Të njëjtat vende ishin atëherë të pabesueshme në pritjen e miliona refugjatëve ukrainas, që ikën nga agresioni rus atje. Sepse le ta pranojmë, ata janë të bardhë dhe janë të krishterë. Në rregull. Nga ana tjetër ka vende evropiane si Suedia, por jo vetëm, që kanë zbatuar një politikë krahëhapur për të gjithë, pa dallim ngjyre dhe feje… Atëherë duhet gjetur një rrugë e mesme për t’i trajtuar të gjithë si qenie njerëzore sepse dikush që ikën nga vdekja është njeri pa dallim ngjyre dhe besimi, por nga ana tjetër ne duhet të gjejmë rrugën evropiane për t’iu përgjigjur dy pyetjeve kyçe: si t’i rregullojmë flukset dhe të respektojmë të drejtën e të gjithë njerëzve që të shpëtohen, të mbrohen dhe të kenë një të ardhme, dhe të mos lemë që nga kjo bujari të përfitojnë terroristët, kriminelët dhe trafikantët dhe kështu me radhë dhe nga ana tjetër, si mund të ndihmojnë që këto flukse të rregullta të ndihmojnë një Evropë të plakur, që të ketë më shumë fuqi punëtore për të pasur burime njerëzore që mund të mbajnë në këmbë ekonominë evropiane”, theksoi Rama.

”Atëherë këto janë çështje shumë të rëndësishme që nuk zgjidhen duke bërë lufte politike çdo ditë ndaj të gjithëve dhe këtë e them sepse me gjithë respektin dhe nuk hyj në debat për politikën e brendshme italiane dhe në asnjë palë tjetër sepse nuk me takon mua… Italia i bëri investimet pa pasur nevojë të bëjë asnjë lloj marrëveshjeje të këtij lloji dhe do t’i bëjë sepse është në interesin strategjik të Italisë të investojë në Shqipëri, të investojë në vendet tona të rajonit… Është një lidhje historike, një lidhje kulturore, një lidhje me rrënjë të thella. Edhe një herë them të lëmë mënjanë këtë histori të një marrëveshjeje për emigrantët kundër ligjit ndërkombëtar që të kenë një rrugë të lehtë për të hyrë në BE, sepse është diçka që nuk ekziston. Shtetet hyjnë në BE pasi të kenë kryer detyrat e tyre të brendshme që janë shumë specifike dhe që janë detyra reformash, zbatimi i reformave të shtetit ligjor, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e tjerë. Evropa nuk është një tempull ku futesh sepse ka dikush që thotë merri këta njerëz këtu, se na ndihmuan dhe kanë zemër të madhe”, shtoi ai.

”Unë nuk jam kryeministri i Italisë, nuk jam këtu për t’iu përgjigjur çfarë duhet të bëjë Italia apo për të bërë kuadrin ligjor të këtij operacioni në Itali. Unë jam këtu të përgjigjem për atë që ka bërë Shqipëria dhe për atë që kam firmosur. 36 000 është një numër që rrjedh nga një llogaritje sipas së cilës do të jenë të disponueshme 3 000 vende dhe më pas nëse ka një rotacion prej 3 000 personash çdo muaj mund të arrijë në 36 000, por qendra e pritjes është një qendër me 3 000 vende”, shtoi Rama.

”Ne kishim 4 000 ose më shumë afganë që i shpëtuan vdekjes në Afganistan, ne dhe NATO u premtuam atyre një botë të re. Ata ishin përkthyes, shoferë njerëz që punuan me forcat tona të armatosura. Si mund t’i linim këta njerëz pas, të bëheshin pre e vrasësve dhe e talebanëve?”, pyet Rama.

”Të tjerët e kanë bërë, vendet e pasura, shtetet e mëdha kanë kthyer kokën, kanë thënë ‘jo’ nuk mund ta bëjmë këtë… Sot, shumë prej tyre janë nisur drejt destinacioneve të tjera SHBA, Kanada dhe Shqipëria është krenare që ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish”, theksoi ai.

(Marrë nga ATSH)

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…