“Sarah”, fantazia e ndezur e politikanëve!
Një libër për gra të lira dhe burra të vërtetë! Kjo është ajo që propozon romani “Sarah” i Alfred Pezës.
Nga Dash Frashëri
Një roman për gra të lira dhe burra të vërtetë!
Kjo është ajo që propozon romani “Sarah” i Alfred Pezës, botuar nga shtëpia botuese “UET PRES”. Një nga më të kërkuarit në Panairin e 26-të të Librit, të hapur këto ditë në kryeqytet (15-19 nëntor 2023).
I botuar para gjashtë vitesh – në vitin 2017 – dhe i ribotuar disa herë, “Sarah” ngjall vazhdimisht kërshërinë e dashamirësve të librit.
Është piktori i famshëm Helidon Haliti, i cili duke njohur edhe shijet e mia letrare, ma rekomandoi dhe ma bëri dhuratë romanin interesant të gazetarit të mirënjohur, Alfred Peza, tashmë në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar.
Piktori Helidon Haliti dhe gazetari Alfred Peza.
Subjekti i romanit “Sarah” është intrigues!
Sara Blloshmi pat lindur buzë Bosforit si e bija e Vehab bej Serdar dhe e Mevedet Vlorës. Pas fëmijërisë në Stamboll e disa vite në Paris, pat ardhur në Shqipëri në kohën e mbretërisë. Për aristokraten inteligjente, në Tiranën e Zogut president dhe më pas mbret, zënë fill historitë e rrëfimet që në amullinë e mjegullën e kohës, e përkundim emrin e saj herë si agjente e herë si gruaja që rrëmbente vëmendjen e gjithë burrave. Përmendet njëherësh në letra ambasadorësh si gruaja e parë myslimane që në një ballo diplomatësh kërceu në publik.
Sara na tregon një nivel të lartë të femrës shqiptare në vitet ‘20-të, një grua që luan tenis, vishet bukur dhe di të luajë me zemrën e një burri
Ajo ishte ëndrra e ndaluar e çdo mashkulli, arma sekrete e çdo mbreti, dëshira e fshehtë e çdo politikani, fantazia e ndezur e çdo diplomati, thesar i fshehtë i çdo pasaniku dhe muza e çdo artisti. Ndaj Sarah Blloshmi ishte dhe do të mbetej përgjithmonë dashnorja sekrete e të gjithëve dhe e askujt në Shqipëri”.
Në një letër të ambasadorit gjerman më 1926 shkruhet: “Në festën e vitit të ri, te ambasada amerikane për herë të parë në Shqipëri një grua myslimane vallëzoi në publik. Ishte po e njëjta grua, e cila as dy vjet më parë në njërën nga festat e organizuara prej diplomatëve, asokohe tepër të pakët rrinte në lozhën e mënjanuar, e rrethuar nga katër kujdestare dhe vërente nga larg atë çka për të ishte e ndaluar”.
Në festën e vitit të ri 1925 në ambasadën e SHBA, femra më e bukur e Shqipërisë së shekullit XX sfidoi Kanunin dhe Ligjin Islamik, duke kërcyer e zbuluar pa ferexhe e burka, nën ritmet e muzikës moderne. Ky akt sinjalizoi ardhjen e një epoke të re.
Protagonistët kryesorë janë Mbreti Zog I dhe Sara Blloshmi, mbesa e Ismail Qemalit, e konsideruar si gruaja më e bukur e Shqipërisë së shekullit XX.
Intriga e pashembullt e pushtetit, pasioni i fshehtë përvëlues dhe enigma e madhe e një vrasje misterioze, nisin e marin udhë dhe të mbajnë mbërthyer deri në radhën e fundit të 400 faqeve të romanit.
“Sarah” është një roman që identifikon Shqipërinë mes dy luftrave botërore – ngjarjet në librin “SARAH” zhvillohen në Tiranën e viteve ’20-’30, para luftës së Dytë Botërore – dhe nga ata që lexohet me një frymë, dallohet qartësisht për narativën e të shkruarit, informacionit kohor që përcjell.
Me një stil modern, Peza rikrijon besnikërisht atmosferën e atyre viteve, duke e “pikturuar” kryeqytetin me penelata të ngrohta dhe me kontrast të fortë, si vetë guximi i Sarah Blloshmit dhe realitetit të para 100 viteve.
Alfred Peza, prej gati tri dekadash është prezent me publicistikën e tij si gazetar, redaktor, kryeredaktor, drejtor i gazetave, revistave dhe televizioneve, analist dhe drejtues emisionesh të debatit politik. Fitues i shumë çmimeve kombëtare të gazetarisë dhe vlerësimeve ndërkombëtare.
Peza është autor edhe i librave “Ditari i 23 qershorit”(2013) dhe “Enveriada” (2020), publikimi i tij i tretë.
“Enveriada” është libri i dytë i triologjisë së Alfred Pezës, e cila ka nisur me “Sarah” ku ngjarjet janë vendosur në periudhën e Mbretit Zog dhe do të përfundojë me një roman që do të ketë në qendër të tij zhvillimet e post-komunizmit në Shqipëri.
“Enveriada” është një triller politik, i frymëzuar nga histori reale.
Një roman që i bën autopsinë sistemit komunist, duke zbërthyer kodin e hipokrizisë së pushtetit dhe manipulimit të mendjeve të thjeshta njerëzore!
Në pranverën e vitit 1985, kur vizitoi për herë të parë “Syrin e Shqiponjës”, Udhëheqësi i Ri kuptoi se Paraardhësi ishte i pazëvendësueshëm.
Qendra Sekrete në Tiranë, pasi krijoi planetin e ri që komandohej nga Zoti Ateist, duhej t’i shtronte rrugën “përjetësisë” së pushtetit.
Një operacion i pashembullt, ku historia me e jashtëzakonshme e dashurisë, bëhet kurban për dosjen e krimit më enigmatik në historinë e Shqipërisë.
Epoka e diktaturës komuniste nga Lufta e Dytë Botërore e deri në rrëzimin e Murit të Berlinit, është e lidhur pazgjidhshmërisht në historinë e Shqipërisë me emrin e Enver Hoxhës.
“Enveriada” nuk është një libër historik, letërsi dokumentare apo publicistikë, por letërsi. Ngjarjet dhe personazhet në roman janë “fiction”, sa pjellë e fantazisë së Pezës, aq edhe pjesë e një konteksti të caktuar, në një botë të re me emrin “Enveriada”.
Shkrimtari Alfred Peza i bën një autopsi sistemit komunist 50-vjeçar të Enver Hoxhës, me ngjarjet që përfundojnë më 22 mars 1992, kur mori fund zyrtarisht edhe regjimi hoxhist.