Klitschko: Zelensky më pak popullor, po paguan për gabimet
Popullariteti i Volodymyr Zelensky është në rënie pasi njerëzit shohin se kush është efektiv dhe kush jo.
Popullariteti i Volodymyr Zelensky është në rënie pasi njerëzit shohin se kush është efektiv dhe kush jo. Pritshmëritë ishin dhe janë të medha dhe Zelensky po paguan për gabimet që ka bërë, tha kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klitschko, në një intervistë për gazetën zvicerane “20 Minuten”, duke kritikuar edhe një herë presidentin ukrainas.
”Njerëzit pyesin pse nuk ishim më të përgatitur për këtë luftë, pse Zelensky e mohoi deri në fund se kjo do të ndodhte, apo pse rusët avancuan në Kiev kaq shpejt”, tha ai.
”Kishte shumë informacione që nuk korrespondonin me realitetin”, tha kryebashkiaku.
“Presidenti sot ka një funksion të rëndësishëm dhe ne duhet ta mbështesim atë deri në fund të luftës. Por në fund të kësaj lufte çdo politikan do të paguajë për sukseset apo dështimet e tij”, shtoi ai.
Lidhur me ambiciet e tij politike për presidencën ukrainase, Klitschko theksoi në çdo rast se do të ishte marrëzi të mendohej për këtë sot, kur çështja e vetme është nëse Ukraina do të vazhdojë të ekzistojë ndërsa ushtria ukrainase po lufton për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
Përsa i përket situatës në front, kryebashkiaku tha se komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Valery Zaluzhny ka thënë të vërtetën kur e quajti luftën një ngërç.
“Sigurisht që ne mund të gënjejmë në mënyrë euforike njerëzit dhe partnerët tanë. Por, ne nuk mund ta bëjmë këtë përgjithmonë”, theksoi ai.
(Marrë nga ATSH)