Margariti: Lajm i shkëlqyer zgjedhja e Shqipërisë si anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s
Ministrja e Kulturës falënderoi çdo anëtar të UNESCO-s që besoi në punën e Shqipërisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cilësoi një lajm të shkëlqyer zgjedhjen e Shqipërisë si anëtare në Bordin Ekzekutiv të UNESCO-s.
Margariti falënderoi çdo anëtar të UNESCO-s që besoi në punën e Shqipërisë.
“Një lajm i shkëlqyer që vjen nga Parisi, ku me 134 vota Shqipëria u zgjodh anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027, struktura më e lartë ekzekutive e organizatës”, theksoi Maragriti.
Ministrja Margariti përgëzoi gjithashtu ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe gjithë stafin e MEPJ, ambasadoren e Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare.
“Të gjithë punuan me rigorozitet në përmbushje të konventave ndërkombëtare në ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, tha Margariti.
Shqipëria u zgjodh dje anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023-2027.
Shqipëria u bë pjesë e UNESCO-s 65 vjet më parë. Kodiku i Purpurt i Beratit, që daton në shekullin VI dhe është i shkruajtur në pergamenë të purpurt, Kodiku i Artë (Codex Aureus) i cili i përket shekullit IX dhe është i shkruajtur në pergamenë me shkronja ari, si dhe Liqeni i Ohrit, Lumi i Gashit, Rrajca, Berati, Butrinti dhe Gjirokastra janë pasuritë shqiptare që janë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
??Shqipëria, anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s!
?️ Një lajm i shkëlqyer që vjen nga Parisi, ku me 134 vota…
Posted by Elva Margariti on Wednesday, November 15, 2023