Manja takim me homologun italian: Avancim i marrëveshjeve në fushën e sundimit të ligjit
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja takoi sot homologun italian Carlo Nordio.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja takoi sot homologun italian Carlo Nordio.
Manja e përshkroi takimin në kuadër të vizitës në Itali si “2 ministri, një axhendë pune”.
“Miqësia jonë e kahershme dhe tradicionale midis dy vendeve tona e konfirmuar së fundmi nga dy kryeministrat, Rama dhe Meloni, reflektohet dhe në fushën e drejtësisë! Me mikun tim, ministrin Nordio ndamë qëndrimin e përbashkët se marrëdhëniet tona në fushën e drejtësisë në të gjitha nivelet janë të shkëlqyera dhe nuk njohin asnjë pengesë ligjore”, u shpreh Manja në rrjetet sociale.
Manja tha se në takim u dakordësuan që stafet e dy ministrive të punojnë ngushtësisht në grupe pune të përbashkëta në nivel teknik sipas prioriteteve të dy qeverive dhe ministrive, për të avancuar përpara të gjitha marrëveshjet dhe axhendat tona në fushën e sundimit të ligjit, shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar, nëpërmjet skuadrave të përbashkëta hetimore, edukimit dhe rehabilitimit të të dënuarve shqiptarë në Itali, si dhe projekte të tjera që ndihmojnë rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian.
Takimi mikpritës i radhës, sipas Manjës, do të jetë në Tiranë, me premtimin e homologut Nordio në një kohë sa më të shkurtër.
(Marrë nga ATSH)