Lamtumirë Mirush Kabashi! Lamtumirë shok dhe mik i madh!

Mirush Kabashi, ti ishe i Durrësit dhe mbetet përjetësisht i Durrësit dhe i durrsakëve!


Nga Bujar Qesja, Mjeshtër i Madh

Kam shkruajtur për shumë e shumë. Dhe do të vazhdoj të shkruaj për shumë e shumë të tjerë. Po pse po vonohesha të bëja inmemoriamin e këtij rasti, aq më shumë kur kjo bënte fjalë për një shok e mik të hershëm, për një bashkëqytetar, që kemi hëngër bukë me një çanak siç thotë urtësia?

Nuk u nguta dhe jo pa shkak. Mirushit i doli e keqja për largimin nga jeta disa herë, aq sa u bë si fabula e famshme e Zylfos, kur talli një fshat të tërë. Doja të sigurohesha. Dhe tjetër arsyje se nuk mundej ta besoja, se ai i Mirush që kisha takuar për herë të fundit me 11 qershor 2023, në 90-të vjetorin e Mirban Kadiut, do të na linte, në mëdyshjen e lajmeve që vijnë pas mesit të natës.

Shumë po shkruhet pë ndarjen nga jeta të Mirush Kabashit. Mbase edhe më tej do të shkruhet. Dhe secili është në të drejtën e tij. Bëhet fjalë për një artist të madh të kombit shqiptar. Por pasi u binda, se nuk kishim të bënim me të pavërteta dhe pasi gjithashtu mësova për pak çaste veten për këtë humbje të konsiderueshme, u ula së bashku me dhimbjen dhe po hedh në letër fjalët e mia, mendimet e mia, pjesë të zemrës time, për këtë mik e shok të viteve të fëmijërisë.

Mirush Kabashi! Vëllai i tretë nga të katërt , duke qenë i pari Saliu, i dyti Kujtimi dhe pas tij Gëzimi. Familja me origjinë gjokavare, kishte ardhë herët në Durrës, ndonëse Mirushi lindi në Shkodër me 17 prill 1948. Në konkurimin e trupave amatore ndërmjet shkollave të mesme të Durrësit, në grupin fitues të gjimnazit “Naim Frashëri” shkëlqeu një nxënës. Dhe ky nxënës do të ishte “Artisti i Merituar”, “Mjeshtëri i Madh” dhe “Nderi i Kombit” Mirush Kabashi.

Me 11 qershor 2023, familja e Mirban Kadiut, vajzat dhe dhëndurrët, do të organizonin një drekë për miq dhe shokë në lokalin e Tan Petanit. U lajmëruan notarë të vjetër durrsakë dhe jo vetëm. Por si mund të lihej Mirush Kabashi, mik jo vetëm me ne, por me çdo gur të Durrësit ku u rrit dhe mësoi, se si mund të bëheshin gjërat e mira dhe të çmuara në këtë jetë?


Aktori Mirush Kabashi dhe gazetari Bujar Qesja

Mora detyrë ta njoftoja. E dinim fort mirë gjendjen tënde fizike Mirush. Por dinim fort mirë edhe gjëndjen tënde shpirtërore, zemrën tënde aq të ndjeshme kur bëhej fjalë për Durrësin dhe durrsakët.

Para se të fillonte buka, dëgjoj thirrjen tënde nga telefoni:

-Erdha Bujar, këtu afër jam! Nuk mund të rrija pa kujtuar Bonin tonë aq të dashur, por edhe ato durrsakë aq të ëmbël, ku kam bërë not dhe kemi hedhur shtat së bashku.

Mirush Kabashi është pritur me duartrokitje. Sa na e bëri qejfin! Njerëzit e mëdhenj kanë me vete armën më kryesore: dashurinë, respektin dhe thjeshtësinë. Dhe tek Mirushi, që të trija ia qendisnin portretin dhe e lartësonin si njeri. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në shumë të tjera si ky, Mirush Kabashi ishte i Durrësit dhe mbeti i Durrësit, për të mos e thënë edhe këtë tjetrën: është i përjetshmi ynë. Durrsakët e donin Mirushin dhe gjithnjë e thonin me mburrje “Mirushi ynë”, “Mirushi i jonë” dhe ai ua kthente me të njëtën monedhë. I donte deri në thellësinë e pafund të shpirtit të tij, pa dallim, madje edhe ato ciganë të thjeshtë dhe të varfër.

Vetë Mirushi kujton një rast dhe këshillon se sa të vëmëndshëm duhet të jemi, kundrejt njerëzve në hall. Dhe ja se çfarë i kishte ndodhur mjeshtrit:

“Duke ecur dëgjoj një adoleshent që ishte me karrocë dhe thërriste ‘o xhaxhi, o xhaxhi’. I thashë nuk kam para të vogla dhe vijova rrugën, por ai vazhdonte të thërriste. Më pas unë u ndala dhe ai më dhuroi një mollë dhe më tha se më kishte parë në një film. Më besoni se mu duk vetja milingonë në atë moment. pra kur të vijë çështja për ndihmë ne duhet të japim për të tjerët”.

Dhe pas kësaj, Mirushi do të recitonte një poezi, vargjet e para të së cilës po i bëj të njohura:
Shpirti ka vler, trupin çe do.

Por kur nuk ke bujarin as nder e as virtyt

I humbur për jetë do jet emri yt.

Ai do të prehet thellë nën dhe.

Dhe shpejt do te harrohet nga të gjith ne.

Mëngjes i trishtë ky i kësaj të marte, 5 dhjetor 2023. Kohë e ftohtë dhe qielli është në ngjyrë gri. Kohë i idhët. Kohë e ligsht. Dhe ky mot kështu bëhet edhe më i ligsht edhe më i ftohtë edhe më i acartë dhe i akullt, nga largimi nga jeta i Mirushi tonë, Mirushi i Durrësit, Mirushi i durrsakëve.
Teksa lexoja profesorin e njohur Josif Papagjoni, mësova diçka të re që nuk e dija. Pse u anua nga humori aktori ynë i çquar?

-Në një moment të caktuar, ai mori pjesë në një dramë që e kishte vënë në skenë Pirro Mani. Mirushi doli në skenë dhe ngatërroi një fjalë; thoshte: a keni një “shkapse, shkupse, shkrepëse”. Kjo ngatërresë krijoi shumë ilaritet dhe menjëherë Mirushi spikati si një aktor që mund të luante në komedi. Ai spikati vetëm me një batutë dhe menjëherë u identifikua si një aktor komik. Dhe ka qenë gjenia e Piro Manit që e ka zbuluar dhe më pas, ai u bë një aktor i jashtëzakonshëm i komikes.
Kur mbaroi artet erdhi në Durrës, duke u rreshtuar në gardën e vjetër të aktorëve të famshëm të teatrit “A. Moisiu”. Ishte viti 1970. Dhe për 20 vite, Mirush Kabashi e çoi edhe më tej nderin e teatrit të Durrësit. U kthye në mburrja e durrsakëve, që kur binte fjala se çfarë akttorët të talentuar kishim, ne përmëndnim menjëherë: Mirush Kabashi.

I kam parë sot kokëulur durrsakët e mi dhe durrsakët e tu Mirush Kabashi. Jam i sigurtë se tashmë, po më dëgjon nga parajsa yte Mirush. Po qajnë për ty. Fytyrën po e lajnë me lot dhe dhimbja i është varuar nga shpirti i copëtuar. Arti yt së pari na bëri nder ne durrsakëve, që shisnim mënd me ty, që na ngrije kokën kur dëgjonim të thoje shpesh “ju durrsakëet e mi”. Dhe sigurisht binom i fuqishëm mbijetoi: “Ti ishe i joni dhe ne ishim të tutë”.

Lajmin e mësova vërtet në mesnatë, ndonëse shkrimin po e bëj në mesditë. Dhimbja nuk është e lehtë për tu kapërdi. E sidomos zemra si e imja, e plagosur dhe e dëmtuar rëndë, këtë dhimbje e transmeton në mënyrë të trishtueshme. Nuk do të mësohemi me ikjen tënde! Dhe tash më duket, më i pabesueshëm lajmi i largimit tënd nga kjo jetë. Pasi nuk mund ta mendoja, se 11 qershori i vitit 2023, do të ishte edhe takimi i fundit i joni. Dhe këtë nuk do ta besoj edhe pas kësaj. Se mos vetëm unë?! Asnjë në Durrës nuk e mendon, se nuk do ta shoh më Mirushin Kabashin, Mirushin e tyre, Mirushin tonë.

Rruga jote e artit,e skenës, e filmit, e kulturës që ushqehej natë e ditë me talentin e rrallë, dihet. Nuk mund ta ngarkoj lexuesin me të tani. Por dua t’i rikujtoj që luajte 100 role në teatër dhe mbi 20 të tilla në kinematografi. I ndiqnim hap pas hapi përparimet e tua dhe i diskutonim. U gëzuam shumë, kur në Festivalin Kombëtar të Teatrove Profesioniste në vitin 1989, dole “Aktori më i mirë”. Po kështu edhe në Festivalin Teatror Ballkanik të zhvilluar në Korinth të Greqisë. Po kështu edhe në “Apollon 2002”.

Kulmi që tronditi të madh e të vogël, e sidomos në këtë Durrësin tonë të bukur dhe vlerë e artit, ishte viti 1997. Në edicionin e nëntë të Festivalit Eksperimental të teatrit të organizuar në Kajro të Egjiptit, ti Mirushi ynë i shkëqlyer u vlerësove me “Sfinksin e artë”, si interpretuesi më i suksesshëm mes njëmijë aktorëve pjesëmarrës nga dyzetegjashtë vende të botës.

Lajm i rëndë u përhap këtë të martë. Është 5 dhjetor 2023. Ditë që është me peshë të rëndë të një dhimbje dhe trishtimi të pamatë. Sëmundje e rëndë e kishte prekur Mirush Kabashin para tri vitesh. E pazakontë rezistenca e tij. Por e pabesë kjo sëmundje, ia rëndoi sërish fizikun. Dhe duhet ti drejtohemi kujtesës, mosharresën dhe të themi gjithnjë dhe me mburrje:

Mirush Kabashi, ti ishe i Durrësit dhe mbetet përjetësisht i Durrësit dhe i durrsakëve!
Lamtumirë shok e mik i madh!

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

"Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi. Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç"

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Historia e Kongresit të Manastirit dhe stërgjyshi im Simon Shuteriqi

"Njëri prej 32 delegatëve ishte edhe stërgjyshi im nga nëna, Simon Shuteriqi. Në vitin 1908 ai ishte vetëm 25 vjeç"