Peleshi: “Strong Balkan 23”, forcim i bashkëpunimit ushtarak në nivel rajonal
Rreth 220 forca speciale, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe 7 vendet e rajonit, u mblodhën në Bizë
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se stërvitja “Strong Balkan 23” e mbajtur në Shqipëri arriti me sukses të testojë, jo vetëm aftësitë operacionale të efektivëve të vendeve pjesëmarrëse, por tregoi vullnetin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin ushtarak në nivel rajonal.
Ai theksoi se, Shqipëria është së bashku me vendet e tjera për të përballuar sfidat në një mjedis të paqëndrueshëm sigurie.
Rreth 220 forca speciale, jo vetëm nga Shqipëria, por edhe 7 vendet e rajonit, u mblodhën në Bizë për stërvitjen në nivel të Forcave Speciale.
Gjatë stërvitjes “Strong Balkan-23”, e cila zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, janë testuar aftësitë personale, por edhe në grup, të forcave të Armatosura si në tokë edhe në ajër.
Ka pasur hedhje me parashutë, mes të cilëve edhe pjesëtarë nga forcat speciale shqiptare, që janë hedhur nga një lartësi e konsiderueshme nga helikopteri prej 1524 metër.
Ndërkohë ka pasur shpërthim me eksploziv dhe qitje me snajper nga një distancë prej 1000 metrash.
Stërvitja “Strong Balkan 23”, u zhvillua për herë të parë në Shqipëri. Në këtë stërvitje morën pjesë Forcat Speciale nga 8 vende të Ballkanit.
Nga kjo stërvitje Forcat Speciale përftojnë njëherësh rritje në nivelin profesional, aftësim taktik, operacional e strategjik, për të përballuar sfidat komplekse që paraqet sot mjedisi i sigurisë.