Henry Kissinger dhe trashëgimia e tij komplekse në politikën e jashtme amerikane

Më 1969 presidenti Richard Nixon zgjodhi zotin Kissinger si këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare.


Henry Kissinger, ish-këshilltari i Sigurisë Kombëtare dhe ish-Sekretar i Shtetit, ndikimi global i të cilit vazhdoi për dekada me radhë pasi ai i mbajti këto poste në administratën e presidentit Richard Nixon, vdiq në moshën 100-vjeçare, në shtëpinë e tij në Konektikat. Njoftimi për vdekjen u dha nga firma e tij e konsulencave e cila nuk e bëri të ditur arsyen e vdekjes. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Cindy Saine njofton mbi jetën dhe trashëgiminë e një burri shteti amerikan me ndikim, por që ka nxitur edhe polemika.

Henry Kissinger lindi më 27 maj 1923, në Fyrth të Gjermanisë me emrin e lindjes Heinz Alfred Kissinger. Ai dhe familja e tij hebreje u arratisën në Shtetet e Bashkuara për t’u shpëtuar nazistëve.

Ai iu bashkua ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas luftës vijoi studimet në Harvard ku mori edhe doktoraturën dhe më pas u bë profesor në atë universitet.

Më 1969 presidenti Richard Nixon zgjodhi zotin Kissinger si këshilltarin e tij për sigurinë kombëtare. Ai u emërua më vonë edhe Sekretar i Shtetit, duke u bërë personi i parë që mbante të dyja postet në të njëjtën kohë.

Ai u bë i njohur për qasjen e tij ‘realpolitike’ të përqendruar në marrjen e vendimeve praktike diplomatike dhe jo në ato që i kanë rrënjët në një kuadër moral.

Aaron David Miller ka shërbyer për disa administrata republikane dhe demokrate, por jo nën zotin Kissinger.

“Kundërshtarët e tij vlerësojnë se ai ishte i egër dhe i pashpirt. Disa thonë, se ai duhet të vlerësohet si një kriminel lufte, në lidhje me atë që bëri lidhur me Kamboxhian dhe Laosin dhe për politikat e tij ndaj Bangladeshit në fillim të viteve ’70. Por realiteti është se ai gjithashtu ndikoi tek diplomacia në mënyra që ishin të jashtëzakonshme”, thotë Aaron David Miller nga Fondacioni Carnegie për Paqe Ndërkombëtare në Uashington.

Zoti Kissinger i mbajti sekret bombardimet e Shteteve të Bashkuara në Kamboxhia dhe Laos në vitin 1969, të cilat përshkallëzuan Luftën e Vietnamit, duke mos e informuar Kongresin ose publikun amerikan për to.

Zoti Kissinger u takua gjithashtu dhjetëra herë me diplomatin dhe politikanin vietnamez, Le Duc Tho për të negociuar përfundimin e luftës, për të cilën ata të dy u nderuan me Çmimin Nobel për Paqen më 1973. Zoti Le Duc Tho refuzoi të pranonte çmimin.

Zoti Kissinger bëri dy udhëtime në Kinë përpara se të shoqëronte presidentin Nixon në vizitën e parë të një presidenti amerikan në Pekin në vitin 1972, për t’u takuar me udhëheqësin komunist, Mao Ce Dun.

Kjo vizitë u vlerësua si një nga triumfet e zotit Kissinger, por Jarrod Hayes nga Universiteti i Masaçusetsit, ‘Lowell’ ka një pikëpamje të ndryshme, duke thënë se ai ishte mjeshtër i krijimit të një profili të caktuar para publikut.

“Ai e ndryshoi politikën e jashtme përmes praktikës së tij të ‘diplomacisë së vajtje-ardhjeve’ duke e bërë atë interesante. Kjo i jep atij një vend të veçantë në politikën e jashtme amerikane përmes krijimit të një imazhi të caktuar. Por, përtej formës, nëse sheh nën sipërfaqe, qëndrimet e tij të politikës së jashtme nuk i kanë shërbyer edhe aq shumë Shteteve të Bashkuara”, thotë Jarod Hayes, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Masaçusetsit, ‘Lowell’.

Zoti Kissinger vazhdoi të këshillonte çdo president amerikan që nga-ish Presidenti Nixon, përveç presidenti Joe Biden, i cili nuk e ftoi atë në Shtëpinë e Bardhë.

Ndikimi i tij për një kohë kaq të gjatë është i pashembullt, thotë profesori i historisë Michael Kimmage. Ai megjithatë nuk beson se filozofia e zotit Kissinger për ‘Realpolitik’ ka mbizotëruar në politikën e jashtme amerikane.

“Unë mendoj se ai vetë ishte i vetëdijshëm se ajo që mbizotëroi politikën e jashtme amerikane është internacionalizmi liberal i lidhur me Presidentin Woodrow Wilson, i cili themeloi Lidhjen e Kombeve dhe u angazhua në Luftën e Parë Botërore me sloganin, ‘bëje botën të sigurt për demokracinë’. Kjo është me të vërtetë tradita mbizotëruese e politikës së jashtme amerikane dhe zoti Kissinger ishte një lloj kundërshtari i kësaj”, thotë Michael Kimmage nga Universiteti Katolik Amerikan.

Ish Sekretari amerikan Henry Kissinger shkaktoi më shumë polemika në vitin 2022, kur la të kuptohej se Ukraina duhet të jetë e gatshme për të bërë lëshime territoriale për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë./ VOA

Lexo më shumë nga

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.