Pse u rrit ndjeshëm ekonomia kineze këtë vit?

Ekonomia kineze, ekonomia e dytë më e madhe e botës, u rrit në mënyrë të dukshme gjatë këtij viti.


Nga Fatos Çoçoli

Ekonomia kineze, ekonomia e dytë më e madhe e botës, u rrit në mënyrë të dukshme gjatë këtij viti. Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave(BKS) të Kinës, ekonomia rifitoi vrullin në tremujorin e tretë, me Produktin e Brendshëm Bruto të vendit (PBB) të rritur me 4.9 përqind më shumë gjatë tremujorit korrik-shtator 2023, në krahasim me të njëjtën periudhë një vit më parë. BKS theksoi se ekonomia u zgjerua me 1.3 përqind në bazë tremujore, pra nga tremujori i dytë në tremujorin e tretë, duke rifituar një vrull të konsiderueshëm rritjeje.

Kjo ka ndodhur dhe si pasojë e punës së qeverisë kineze, e cila i ka shtuar përpjekjet e saj për të rigjalleruar rritjen e qendrueshme të ekonomisë së vendit, me masa që përfshijnë uljen e normave të interesit, për të nxitur konsumin, heqjen e kufizimeve për blerjet e shtëpive dhe blerjen e makinave në tregun e brendshëm, si dhe përshpejtimin e projekteve të infrastrukturës dhe lehtësimin e kontrollit të kapitalit, për të tërhequr akoma dhe më shumë investimet e huaja.

Në tremujorin e tretë të këtij viti, ekonomia kineze u rrit më shumë se parashikimi prej 4.6 përqind i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe se parashikimi prej 4.4 përqind i grupit të analistëve të agjencisë ndërkombëtare Reuters.


Byroja e Statistikave të Kinës (Foto Yicai Global)

Në nëntë muajt e parë të këtij viti janar-shtator 2023, ekonomia u shtua me 5.2 përqind më shumë nga e njëjta periudhë një vit më parë. Në tërësi, zhvillimi ekonomik i Kinës jo vetëm është në një linjë me parashikimin e qeverisë kineze për një rritje me 5 përqind këtë vit, por ka shumë mundësi që ta tejkalojë këtë parashikim.

Më 15 nëntor 2023, Fondi Monetar Ndërkombëtar përmirësoi prognozën e tij të rritjes së PBB-së për Kinën në vitin 2023, duke i shtuar 0.4 përqind parashikimit të tij të mëparshëm. FMN pret që ekonomia e Kinës të rritet me 5.4 përqind këtë vit.

Zëvendës-Drejtoresha e Parë Menaxhuese e FMN-së, Gita Gopinath, u shpreh se “Ne kemi rishikuar rritjen me 0.4 pikë përqindjeje në të dy vitet, në krahasim me parashikimet tona të tetorit 2023, duke reflektuar një rritje më të fortë se sa pritej në tremujorin e tretë dhe mbështetjen e politikës së re te qeverise kineze, e cila u njoftua së fundmi”.

Rishikimi në rritje i parashikimeve të FMN-se, i atribuohet miratimit nga ana e qeverise kineze dhe nga Parlamenti i Kinës të emetimit të obligacioneve sovrane prej 1 trilion juanë (137 miliardë dollarë amerikanë), si dhe të masave energjike për të mbështetur ekonominë.

Më 24 tetor 2023, Parlamenti i Kinës miratoi emetimin e obligacioneve sovrane të mësipërme, si dhe Ligjin për të lejuar qeveritë lokale të ngarkojnë një pjesë të kuotave të tyre të obligacioneve për vitin 2024. Fondet e mbledhura nga obligacionet e reja sovrane po mbështesin rindërtimin e zonave të goditura nga fatkeqësitë natyrore në vend, sidomos nga permbytjet masive të pranverës dhe verës 2023. Ato po përmirësojnë infrastrukturën e kullimit urban, për të rritur aftësinë e Kinës për t’i bërë ballë fatkeqësive natyrore.

Në tërësi, gjatë gjithë këtyre viteve të fundit, Kina ka ndjekur një politikë fiskale proaktive, duke ulur ose duke i mbajtur të pandryshuara taksat mbi punën dhe kapitalin, si dhe duke nxitur prodhimin industrial dhe konsumin e brendshëm, krahas stimulit dhe promovimit të përhershëm të eksporteve të saj.

Nga ana tjetër, stimuli i ardhur nga vendimi i fundit i tetorit 2023 i qeverisë dhe Parlamentit të Kinës, sollën që konsumi i brendshëm dhe prodhimi industrial të befasonin në shtator 2023 me shtimin e tyre. Sipas Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, vetëm për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, prodhimi industrial u rrit me 3.8 përqind.

Kjo ka sjellë që edhe për këtë vit, Kina të ruajë për të trembëdhjetin vit rradhazi pozicionin e saj si fuqia më e madhe industriale në botë, ndërsa për të gjashtin vit rradhazi, Kina po ruan edhe këtë vit pozicionin e saj si vendi më i madh në botë, përsa i përket tregtisë së mallrave.

Ndërmarrjet private përbëjnë mbi 50 përqind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së mallrave të Kinës. Investimi total i aseteve fikse në ekonominë e këtij vendi, një masë e rëndësishme e shpenzimeve kapitale, arriti në 24.3 trilion juanë në fund të shtatorit 2023, ose me një rritje prej 3.1 përqind, në krahasim me nëntëmujorin e vitit të kaluar.

Të gjithë analistët, si ata vendas dhe të huaj, bashkohen në konstatimin e tyre, se në Kinë këtë vit është shtuar ndjeshëm konsumi. Shitjet me pakicë, një matës i shpenzimeve konsumatore, ishin 5.5 përqind më të larta në shtator 2023, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.


Fondi Monetar Ndërkombëtar (Foto Telegrafi)

Qeveria kineze ka kërkuar të nxisë prodhimin, përmes implementimit të teknologjisë së lartë në të gjithe sektorët prodhues dhe po synon vetë-mjaftueshmërinë teknologjike. Administrata e Presidentit Xi Jinping po përpiqet ta largojë ekonominë kineze nga investimet e nxitura nga borxhi, si ai i qeverise qendrore dhe borxhet e qeverive lokale, duke pare drejt rritjes më të qëndrueshme, të mbështetur nga shërbimet ndaj konsumatorit dhe produktet e teknologjisë së lartë dhe të inteligjencës artificiale,

Prodhimi industrial, i cili fuqizoi rritjen kineze gjatë pjesës më të madhe të tre viteve të fundit, ishte 4.5 përqind më i lartë në shtator 2023, nga shtatori 2022.

Pas takimit Biden-Xi Jinping më 15 nëntor 2023 në San Francisco, parashikimet janë për një relaksim dhe ripërmasim në rritje të marrëdhënieve tregtare dhe ekonomike SHBA-Kinë, sidomos pas pasigurisë së krijuar në tregjet botërore, nga lufta midis Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme.

Analistët e bankës ndërkombëtare Goldman Sachs u shprehën se të dhënat e fundit sugjerojnë “më shumë kërcime të gjelbra” në ekonomine kineze në tremujorin e katërt tetor-dhjetor 2023, në pritje të masave të mëtejshme lehtësuese të politikave të Pekinit zyrtar.

Marcella Chow, stratege e tregut global në bankën ndërkombëtare JP Morgan, në drejtorinë e Menaxhimit të Aseteve, u shpreh se sektorë të tillë, si prodhimi i avancuar dhe energjia e rinovueshme, duhet të përfitojnë nga mbështetja e qëndrueshme e politikave nxitëse të qeverisë kineze.

Zhvillimi i energjisë së rinovueshme, duke përfshirë energjinë e erës në det të hapur, ka njohur rritje të shpejtë në vend. Inovacioni teknologjik i kompanive kineze, si atyre private dhe shtetërore, po e shtyn ekonominë industriale të Kinës drejt zhvillimit të nivelit të lartë, inteligjent dhe të gjelbër.

Për të gjitha këto arësye, Kina është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e qeverisë së saj për një rritje ekonomike prej 5 përqind për këtë vit, madje duket se do ta tejkalojë këtë objektiv, me ekonominë që vazhdon të përmirësohet në tremujorin e katërt dhe me parashikime optimiste edhe për vitin 2024.

Ndërkohë, Samiti i 24-t Kinë-Bashkim Evropian do të zhvillohet në Pekin në datat 7-8 dhjetor 2023. Ky do të jetë Samiti i parë, që nga viti 2019, me takime Kinë-BE në nivele fizike të drejtuesve më të lartë.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të shoqëruar nga Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, do të takohen me Presidentin kinez Xi Jinping dhe Kryeministrin Li Qiang në dy seanca të veçanta.

Samiti do të përbëjë një mundësi të mirë në nivelin më të lartë, që të dyja palët të intensifikojnë marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe tregtare, duke zbatuar ndaj njera-tjetrës politika të hapjes reciproke. Duhet theksuar se Kina i është përmbajtur gjithnjë një politike të hapjes së plotë në shkëmbimet tregtare dhe investimet e ndërsjellta me të 28 Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian.

Në vitin 2022, Kina ishte partneri i tretë më i madh për eksportet e mallrave të Bashkimit Evropian, me 9 përqind të vëllimit të tyre dhe partneri i parë për importet e mallrave kineze në BE, me 20,8 përqind të totalit të mallrave që të 28 Shtetet Anëtare të BE-së importojnë nga bota.

Ky vëllim tregtar ka ardhur duke u rritur ndjeshëm edhe gjatë këtij viti. Një nga pikat kyçe të bisedimeve në Samit do ta përbëjë diskutimi i mënyrave për të siguruar një marrëdhënie tregtare më të ekuilibruar dhe reciproke, si dhe stimulim të mëtejshëm të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, si ndryshimi i klimës, siguria ushqimore, shëndeti global dhe gatishmëria për t’u mbrojtur ndaj pandemive eventuale në të ardhmen.

Burimi: CRI.CN

Lexo më shumë nga

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…