Bota me sytë nga Shangai dhe Kina me dyer të hapura për botën
Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE) filloi në Shangai më 5 nëntor
Nga Dr. Marsela Musabelliu
Ekspozita Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE) filloi në Shangai më 5 nëntor. Kjo ngjarje gjashtë-ditore shërben si një vitrinë për paradigmën e re të zhvillimit të Kinës, si një platformë për hapje me standarde të larta dhe një e mirë publike globale. Që nga debutimi i saj zyrtar në 2018, ekspozita është rritur në shkallë e në mbulim gjeografik. Tani është bërë një platformë e spikatur për bizneset në mbarë botën për të ekspozuar produktet dhe shërbimet e tyre, për të eksploruar tregje të reja dhe për të krijuar partneritete të vlefshme. Këtë vit, në edicionin e saj të 6-të CIIE është ndoshta më e madhja në histori, me pjesëmarrës nga 154 vende, rajone dhe organizata ndërkombëtare, me gjithsej mbi 3,400 ekspozues dhe 394,000 vizitorë profesionistë, mbi 280 ndërmarrje të “Fortune 500”.
CFP
CFP
Në CIIE shpaloset një gamë e gjerë industrish, duke përfshirë ushqimin dhe produktet bujqësore, automobilat, teknologjinë inteligjente dhe të informacionit, mallrat e konsumit, pajisjet mjekësore dhe produktet e kujdesit shëndetësor, dhe tregtinë e shërbimeve. Duke shfrytëzuar shtrirjen globale të lidhur me ekspozitën, individët mund ta shohin atë si një fillim premtues për kultivimin e marrëdhënieve të qëndrueshme që mund të nxisin rritjen ekonomike dhe përfitimet reciproke, si dhe nxitjen e mbështetjes dhe besimit të përbashkët përmes aktiviteteve të ndryshme tregtare.
Ҫfarë simbolizon CIIE?
Në këtë ekspozitë përveç elementit ekonomik shpaloset edhe ambicja dhe vendosmëria e fortë e Kinës për të mbështetur liberalizimin e tregtisë dhe për të zgjeruar aksesin e saj në botë. Ajo shënon gjithashtu zhvendosjen e Kinës drejt një ekonomie të diversifikuar dhe të drejtuar veçanërisht nga konsumi, pasi tani renditet si ekonomia e dytë më e madhe në botë, si dhe tregu i dytë më i madh importues dhe konsumator. Brenda CIIE, theks i madh i është vënë promovimit të dialogut shumëpalësh dhe zhvillimit të përbashkët në epokën moderne, duke pasur parasysh diskurset mbizotëruese të anti-globalizmit, proteksionizmit tregtar, nacionalizmit ekonomik dhe populizmit në mbarë botën. Njëkohësisht, departamentet në nivele të ndryshme të qeverisjes kanë kushtuar kohë dhe përpjekje të konsiderueshme në planifikimin dhe koordinimin e ekspozitës çdo vit për të siguruar që ngjarja të ketë efektet më të gjera dhe të qëndrueshme në nxitjen e ekonomisë globale.
CFP
Rëndësia e kësaj ekspozite vihet re edhe nga përshëndetja e vetë Presidentit Xi për këtë event, ku ai bëri thirrje për solidaritet ndërkombëtar. CIIE, ka shfrytëzuar pikat e forta të tregut të madh të Kinës dhe shërben si një platformë për prokurimet ndërkombëtare, promovimin e investimeve, shkëmbimet mes njerëzve dhe bashkëpunimin e hapur, gjë që ka kontribuar në nxitjen e një modeli të ri zhvillimi dhe ekonomisë globale, vuri në dukje Xi. Ai shprehu pritshmëritë që ekspozita vjetore mund të ngrejë funksionin e saj si një portë për modelin e ri të zhvillimit dhe të paraqesë mundësi të reja për botën me zhvillimin e ri të Kinës. Për të, ekspozita duhet të përforcojë plotësisht rolin e saj si një platformë për lehtësimin e hapjes së nivelit të lartë, ta bëjë tregun kinez një treg të madh, të përbashkët dhe, të ofrojë më tej mallra dhe shërbime publike ndërkombëtare.
Dividentët e lartë dhe pragmatizmi në Shangai
Kryeministri i Kinës Li Qiang, në fjalimin e tij kryesor në hapjen e ekspozitës, përsëriti angazhimin e Pekinit për të avancuar hapjen me mundësi më të mëdha tregu, duke zgjeruar në mënyrë proaktive importet dhe duke krijuar më tej dividentë të jashtëzakonshëm për botën. Ai përsëriti gatishmërinë e Kinës për të zgjeruar aksesin në treg dhe për të mbrojtur interesat legjitime të investitorëve të huaj. Pekini do të mbështesë me vendosmëri autoritetin dhe efektivitetin e sistemit tregtar shumëpalësh, do të marrë pjesë plotësisht në reformën e Organizatës Botërore të Tregtisë dhe do të promovojë me vendosmëri stabilitetin e zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global, shtoi ai.
Ekspertët e tregtisë globale dhe liderët e biznesit në ceremoni përshëndetën vendosmërinë e fortë të Kinës për të zgjeruar hapjen, e cila do të injektojë energji pozitive në ekonominë botërore dhe zhvillimin e kompanive në të gjithë botën. Në një botë shumëpolare, konkurrenca e shëndetshme, tregtia e bazuar në rregulla të dakorduara ndërkombëtarisht dhe bashkëpunimi më i madh duhet të jenë rruga përpara. CIIE është një platformë e fuqishme dhe e vendosur mirë dhe një simbol i angazhimit të Kinës për marrëdhënie të balancuara tregtare me pjesën tjetër të botës, veçanërisht me vendet në zhvillim dhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Kompanitë pjesëmarrëse ishin thellësisht e impresionuara nga sinjalet e forta të autoriteteve kineze për të mbështetur globalizimin dhe për të zgjeruar hapjen, pasi në mes të rënies ekonomike globale, vendosmëria e Kinës për të ndërtuar një ekonomi të hapur ka injektuar shumë siguri dhe vitalitet në ekonominë botërore. Në fund të fundit, zhvillimi i Kinës do t’i japë një shtysë të re zhvillimit të botës dhe inovacioni i Kinës do të luajë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në arenën globale.
Duke organizuar këtë ngjarje të rëndësishme gjatë gjithë viteve, Kina tregon gatishmërinë e saj për të përqafuar tregtinë ndërkombëtare, për të mirëpritur investimet e huaja dhe përfundimisht për të kontribuar në avancimin e përgjithshëm të ekonomisë globale. Në funksion të rimëkëmbjes së tregtisë globale shpresohet se inkurajimi i aktiviteteve tregtare më të gjera dhe të përsëritura në mbarë botën mund të kontribuojë më tej në prosperitetin e përbashkët të njerëzimit me një të ardhme të përbashkët në vitet në vijim. Në të njëjtën kohë, suksesi i CIIE mund të motivojë vendet e tjera për të dalë me iniciativa të ngjashme që promovojnë tregtinë e hapur dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në një botë të ndërlidhur dhe të ndërvarur.
Narrativa dhe realiteti
Ekspozita e 6-të Ndërkombëtare e Importit të Kinës (CIIE) po lulëzon. Përshtypja më e menjëhershme është besimi në ekonominë kineze dhe entuziazmi i kompanive nga e gjithë bota. Megjithatë, duket se ka nga ata që kanë zgjedhur të dyshojnë në këtë sukses. Ditët e fundit, disa media kanë filluar papritur të hedhin dyshime mbi perspektivat e Kinës për tërheqjen e investimeve të huaja. Madje ka disa këndvështrime të çuditshme që sugjerojnë se investimet e huaja nuk kanë pasur kurrë aq “frikë” nga Kina sa sot. Këto ndjenja negative ndaj ekonomisë kineze nuk përbejnë më një lajm. Raportet e mediave nxjerrin në pah dy detaje të reja këtë herë: së pari, detyrimet e Kinës për investime direkte pësuan një dalje neto nga korriku në shtator të këtij viti dhe së dyti, sipas hulumtimit të tyre, kompanitë e huaja kanë tërhequr fitimet nga Kina për gjashtë tremujorë radhazi. Ekonomistët besojnë se nëse dukuritë e mësipërme janë të vërteta, kjo është kryesisht për shkak të diferencave të normave të interesit midis Kinës dhe tregjeve perëndimore, duke bërë që një pjesë e kapitalit të rrjedhë jashtë në ndjekje të fitimeve më të larta. Ky është vetëm një fenomen afatshkurtër dhe nuk mund të mbështesë konkluzionin e bërë nga mediat e huaja se tërheqja e Kinës ndaj investimeve të huaja është në rënie.
CFP
Për dekada, komentet negative për ekonominë kineze nuk kanë pushuar, por është fakt që këto narrativa nuk e kanë frenuar përparimin e Kinës. E ardhmja do të shohë që dera e hapjes së Kinës vetëm të zgjerohet më tej, duke u integruar në valën globale të bashkëpunimit. Ky lloj bashkëpunimi harmonik është tema e vërtetë e kohës. Nuk ka globalizim pa pjesëmarrjen aktive të Kinës në tregtinë dhe investime globale, ashtu sikurse nuk do të kishte globalizim sot pa pjesëmarrjen aktive të Kinës në sistemin ekonomik botëror. Bota është bërë më e varur nga Kina si prodhuese, furnizuese dhe siç u pa në CIIE edhe si konsumatore e kalibrit global.
Së fundmi, suksesi i jashtëzakonshëm i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës qëndron si një dëshmi e rëndësisë së Kinës si një fuqi ekonomike globale, së bashku me angazhimin e saj të palëkundur ndaj hapjes dhe gjithëpërfshirjes, të gjitha nën flamurin e zhvillimit me cilësi të lartë dhe hapjes ndaj pjesës tjetër të botës. Mesazhet e Kinës në këto ditë në Shanghai, janë në vazhdën e konsistencës së sinjaleve politiko-ekonomike, Kina është e hapur për biznes, me qëndrueshmëri, vazhdimësi, mbështetje të sipërmarrës dhe për të injektuar shtysa të reja në tregtinë globale.
Burimi: CRI.CN