Ilir Panda zgjidhet zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë
Zgjedhja e tij u realizua gjatë mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë
Gjyqtari Ilir Panda u zgjodh të enjten zëvendëskryetar i Gjykatës së Lartë. Zgjedhja e tij u realizua gjatë mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, e cila në rend të ditës kishte zgjedhjen e zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë, pas përfundimit të punimeve, Ilir Panda, rezultoi i zgjedhur me 25 vota, si zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë.
“Referuar kërkesave të Ligjit “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.SH.”, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për kandidaturën e paraqitur, në prani të gjyqtarëve dhe të ndihmësmagjistratëve të komanduar dhe me të drejtë vote, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit. Në përfundim, Ilir Panda, rezultoi i zgjedhur me 25 vota, si zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë”, njoftoi Gjykata e Lartë.
Ilir Panda lindi në Tiranë, më 8 gusht 1962. Është diplomuar jurist në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, në vitin 1986, si dhe ka kryer disa kualifikime pasuniversitare të organizuara nga institucione shqiptare, evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mban gradën shkencore “Doktor”. Ka punuar në disa sektorë të drejtësisë, duke filluar në organet e ndjekjes penale, në Drejtorinë e Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, si avokat, si pedagog në Shkollën e Magjistraturës dhe në institucione të tjera të arsimit të lartë. Ka qenë ministër i Drejtësisë, në vitet 1999-2000 dhe zëvendëskryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vitet 2003-2007.
Ka marrë pjesë si autor në shumë grupe pune për hartimin dhe rishikimin e legjislacionit, për hartimin e komentarëve, manualeve, buletineve, si dhe në projekte të rëndësishme në fushën e të drejtës. Është autor i shumë artikujve në fushën e të drejtës në disa revista shkencore dhe profesionale, si dhe i përkthimeve të ndryshme.
Panda ka qenë, Këshilltar Ligjor i Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, ekspert lokal i Unicef, i Këshillit të Evropës dhe i organizatave të tjera. Ka qenë anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë të Shqipërisë, në vitet 2002-2007, anëtar i Këshillit të Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë, anëtar i Këshillit Drejtues të “Intesa Sanpaolo Bank Albania” dhe anëtar i Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Me dekretin Nr. 11 454, datë 11 Mars 2020, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.