Hasani: Shqipëria, qasje të re ndaj sulmeve kibernetike
Ministri i Jashtëm: “Ngremë një Akademi Kombëtare Dixhitale dhe Kibernetike”
Në Konferencën Vjetore të Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s, ministri i Jashëtm Igli Hasani theksoi rëndësinë e rritjes së shkëmbimit të inteligjencës dhe nxitjes së bashkëpunimit të fortë brenda aleatëve, për parandalimin e sulmeve kibernetike.
“Pas sulmeve kibernetike të paprovokuara iraniane të vitit të kaluar, Shqipëria po përshtat një qasje të re dinamike në sigurinë kibernetike, duke rishikuar kuadrin ligjor, politikat dhe direktivat ekzistuese”.
Kryediplomati shqiptar theksoi se qeveria shqiptare po punon për krijimin e një Akademie Kombëtare Dixhitale dhe Kibernetike.
“Ne synojmë të qeverisim sigurinë kibernetike në mënyrë gjithëpërfshirëse, nga një vizion sektorial në një vizion global: Së pari, duke hartuar një strategji të qartë për të kapërcyer hendekun e ekspertizës, kryesisht nëpërmjet krijimit të një Akademie Kombëtare Dixhitale dhe Kibernetike”.
Kjo akademi sipas ministrit është thelbësore për rritjen e ndërgjegjësimit dhe gatishmërisë mes infrastrukturave të informacionit kritik.