Beci-Kusari: Shkodra dhe Gjakova, projekte të përbashkëta zhvillimore
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti në një takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari.
Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci priti në një takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari.
Gjatë takimit Beci dhe Kusari biseduan për mundësitë e shumta të bashkëpunimit mes Shkodrës dhe Gjakovës në mënyrë të veçantë si simbol të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës.
“Shkodra dhe Gjakova janë dy qytete që mbartin një histori të veçantë dhe në këtë linjë është detyrë e jona të përçojmë këtë lidhje që vijon prej shekujsh”, tha Beci.
Deputetja Kusari u shpreh se “duke e ndier ndër gjenerata lidhjen e fortë dhe të pathyeshme midis Gjakovës e Shkodrës, dy qyteteve simotra të Shqiptarisë, secili prej nesh e kemi obligim patriotik të forcojmë lidhjet e bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta zhvillimore”.
“Lidhja e Kosovës me Shqipërinë përmes lidhjes së Malësisë, është vetë zemra e kombit që do rreh për sa të ketë shqiptar në këtë botë. Duke e ndier përgatitjen për festa dhe dekorimin e qytetit bashkë me frymën pozitive atje, seç jehojnë fjalët e Edith Durhamit, “Kultura e qytetit të Shkodrës asht e tillë që ka rrezatue, jo vetëm në Shqipni, por edhe në Ballkan. Të gjitha periudhat e vështira të mbijetesës dhe të luftave për pavarësi, kanë mrenda edhe emnin e Shkodrës””, shkruan Kusari në një postim në rrjetet sociale. (ATSH)