“Shqiptarët janë një nga racat më të bukura”
Revista franceze “Le Journal de la Jeunesse” e vitit 1880 boton dy gravura shqiptarësh.
Nga Ilir Ikonomi
Një revistë franceze e qershorit 1880, boton këto dy gravura shqiptarësh, shoqëruar me një shkrim të rrallë.
Është interesante se si na shihnin të huajt në atë kohë, e kam fjalën nga ana fizike.
Zgjodha këtë pjesë:
Shqiptarët janë një nga racat më të bukura, ndoshta më e bukura në të gjithë Turqinë. Ata janë më të afërt me grekët sesa me sllavët dhe të kujtojnë tipet më të bukura të malësorëve zviceranë për nga fytyra ovale, hunda e gjatë dhe e hollë, trupi më tepër hollak se i shëndoshë dhe format elegante. Shqiptari ka cilësitë fizike të zviceranëve dhe tirolezëve.
Njëlloj si ata, ai është një këmbësor i guximshëm, u ngjitet maleve porsi dhitë, me pushkën mbi supe por, në ndryshim prej tyre, ai ka një gjallëri e një gaz prej jugorësh që i shtohen mprehtësisë së tij të jashtëzakonshme, e cila të bie menjëherë në sy.
Ashtu si grekët, shqiptarët dallohen si njerëz që e marrin jetën me gëzim, ashtu si u vjen. Krenaria kombëtare shfaqet te çdo fjalë e tyre, te gjestet, madje edhe tek ecja e tyre e lehtë dhe herë-herë teatrale.
(Le Journal de la Jeunesse : nouveau recueil hebdomadaire illustré, 13.6.1880).