Balla në Londër: Rezultatet e marrëveshjes së firmosur një vit më parë, mbresëlënëse
Ministri i Brendshëm deklaroi se për Britaninë e Madhe, çështja e imigracionit të paligjshëm të shqiptarëve përmes kalimit të kanalit nuk ekziston më.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deklaroi sot nga Londra se për Britaninë e Madhe, çështja e imigracionit të paligjshëm të shqiptarëve përmes kalimit të kanalit nuk ekziston më.
Balla po zhvillon një vizitë në Britaninë e Madhe ku janë parashikuar takime me zyrtarë të lartë britanikë, mes të cilëve edhe homologun James Cleverly.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, së pari, Balla bashkëdrejtoi me
ministrin për Migracionin, Robert Jenrick takimin e radhës së Komitetit të Përbashkët Mbikëqyrës (KPM), në kuadër të Task Forcës së Përbashkët kundër Migracionit të Jashtëligjshëm (TFPM), ku u vlerësuan rezultatet domethënëse me më shumë se 90% ulje të emigracionit të paligjshëm.
Ndërkohë në një videmoesazh të publikuar në rrjetet sociale, Balla thekson se, rezultatet e marrëveshjes së firmosur një vit më parë janë mbresëlënëse.
“Një vit më parë kryeministrat Rama dhe Sunak ranë dakord të thellojmë bashkëpunimin në tri fusha me interes të përbashkët: Fusha e parë lidhet me çështjet e sigurisë dhe punët e brendshme, duke u përqendruar kryesisht te lufta kundër krimit të organizuar dhe parandalimit të imigracionit të paligjshëm. Fusha e dytë lidhet me ekonominë, zgjerimi i investimeve britanike në Shqipëri, rritja ekonomike dhe investimet dhe fusha e tretë është ajo e inovacionit, rinia dhe arsimi”, bëri të ditur Balla.
“Sot jemi këtu bashkë me ministrat britanik për të bërë një bilanc të vlerësimit tonë të përbashkët, se ku jemi me pjesët që lidhet me punët e brendshme, me luftën kundër emigracionit të paligjshëm. Unë them që rezultatet janë mbresëlënëse. Edhe partnerët tanë britanik, pranojnë faktin se çështja e emigracionit të paligjshëm përmes kalimit të Kanalit nuk ekziston më. Ajo që mendoj unë që është hapi i radhës, që duhet të nxisim bashkë me partnerët tanë britanik, është pjesa që lidhet me emigracionin e ligjshëm. Dua të ndaj me ju faktin se të gjithë ata shqiptarë që kanë ardhur përmes punësimit të përkohshme, të gjithë janë kthyer brenda afatit, duke respektuar legjislacionin në tërësi”, nënvizoi Balla.