Amerika dhe Kina nuk mund të jenë të ndarë. Biden fton Xi Jinping në San Françisko

Me ftesën e homologut amerikan, nga 14 deri më 17 nëntor, presidenti kinez Xi Jinping do të marrë pjesë në Samitin Kinë – ShBA dhe në Mbledhjen e 30-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut


Nga Dr. Enriko Ceko


Me ftesën e homologut amerikan, nga 14 deri më 17 nëntor, presidenti kinez Xi Jinping do të marrë pjesë në Samitin Kinë – ShBA dhe në Mbledhjen e 30-të të Liderëve Ekonomikë të APEC-ut, që do të mbahet në San Françisko, në një turne shumë të rëndësishëm në agjendën ndërkombëtare në rang global, rezultatet e të cilit vështirë të parashikohen.

Samiti Xi–Biden, i shpallur zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, javës që shkoi, vjen në një moment kritik për SHBA-të, që përballen me ekuilibra të rinj në një botë që kërcënohet nga pasiguria. Duket se SHBA, në mënyrë specifike dhe bota në përgjithësi po pranojnë se Kina luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet transnacionale.

Ideja e Kinës për një kornizë që lejon zbatueshmërinë e agjendës globale është opsioni i vetëm që ka Perëndimi, kur asgjë nuk është ideale, pasi tregtia ndërkombëtare, zinxhirët e furnizimit, oferta për lëndë të para, oferta për ushqime, oferta për financime dhe investime dhe oferta për fuqi punëtore tashmë është zhvendosur nga SHBA-ja dhe Evropa për në zonat e tjera të botës me zhvillim të shpejtë, dhe kjo ka bërë që epiqendra e prodhimit në botë tashmë të jetë Kina.


Foto:CFP


Xinhua

Flamuri mbi takimin e ardhshëm të 30-të të liderëve ekonomikë të APEC-ut në San Françisko, Kalifornia, të ShBA-së, më 7 nëntor të vitit 2023/Xinhua

Sipas Pekinit zyrtar, Udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe presidenti i SHBA Joe Biden, do të diskutojnë “paqen dhe zhvillimin global” në një samit në San Françisko, në të cilin “dy krerët e shteteve do të kenë një komunikim të thellë mbi çështjet strategjike, të përgjithshme dhe të drejtimit në lidhje me marrëdhëniet Kinë-SHBA”, ndërsa sipas Karine Jean-Pierre (sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë), do diskutohen çështjet kryesore që kanë të bëjnë “me paqen dhe zhvillimin global, si dhe një sërë çështjesh dypalëshe, rajonale dhe globale, si dhe mënyrat për të menaxhuar me përgjegjësi konkurrencën”, por ndërkaq, zëdhënësja e shtypit Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning theksoi se “Kina nuk ka frikë nga konkurrenca, por ne kundërshtojmë përcaktimin e marrëdhënieve Kinë-SHBA në drejtim të konkurrencës”, që më tej theksoi se “SHBA-të të respektojnë me zell shqetësimet e arsyeshme të Kinës dhe të drejtat legjitime të zhvillimit, në vend që të theksojnë vetëm shqetësimet e veta, duke dëmtuar interesat e Kinës, e cila nuk kërkon që të ndryshojë SHBA-të, dhe kështu që edhe SHBA-të, gjithashtu, nuk duhet të kërkojnë të formojnë apo ndryshojnë Kinën”.


Zëdhënësja e shtypit Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Mao Ning/Ministria e Jashtme e Kinës

Gjithashtu, pas samitit, do zhvillohet edhe takimi i vendeve të APEC-ut. Bashkëpunimi Ekonomik Azi-Paqësor APEC, është një forum për lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, për rritje ekonomike dhe bashkëpunim rajonal, themeluar në 1989, si mbështetje për ndërvarësinë në rritje të vendeve të rajonit të Azi-Paqësorit, ku ndër anëtarët kryesorë janë Australia, Kanadaja, Republika Popullore e Kinës, Indonezia, Japonia, Malajzia, Meksika, Zelanda e Re, Peruja, Filipinet, Federata Ruse, Singapori, Tajlanda, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vietnami, etj (rreth 40% e popullsisë së botës, me rreth 62% të prodhimit bruto dhe rreth 50% të tregtisë globale), që synojnë krijimin e një prosperiteti më të madh për njerëzit e rajonit duke promovuar një rritje të ekuilibruar, gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme, inovative dhe të sigurt dhe duke përshpejtuar integrimin ekonomik rajonal. APEC funksionon si një forum bashkëpunues, shumëpalësh ekonomik dhe tregtar. Ekonomitë anëtare marrin pjesë në bazë të dialogut të hapur dhe respektimit të pikëpamjeve të të gjithë pjesëmarrësve. Në APEC, të gjitha ekonomitë kanë një fjalë të barabartë dhe vendimmarrja arrihet me konsensus. Nuk ka angazhime të detyrueshme ose detyrime traktati. Angazhimet ndërmerren mbi baza vullnetare dhe projektet e ndërtimit të kapaciteteve ndihmojnë anëtarët të zbatojnë nismat e APEC. Struktura e APEC bazohet në qasjen “nga poshtë-lart” dhe “nga lart-poshtë”. Katër komitete kryesore dhe grupet e tyre përkatëse të punës ofrojnë rekomandime strategjike të politikave për drejtuesit dhe ministrat e APEC-it, të cilët vendosin çdo vit vizionin për qëllimet dhe iniciativat kryesore. Më pas, grupet e punës kanë për detyrë të zbatojnë këto iniciativa përmes një sërë projektesh të financuara nga APEC. Anëtarët gjithashtu ndërmarrin veprime individuale dhe kolektive për të kryer iniciativat e APEC-it në ekonomitë e tyre individuale me ndihmën e projekteve të ndërtimit të kapaciteteve të APEC.

APEC synon që mallrat, shërbimet, investimet dhe njerëzit të lëvizin lehtësisht përtej kufijve, përmes procedurave më të shpejta doganore në kufi, klimës më të favorshme të biznesit, përafrimin e rregulloreve dhe standardeve në të gjithë rajonin, sinkronizimin e sistemeve rregullatore, etj. Disa nga projektet specifike për APEC janë trajnimet për aftësitë digjitale për komunitetet rurale, ndihma për gratë indigjene të eksportojnë produktet e tyre, rritja e efikasitetit të energjisë, promovimi i menaxhimit të qëndrueshëm të burimeve pyjore dhe detare, etj. si dhe disa iniciativa për sigurimin e qëndrueshmërisë ndaj fatkeqësive, planifikimin për pandemitë dhe trajtimin e terrorizmit, ndërtimin e kapaciteteve nëpërmjet trajnimit për më shumë aftësi dhe njohuri teknologjike, rritjen e konkurrencës së SME-ve, lehtësimin e adoptimit të teknologjive të energjisë së rinovueshme në rajon, etj.

Kina vendosi të ishte pjesë e këtij forumi ekonomik që fokusohet në promovimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal duke njohur dhe respektuar diversitetin mbi parimin e vullnetarizmit, ndërtimit të konsensusit, fleksibilitetit, gradualizmit, etj dhe së bashku me vendet e tjera anëtare synon standarde të larta, hapje të tregut, eliminim të barrierave tregtare dhe të investimeve, mbështetje për inovacionin, rritjen e tregtisë digjitale, praktika të mira rregullatore, reduktim të kostove të transaksionit, etj.


Udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden u takua në samitin e vitit të kaluar të G20/Xinhua

Në samitin e vitit të kaluar të G 20, mbajtur në Bali, Biden deklaroi pesë “jo” – të në lidhje me Kinën (SHBA nuk kërkojnë një luftë të re të ftohtë, nuk kërkojnë të rigjallërojnë aleancat kundër Kinës, nuk mbështesin “pavarësinë e Tajvanit”, nuk mbështesin “dy Kina”, ose “një Kinë, një Tajvan” dhe nuk kanë ndërmend një konflikt me Kinën), por një pjesë e mirë e analistëve më në zë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të ekonomisë botërore janë të mendimit se disa nga veprimet e SHBA-ve nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me këto deklarata.

Kina nga ana e saj, në të paktën tre – katër vite të fundit, me një vizion transnacional, global, ka deklaruar Nismën e Zhvillimit Global, Nismën e Sigurisë Globale dhe Nismën e Qytetërimit Global, që, së bashku me konceptin e ndërtimit të komuniteteve me fate të përbashkëta për njerëzimit, iniciativën “Një brez, një rrugë”, etj, ka pasqyruar dëshirën dhe gatishmërinë për të mbështetur një botë më të mirë dhe paqësore, me anë të objektivave dhe veprimeve konkrete, jo vetëm për Kinën, por për mbarë njerëzimin dhe globin.

Në rrethanat aktuale, Kina dhe pjesa tjetër e botës, përfshirë edhe vendet anëtare të APEC dhe vetë SHBA-të, ndajnë shumë interesa të përbashkëta dhe për këtë shkak nuk ka asnjë arsye të qenësishme dhe të rëndësishme për konflikte dhe konfrontime, por për bashkëjetesë integrim dhe gjithëpërballje përpara sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm globale, duke përfituar edhe nga zhvillimet e njëri-tjetrit, me anë të koordinimit dhe bashkëpunimit.

Edhe pse midis dy liderëve ka njohje prej vitesh, takimin ballë për ballë midis tyre në samit dhe në forumin e vendeve APEC, nuk mund ta zëvendësojë asgjë, sepse Kina dhe SHBA-të kanë përgjegjësinë më të madhe në shkallë botërore për ruajtjen e stabilitetit dhe garantimin e përmirësimit të mirëqenies për të tërë njerëzimin.

Është e dukshme se pala amerikane ka patur një qasje përkushtimi për mbajtjen hapur të kanaleve të komunikimit midis dy palëve, por kjo nuk mjafton. Aspektet klimatike, ruajtja, zgjerimi dhe sigurimi i zinxhirëve të furnizimit, cilësia, siguria dhe garancia ushqimore, përdorimi për të mirën e njerëzimit të teknologjive të avancuara dhe i llojeve të ndryshme të energjisë si dhe sfida të tjera të rëndësishme globale, që janë me rëndësi jetike jo vetëm për Kinën dhe SHBA-të, por për të tërë banorët e globit, janë orientimet për të cilat kërkohet më shumë angazhim dhe më shumë investime nga ana e partnerëve perëndimorë dhe vendeve të zhvilluara si Japonia, Kanadaja, etj., që janë pjesë e APEC, por edhe për shtete të fuqishme si Britania e Madhe, Franca, Gjermania, etj.

Sipas raportimeve mediatike, “Do të diskutohet për çdo gjë, sepse çdo gjë është në tavolinë” – ka thënë një zyrtar i lartë i SHBA-ve, që në fakt është ajo ç’ka Kina ka kërkuar prej kohësh, sepse siç ka thënë edhe Presidenti i Kinës, Xi Jinping, Kina, është e gatshme për të diskutuar për çdo gjë që ka interes për të mirën e njerëzimit, sepse Kina është e fuqishme, përballet me vështirësitë, përmbush përgjegjësitë dhe arrin pritshmëritë.

Xi dhe Biden pritet që të diskutojnë edhe çështje që lidhen me Luftën Hamas – Izrael, konfliktin Rusi – Ukrainë, etj., çështje në të cilat Kina ka luajtur një rol aktiv pozitiv për reduktimin e tensioneve dhe shmangien e konflikteve.

Për rezultatet faktike të samitit Xi – Biden dhe të takimit të APEC do të duhet të priten zhvillimet e ditëve që vijnë, ndërkaq që është e dukshme se Kina dhe Amerika, për të ardhmen e afërt dhe të largët, si për interest e tyre dypalëshe, ashtu dhe për të mirën globale, nuk mund të jenë të ndarë.

Por ja çfarë mendojnë qytetarët për këto zhvillime:

Mjaft interesante paraqiten të dhënat e nxjerra nga një anketim i kryer nga ana e China Global Television Network(CGTN) në lidhje me zhvillimet e fundit në marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA-ve, publikuar në platformat angleze, spanjolle, franceze, arabe dhe ruse të CGTN, me më shumë se 70.000 përdorues globalë të internetit që votuan brenda 24 orëve në sondazhet globale online organizuar në shkurt, korrik dhe nëntor të këtij viti (2023).


CFP

Rreth 86% e të pyeturve besojnë se çelësi është ruajtja e zhvillimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-SHBA, që duhet të fitojnë qasje praktike për të zbatuar konsensusin e arritur nga liderët e dy vendeve në takimin e tyre në Bali në nëntor të vitit 2022 dhe mesa duket për të njëjtën pyetje, por të bërë katër muaj më parë, në një sondazh tjetër, proporcioni me këtë pikëpamje është rritur me 4.1 pikë përqindjeje.

Për këtë çështje rreth 91% e të anketuarve besojnë se marrëdhëniet duhet të bazohen në respektin e ndërsjellë dhe trajtimin e barabartë dhe për këtë pyetje, përqindja e të anketuarve që ndajnë këtë opinion është rritur me 2.1 pikë përqindje, krahasuar me pyetësorin e katër muajve më parë.

Rreth 92% e të anketuarve besojnë se marrëdhëniet Kinë-SHBA nuk janë një lojë me shumën zero dhe çdo përpjekje për të transformuar dhe përmbajtur anën tjetër është joreale, me një rritje prej 8.3 pikë përqindjeje krahasuar me pyetësorin e katër muajve më parë.

Kuptimplotë paraqitet përgjigjia e rreth 83.2% e të anketuarve, që mendojnë se SHBA dhe Kina duhet të kuptojnë objektivisht synimet strategjike të njëra-tjetrës, të merren në mënyrë efektive me faktorët konkurrues dhe të zbulojnë të përbashkëtat dhe 77% e të anketuarve mendojnë keqkuptimet dhe llogaritjet e gabuar duhet të zëvendëshen me komunikim të plotë, marrëdhënie të shëndetshme dhe të qëndrueshme, pasi sipas mendimit të qytetarëve, “Një dialog i hapur midis dy fuqive të mëdha, Kinës dhe SHBA-ve, do sjellë rezultate të frytshme për të gjithë njerëzimin” dhe paralelisht rreth 73.5% e të anketuarve u përgjigjën se Kina dhe SHBA të duhet të rrisin bashkëpunimin në fusha të tilla si energjia, siguria ushqimore dhe ndryshimet klimatike për të përmirësuar qeverisjen globale, ndërkaq që rreth 65.8% e të anketuarve kërkojnë që Kina dhe SHBA-të të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha të tilla si zgjidhja e konflikteve rajonale, trajtimi i sfidave të qeverisjes globale dhe të kontribuojnë me mençurinë e fuqive të mëdha në prosperitetin botëror.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…