102-vjeçari që drejton shoqatën “Avni Rustemi” në Amerikë

102 herë që Vasil Malita ynë pret e përcjell shokë e miq, bashkatdhetarë të udhëve të atdheut e në emigracion.


Nga Kristo Mërtiri

Flamujt kuqezi nëpër udhët e Bostonit në SHBA u shpalosën bukur para syve të shqiptarëve në disa kontinente. Janë festat e 28-29 Nëntorit të një kombi të vogël, me emër të madh në histori. Dhe këtë emër ia dhanë bijtë dhe bijat më të mira, brenda e jashtë mëmëdheut. Janë dy data kur mijëra e mijëra shqiptarë ngrenë flamurin me shtizë në ballkone e penxhere dhe vishen me ngjyrat më vezulluese të simbolit tonë të paprekshëm.

Një shpërthim gëzimi e krenarie jo dosido. E pse jo edhe malli të pashuar në mendje e zemra. Vetëm kush e ka provuar sadopak mërgimin, e ndjen në shpirt zjarrin e këtyre ditëve të shënuara me aq shumë gjak, mund e sakrifica. Në çdo pëllëmbë të tokës mëmë e përtej saj ku gurgullon gjuha shqipe.

Por, një burrë libohovit, çdo 30 nëntor ka edhe minifestën e vet personale. Ka plot 102 vite që e urojnë për ditëlindjen. 102 herë që Vasil Malita ynë pret e përcjell shokë e miq, bashkatdhetarë e bashkëvuajtës të udhëve të atdheut e në emigracion. Derdhen këngët e vendlindjes së shenjtë, e sidomos ajo e mirënjohura: “Mos pandeh se u harrove/ Lule, o Avni Rustemi !”…

Derdhen ligjërimet e kulluara patriotike si burimet e Gushnicës (Zhepës) dhe krojet rrotull Rrapit madhështor, këtij ciceroni të lashtë e arkivi të patjetërsueshëm. Qasen vendës e të huaj rreth kësaj vatre të ngrohtë, emocionuese. Se shqiptarët dinë të nderojnë e vlerësojnë shokun, mikun, bashkëqytetarin në dhera të huaj. Ashtu me djersën e ballit kanë bërë emër të mirë në shumë fusha e udhë të kësaj bote. Për shembull, herë pas here nga Aeroporti i Rinasit niset me avion edhe një gazetë e thjeshtë me emrin “Libohova”. Shkon përtej deteve e oqeaneve. E dërgon miku im Pëllumb Kumbaro me shokë. Veçse vendqëndrimi i parë është Bostoni.

Posta troket te shtëpia e Vasilit 102-vjeçar, kryetar i Degës së Shoqatës Patriotike-Kulturore “Avni Rustemi”. Kuvendojnë si i gjalli mes të gjallëve, si libohoviti me libohovitin e dashur të çdo pragu. Një kuvendim jo i rëndomtë. Historikisht kështu. Kuvendim shqiptarie…

Të gëzosh 102-vjetorin e lindjes nuk është pak. Është mbi një shekull jetë! Aq më tepër kur drejton edhe degën e shoqatës emërdashur në emigrim. Mbetur jetim qysh 14 vjeç, filloi të mësonte zanatin e rrobaqepësit. Por Libohova dhe Shqipëria kishin halle të tjera më të mëdha. U lidh ngushtë me luftëtarët antinazifashistë. Madje sivjet festoi edhe 80-vjetorin e daljes partizan. Kujtoi Vithkuqin e Korçës, ku në korrik 1943 u rreshtua në Brigadën e Parë Sulmuese. Pa vënë ende brisk në faqe, mori pjesë në të gjitha luftimet e njohura në historinë e LANÇ.

Ishte dhe mbeti artilier i fortë dhe trim. Ky ishte “universiteti” i tij i parë. Pas Çlirimit, oficer artilerie e pastaj në repartin e xhenios në Tiranë. Mirëpo, deri këtu ishte karriera e tij ushtarake. Krisjet e thyerjet i ndjeu që në 1945, kur befas xhaxhai Lame u arratis bashkë me familjen e vet. Por ideali i Vasilit ishpartizan nuk u thye kurrë! Çfarëdo gurësh të të hedhë jeta mbi shpinë.

Megjithëse kushërinjtë e parë u bënë njerëz të nderuar e të respektuar në Amerikë, por sistemet politike lënë gjurmë jo të pakta. Më tepër të acarta. Lum kush mbetet Njeri i mirë! Fukarallëk, maskarallëk! – thonë shpesh në Libohovë. Nuk është rastësi që emrin e Vasilit e kam dëgjuar shpesh në veprim taritë e shoqatës “Avni Rustemi” në Tiranë. Të gjithë flisnin me dashuri për këtë shqiptar e libohovit 24 karat. Kur doli në pension të parakohshëm “për arsye shëndetësore” 50 vjet më parë, nuk e humbi toruan, – rrëfen plot kënaqësi Ajaz Rustemi, nipi i Heroit të Popullit.

– Sepse hija e arratisjes së xhaxhait fukara sikur e ndiqte në çdo hap. Brezi ynë e mban mend mirë atë shtëpinë private tek ish-Parku i Autobusëve. Po kështu, kopshtin e tij (bahçe) të mbytur nga pemët frutore, që e kishte zili tërë lagjja. Duart e tij nuk pushonin. Bashkë me gruan Agllai, sot 95 vjeçe! Një çift i rrallë. Kanë 4 fëmijë, njëri më i mirë se tjetri. Vasili ka 18 vjet që drejton Degën e Shoqatës në Boston. Gjysh e stërgjysh i veçantë. Nuk pushon së treguari për Libohovën, për Tiranën, për LANÇ, për Shqipërinë mëmë të djeshme e të sotme.

Shoqata jonë e ka nderuar me Certifikatë Mirënjohjeje. Meriton shumë ky burrë fisnik dhe i mençur, me kokën plot mbresa e kujtime të gjalla. Por edhe familja e tij që mban lart emrin e Libohovës e të Shqipërisë, me punë e ndershmëri, me zotësi, qytetari e kulturë perëndimore. Në Boston, Filadelfia e gjetkë. Nga kuotat e anëtarësisë dhe nga xhepi, përveç veprimtarive të ndryshme në Amerikë, ai ka 15 vjet që nuk nguron të sponsorizojë gazetën tonë. Dhe nuk i bie gjoksit kurrë, por vetëm merakoset për mbarëvajtjen e saj. Ditën që i mbërrin gazeta “Libohova”, e kthen në ditë të gëzuar në familje e shoqëri… Emigrantëve të tillë u fryn era e atdheut në çdo hap, sepse sot nuk është koha e heronjve. Sot është edhe koha e pehlivanëve.

Mjaft politikanë e biznesmenë as që pyesin për fatet e barkboshëve, të fakirfukarenjve. E as për fatin e atdheut. Pyesin vetëm për xhepat e tyre dhe për shtimin e pasurive e të llogarive bankare! Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm hapin sytë e vështrojnë shkëlqimin e tyre të rremë. Përballë punëve të veprimtarëve të shquar shoqërorë e patriotë, thartojnë gjuhën e buzën ose tundin zinxhirin e byzylykut prej ari. Rrëmbe të rrëmbejmë! Kjo është motoja e këtyre biçimsëzëve.

Vallë, ç’do të thoshin përballë Vasilit 102-vjeçar e përballë të tjerëve? (Kur po mbaroja këto shënime, befas lexova në media ekrane apo mejhane ?) prononcimin e një “karcini vjeshte” në gazetari, ku hidhte baltë fare qesimce mbi figurën e ndritur të Avniut, Heroit të Popullit tonë. Pashë edhe reagimet e shumta të lexuesve në internet. Reagime të natyrshme, irrituese me të drejtë. Guxim të madh paska ai çapaçul, që i thotë vetes “historian” akshami, pa mbaruar hiç studimet e larta në këtë fushë.

Guxim fluturaku që kërkon të lëndojë shpirtin patriotik të njerëzisë në 2023. Në një kohë që drejtësia ndërkombëtare dhe historia e kanë thënë fjalën e tyre me kohë e me vakt. Pastë faqen e zezë, bashkë me ekranet që i hapin vend e pa vend mendimit të tij cartalloz, aguridh e karagjoz). Gjatë vizitës së fundit në Shqipëri, Vasil Malita vajti dhe piu ujë me grushte te burimi jetëgjatë i Gushnicës (Zhepës) në Libohovë.

Të vetmen “pasuri” që mori me vete në Amerikë ishte një grusht dheu i selitur nga vendlindja e shtrenjtë. “Ma vendosni nën kokë, kur të shkoj në atë botë”. Kaq u tha të afërmve në Boston… Si dheu yt nuk ka. Lum ai që nuk e mohon gjakun e vet! Se pasuria vjen e shkon. Por dinjiteti rron, ore rron! “Hamësit e mëdhenj” harrohen shpejt nëpër kullotat e nepsit dhe të epshit jo njerëzor. Poeti ua përplas në fytyrë, jo pas krahëve: “…Ju shoh/ Dhe dridhem si fletët e lofatës./Më duket sikur i futni dhëmbët/Në muskujt e mi/Dhe jo në muskujt e kuq të domates/Ju hamës/ Triumfatorë të luftës me emrin lakmi”.

Begaj takon fituesit e konkursit të gjuhës shqipe: Alfabeti, simboli më i bukur i bashkimit kombëtar

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës,…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Begaj takon fituesit e konkursit të gjuhës shqipe: Alfabeti, simboli më i bukur i bashkimit kombëtar

Në 116-vjetorin e Kongresit të Manastirit, në nderim të dijetarëve shqiptarë që vendosën njësimin e alfabetit shqip, Presidenti i Republikës,…