“Komploti” i Ben Blushit, metafora therrëse e Shqipërisë 2044!

Pas 20 vjetësh, në Shqipëri do të ketë 200 mijë afganë dhe 700 mijë shqiptarë. Shqipëria, një “shtet afgan”.


Nga Dash Frashëri

Kur ishte ende student, në moshën 22-vjeçare, në bashkëautorësi edhe me Blendi Fevziun, Ben Blushi shkruajti “100 ushtarët”, një rrëfim në Shqipërinë e vitit 1991.

Qysh atëherë, 32 vjet më pas, gazetari dhe shkrimtari Ben Blushi, sot 54 vjeç, ka shkruar edhe nëntë libra të tjerë: romanet “Të jetosh në ishull”, “Otello, Arapi i Vlorës”, “Shqipëria”, “Kandidati” dhe “Kryeministri”; esetë politike “Hëna e Shqipërisë” dhe “Letër një Socialisti”, librin me portrete “41 sekrete” dhe së fundi, romanin “Komploti”, një thriller i një Shqipërie imagjinare të vitit 2044, 20 vjet më pas nga realiteti i sotëm i vendit të shqiponjave dhe çudirave.

Ben Blushi ka tërhequr prej vitesh vëmendjen masive të lexuesve me librat e tij. Këtë e dëshmoi dyndja e vizitorëve në Panairin e 26-të Librit, ku qindra dashamirës të librit dhe personalisht të shkrimtarit e kërkuan “Komplotin” me autografin e rebelit të politikës.

Blushi – një lloj unik shkrimtari miks “researcher” dhe “futurist” – me një gjuhë “blushiane”, ku përmblidhet në mënyrë perfekte: tregimtari atipik, historiani faktkrahasues dhe fantazisti letrar, si një makine kohore herë të kthen 600 vjet pas, si tek “Otello, Arapi i Vlorës”, ku ngjarjet zhvillohen në vitet 1300-1400 (në dy qendra urbane të njohura të kohës së Mesjetës, në Venedik dhe në Vlorë) dhe herë me imagjinatën e jashtëzakonshme të tij, dy dekada më pas (2043-2044), si te “Komploti”, në një Shqipëri ku emigrantët afganë tentojnë të organizojnë një komplot të dështuar për marrjen e pushtetit.

Një roman me një metaforë therëse dhe një profeci gati heretike, Blushi bën orakullin e një Shqipërie që pakësohet progresivisht çdo ditë, të një reduktimi demografik shpopullimi shqiptarësh dhe ardhjen me ritme të larta të emigrantëve, që ndoshta në 2044 mund të arrijnë në 500 mijë afganë dhe disa dhjetëra mijëra nga kombësi të tjera, madje në Shëngjinin “afgan” ishte krijuar edhe Këshilli i Agfanëve të Urtë, një paralelizëm me Këshillin e Pleqve hebre të Sionit.

Blushi i shmanget në mënyrë diplomatike realitetit imagjinar që ai prodhon si shkrimtar: “Për të qetësuar të gjithë ata që mund të gjejnë paralele apo ngjashmëri mes Shqipërisë së vitit 2044 dhe Shqipërisë së sotme, dua të them se ky roman është një fiction, pra fantazi dhe asgjë më shumë”.

Por, realiteti është më i hidhur se narrativa e tij futuriste, përceptimi i së cilës pas përfundimit së lexuari të romanit, nuk të duket se lexon një produkt “fiction”, por pamjet e një realiteti ku ti duket se je bashkëjetues me personazhet: Mohamed Duranin, Serafin Pagjinin, Rauf Ficon, Leonid Trockin, Lavi Eltonin, Vaso Tason, Frida Trockin e të tjerë, edhe pse nuk je pjesë e tyre në vitin 2044, por jeton ende në 2023.


 

***

Kështu, pas 20 vjetësh, në Shqipëri do të ketë 200 mijë afganë dhe vetëm 700 mijë shqiptarë. Grupi i dytë etnik pas shqiptarëve. Është pothuajse një katastrofë kombëtare. Një “shtet afgan” brenda shtetit shqiptar.

Gjasat për një kryeministër afgan janë të frikshme. Referencat që përdor Blushi janë reale. Shembulli është Mbretëria e Bashkuar, dikur shteti kolonial më i fuqishëm i botës. Aktualisht, kryeministër është Rishi Sunak, me prindër nga India dhe kryetar i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, me orgjinë nga Pakistani.

Ngjarjet zhvillohen në Shqipërinë e viteve 2043-2044, dhe ajo po bëhet një vend, evropian normal, ku jetojnë të huaj, afganë, sirianë, iranianë, hebrenj dhe gjithë këta, krijojnë një konflikt njerëzor.

Komploti nis që në radhët e para të romanit, tashmë një “bestseller”.

Në vjeshtën e vitit 2043, tre çifutë zhvillojnë një takim rutinë në plazhin e Durrësit.

Por, pikërisht asokohe, në një vend të vogël si Shqipëria, një afgan, Mohamed Durrani, pasuesi i 12-të i linjës mashkullore të Padishahut të madh të Afganistanit të vitit 1747, Ahmed Shah Durranit, ishte emëruar Ministër i Mbrojtjes në qeverinë shqiptare të kohës.

Proamerikan dhe avokat në profesion, i ardhur në Shqipëri në vitin 2021, pas ardhjes në pushtet të talebanëve, Durrani ishte bërë ministri i 67-të i Mbrojtjes së Shqipërisë.

Refugjati afgan Mohamed Durrani bën karrierë në Shqipëri, pasi dashurohet dhe martohet me një vajzë shqiptare katolike, Agetinën, një studente, vajzën e Serafin Pagjinit, një burrë me influencë në Veri, i cili më parë kishte qenë deputet. Ishte ai që i propozoi dhëndrit afgan të bëhej kryetar i Bashkisë së Shëngjinit, të njohur tashmë si qytet afgan. Dhe ai fitoi, edhe me ndërhyrjen dhe ndihmën e amerikanëve, ndaj kandidatit autokton shqiptar.

Një bombë e hedhur në kampion e muxhahedinëve në Shqipëri rrëzoi qeverinë, duke sjellë më pas si kryeministër, ish-diplomatin tashmë 82 vjeç, Rauf Fico, nipi i Rauf Ficos, ministrit të Jashtëm të Shqipërisë njëqind vjet më parë.

Serafin Pagjini, i njohur për influencën e tij nuk e pranoi ofertën e Ficos për t’u bërë Ministër i Mbrojtjes, por propozoi dhëndrin e tij afgan, Mohamed Durranin, për tri arsye: se është i zoti, është afgan dhe është dhëndri i tij. Por, edhe për faktin se shqiptarët nuk kanë bërë asnjë luftë dhe nuk e meritojnë ta drejtojnë Ministrinë e Mbrojtjes, argumentoi deputetit Pagjini. Një propozim, të cilin e ai quajti, për të ndryshuar historinë e Shqipërisë.

Po pse e donin amerikanët me patjetër ministër të Mbrotjes, Mohamed Duranin? Përgjigjen e kishte dhënë Serafin Pagjini. Amerikanët po kërkonin një luftë në Europë. Një luftë që duhej ta niste Shqipëria. Për shkak se në 120 vitet e fundit, fqinjët e saj i kishin marrë territore.

***

Pikërisht, në këtë ditë vjeshte të vitit 2043, kur Kryeministri Fico emëroi ministër të Mbrojtjes, afganin Mohamed Durrani, tre çifutët e krisur po rinin në verandën e një vile, në plazhin e Durrësit. Ata ishin Lavi Elton, Leonid Trocki (një shqiptar nga Gostivari dhe që dikur quhej Hasan Dosti) dhe Simon Shuter (një hebre që vinte nga një familje me origjinë çifute nga Kalaje e Elbasanit). Një takim cinik dhe sadist.

Sionizmi, thoshte Leonid Trocki, shkatërroi kauzën e hebrenjve dhe nevoja e popullit hebre për të krijuar shtetin e Izraelit në tokat e Palestinës, ka shkaktuar pasoja fondamentale, të cilat sot i vuan dhe do t’i vuajë ndoshta edhe për 1000 vjet.

Pasoja e parë e sionizmit, i cili u formulua si teori nga Teodro Herzli në vitin 1986, është rritja e antisemitizmit në Europë dhe krijimi i Gjermanisë naziste. “Pse na duhej ne çifutëve një vend i vogël mes shkretëtirës, kur ne komandonim të gjitha shtetet e mëdha të botës, përfshi Gjermaninë, Rusinë, Francën, Anglinë dhe vetë Amerikën?”, argumenton Trocki.

Pasoja e dytë e Sionizmit është dështimi i Revolucionit të Tetorit apo komunizmit në Rusi, thotë Trocki. Sipas tij, Stalini është shkatërruesi i madh i komunizmit, pas Hitlerit që është i dyti dhe pas sionistëve që janë të parët.

Pasoja  e tretë e Sionizmit, pra e krijimit të shtetit të Izraelit në Palestinë, është nxitja e konfliktit mes Islamit dhe Perëndimit.

Gjyshi im mendonte se shteti i hebrenjve duhej të vendosej në Shqipëri, tha Lavi Elton, i cili ishte nipi i Leo Eltonit, një gazetari me origjinë çifute dhe në vitin 1935, i kishte propozuar Kongresit Botëror Hebre që Shqipëria duhet të kthehej në një shtet çifut. “Nuk do të ishte keq që Shqipëria të quhej Izrael”, thotë Fransuaza, e ëma e Lavi Eltonit.

Çifuti i tretë i krisur ishte Simon Shuteri, njeriu më i urryer në Shqipëri, apo “Gjeniu i së Keqes”. Ai kishte bërë eksperimentin më të madh politik në Shqipëri: kishte zgjedhur kryetar bashkie një kandidat të vdekur. Pikërisht në Elbasan. Qytet që më pas u rënua dhe u kthye në fantazmë, që as nuk pastrohej dhe as ndriçohej.

 

***

 “Intriga e pararendëse e Komplotit” që përdor Blushi në romanin e tij, ka të bëjë me dy linja që në pamje të parë nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Madje me një distancë kohore 130-vjeçare, por që në vazhdimësinë kohore takohen me njëra-tjetrën.

Leon Trocki, revolucionari i njohur rus, ideologu i revolucionit bolshevik në vitin 1917, ishte një gazetar që mbulonte Luftën Ballkanike në vitin 1913.

Ai ishte në disa qytete shqiptare në Maqedoni dhe pasqyroi në gazetat e kohës masakrat serbe ndaj popullisë shqiptare. Por teksa qendronte në një shtëpi shqiptare në Gostivar përdhunoi një vajzë shqiptare 16 vjeçe, vajzën e doktor Ferid Muradit, pikërisht ajo që ishte martuar me Ali Dostin.

Nga ky krim sekdual lindi një djalë memec që Trocki nuk e njohu kurrë, Murad Dosti. Leon Trocki u largua dhe përfundoi i surgjynosur në Meksikë ku edhe u vra në vitin 1940. Por historia e djalit të tij është baza e romanit. Djali i Troclit u bë mjek si gjyshi nga e ëma. Ai Dosti dhe vajza e doktor Muradit ishin të martuar dhe u ndanë për arsyen se ai rezultoi se nuk bënte fëmijë. Murad Dosti ishte memec dhe u martua me një vajzë shqiptare në Gostivar me emrin Zina dhe bëri fëmijë me të një djalë që u quajt Hasan Dosti.

Zina e mësoi përdhunimin nga gjyshja. Kur mësoi për historinë e marrëdhënies së Leon Trockit me të ëmën e vet, Hasan Dosti braktisi Maqedoninë dhe erdhi në Shqipëri nga liqeni i Pogradecit. Ndryshoi emrin në Leonid Trocki në vitin 2011 dhe jeta e tij tashmë kaloi përmes aventurave. Nuk rreshti së thënë se Shqipëria ishte një laborator për të testuar një bombë ideologjike. Ai arriti që në Shqipëri të organizonte një referendum për bashkimin e Shqipërisë me Rusinë.

E bukura është se të dyja historitë me ministrin afgan Mohamed Durrani dhe pasardhësin e Trockit takohen dhe lidhen. Nga njëra në kemi një afgan që u bë ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë dhe kishte mbështetjen nga SHBA dhe nga ana tjetër Leon Trocki i ri që mbështetej nga Rusia.

Këtu romani arrin kulmin e konfliktit.

Afganët e Shqipërisë e eksituar nga lufta kërkojnë të pushtojnë Kosovën, për të krijuar një shtet shqiptar më të madh, dhe më pas një Afganistan mes Europës. Shqiptarët nuk kanë forcë t’i kundërshtojnë.

Projektohet një komplot, sipas të cilit Shqipëria po kthehej në kazus për të nisur Lufta e Tretë Botërore dhe në të njëjtën kohë në Shqipëri do të mbahej një referendum që Shqipëria të bashkohej me Rusinë. Në fakt kjo ështe një luftë mes dy supefuqive mes SHBA dhe Rusisë.

Tre hebrenjtë që u takuan në Durrës, nga ana e tyre përpiqen të thurin një komplot (Pogradeci konsiderohej si qyteti ideal për të eksperimentuar grushtin e shtetit) për të penguar pushtimin e Kosovës nga Shqipëria dhe aleancën e kësaj të fundit me Amerikën.

Leonid Trocki, i martuar me Lanën, që tani e tutje do të quhej Frida Trocki, propozoi një referendum të bashkimit të Shqipërisë me Rusinë. “Ky është përfundimi logjik i natës së parë të martesës mes një komunisti shqiptar dhe një spiuneje ruse”, tha Lavi Elton. Frida, e cila tani nuk ishte më fotografja e dënuar për spiunazh, mendonte se Shqipëria i ishte dorëzuar Amerikës.

Sipas saj, Amerika po bënte eksperimente që nuk i kishte njohur historia me Shqipërinë. Amerika po ripopullonte Shqipërinë që po zbrazej me refugjatë. Ajo po popullohej nga afganët. Kur erdhën në 2021 ishin vetëm dy mijë, tani në 2044 dyqind mijë. Dhe pas dhjetë vjetësh shkonin në 500 mijë. Për njëzet vjet do të ishin në numër të barabartë dhe pas tridhjetë vjetësh do të kishte më shumë afganë se shqiptarë. “Atëherë Shqipëria do të ishte një Afganistan i vogël”.

Të kërkoje të bashkoje Shqipërinë me Rusinë, ishte si të fusje në luftë Shqipërinë me Kosovën.

Dhe rezulton që vetë shqiptarët të dyja këto situata i braktisin. Shqiptarët nuk rrokën armët për të bërë një luftë me Serbinë, ndërsa referendumi arrin të mbahet por në të gjithë vendin kishin votuar vetëm 44 persona.

Dhe rezultati ishte barazim 22 me 22.

Afganët kishin humbur në Kavajë dhe Shqipëria nuk do të bëhej kurrë Afganistan.

“Në Francë, gazetat thonë se shqiptarët u tallën edhe me Amerikën edhe me Rusinë”, tha Fransuazë, mamaja e Lavi Eltonit.

Komploti dështoi!

Por, “Komploti” i Blushit i një Shqipërie imagjinare të vitit 2044 rezultoi një sukses.

Lexo më shumë nga

Zv.ministri Dobi pret zyrtarin belg: Në fokus drejtësia dhe integrimi në BE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Koordinimin dhe Çështjet Evropiane në Ministrinë e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Zv.ministri Dobi pret zyrtarin belg: Në fokus drejtësia dhe integrimi në BE

Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm për Koordinimin dhe Çështjet Evropiane në Ministrinë e…