Malaj: Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa shqiptarët e Kosovës
Ambasada e Shqipërisë në Kosovë dha një pritje në prag të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë
Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare.
Kështu deklaroi Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj në pritjen e organizuar mbrëmë nga Ambasada shqiptare në prag të 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, në të cilën morën pjesë krerë të shtetit të Kosovës, ministra, deputetë dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori Malaj, ka folur për rrugëtimin e gjatë të shqiptarëve në luftën e tyre për pavarësi dhe liri, e cila çoi në ngritjen e flamurit kombëtar më 28 nëntor në Vlorë.
Diplomati shqiptar përkujtoi se 28 Nëntori nuk është vetëm një datë e thjeshtë në kalendar, por një fener i identitetit kombëtar dhe një dëshmi e guximit të popullit shqiptar për të realizuar një Shqipëri të pavarur.
“Pikërisht në nëntor të vitit 1912, Ismail Qemajli ngriti flamurin në Vlorë duke e shpallur Shqipërinë shtet të pavarur e sovran, duke ndezur një flakë lirie, e cila shndrin edhe sot. Ishte një ëndërr e përbashkët dhe një zgjim kombëtar për të gjithë neve shqiptarët…Ata nuk luftuan vetëm për integritetin territorial të shtetit të pavarur shqiptar, por edhe për idealet që na përcaktojnë: lirinë, sovranitetin dhe të drejtën për të ndërtuar fatin tonë… Historia e pavarësisë së Shqipërisë nuk është e plotë pa pranuar edhe sakrificat dhe kontributin e shqiptarëve të Kosovës, të cilët kanë qëndruar gjithmonë të palëkundur në mbështetjen e tyre për çështjen e përbashkët kombëtare”, tha Malaj.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se sot kremtojmë së bashku festën e madhe të shqiptarëve – Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ajo theksoi se sot Shqipëria është vend demokratik që promovon vlerat e lirisë dhe të drejtat njerëzore, dhe është e vendosur në rrugën e integrimit evropian, si dhe po kontribuon në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Kryeministri Albin Kurti ka uruar për 111-vjetorin e shpalljes së shtetit shqiptar, duke thënë se 28 Nëntori është ditë e flamurit dhe bashkimit e pavarësisë së shtetit dhe fitores së popullit shqiptar.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti fillimisht uroi të gjithë shqiptarët për kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në EURO 2024.
Më tej, duke ndërlidhur tre data të rëndësishme për popullin shqiptar, kryeministri Kurti tha se ‘’28 Nëntori është datë themeltare e lirisë dhe e flamurit, e bashkimit dhe e pavarësisë, e shtetit dhe e fitores. 28 Nëntori i Skënderbeut në Krujë në mes të shekullit XV, 28 nëntori i Ismail Qemalit në Vlorë në fillim të shekullit XX, dhe 28 nëntori i Adem Jasharit në Prekaz në fund të shekullit XX, janë filli historik i thurjes kombëtare të ne shqiptarëve’’.
Ai tha se pikërisht në kulmin e fushatave kriminale të ushtrive serbe që shkuan deri në Durrës dhe Elbasan, patriotët shqiptarë të rrymave dhe krahëve të ndryshëm, u bashkuan rreth idesë së pavarësisë që u proklamua pasditen e 28 Nëntorit 1912 në Kuvendin e Vlorës, ku Shqipëria u shpall e pavarur. Pas një jave do të mbushen plot 111 vite nga ajo ditë kur drejtuesi i atij kuvendi kombëtar, Ismail Qemal Vlora, u bë edhe kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur.
“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin”, shtoi ai.
Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Eisa Spiropali e pranishme në këtë ceremoni u shpreh se, “nderojmë figurat e shquara të historisë shqiptare, këtej e andej Drinit, të cilët dhanë gjithçka për themelimin e shtetit tonë, ngjarje që rrezaton ende sot në të gjithë kombin tonë, duke na ndriçuar rrugën e përbashkët evropiane”.