Gonzato: Shqipëria, aset i madh për Bashkimin Evropian!
Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian: Shqipëria është provuar si një partner i besueshëm i BE
Ambasadori i ri i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato deklaroi sot se, Shqipëria është një aset i madh për Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij në takimin e thirrur nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Instituti i Studimeve Ndërkombëtare, Gonzato foli për vlerat e Shqipërisë, nisur nga përvoja e tij personale.
Gonzato u shpreh se, Shqipëria është provuar si një partner i besueshëm i BE në arenën ndërkombëtare.
“Unë vij nga Nju-Jorku ku kam parë se sa të aftë kanë qenë diplomatët tuaj për të siguruar që Shqipëria si anëtare e Këshillit të Sigurimit të mund të kontribuojë vërtetë në mbrojtjen e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Me të vërtetë ka qenë fantastik bashkëpunimi me ta”.
Ai theksoi se, Shqipëria vlerësohet për rolin e saj në rajon, si i vetmi vend pa probleme fqinjësie.
“Shqipëria është një aset i madh për Bashkimin Evropian nuk ka dyshim për këtë. Një kontribut tjetër që Shqipëria duhet të japë është roli i saj konstruktiv në nivel rajonal, diçka që vlerësohet shumë në Bruksel. Shqipëria është një faktor domethënës për paqen dhe stabilitetin në rajon”, theksoi Gonzato.
Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Alvaro Renedo Zalba nënvizoi se jo vetëm Evropa i jep Shqipërisë, por edhe Shqipëria i jep Evropës, prandaj vendi i saj është në Bashkimin Evropian.
Ndërsa, kryetari i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Albert Rakipi nënvizoi se, “ka ardhur koha që narrativa dominuese e deritanishme se çfarë Evropa mund të bëjë për Shqipërinë dhe Ballkanin të sfidohet nga narrativa tjetër se çfarë Shqipëria dhe vendet e Ballkanit mund të kontribuojnë për Evropën. Është e rëndësishme që të shohim edhe arsyet pozitive se përse BE-ja duhet të zgjerohet me anëtarë të rinj nga Ballkani Perëndimor, përfshi edhe Shqipërinë”.
Për të dytin vit radhazi, Instituti i Studimeve Ndërkombëtare dhe një numër partnerësh shqiptarë dhe të huaj, ndër ta Ambasada spanjolle, në cilësinë e mbajtëses të Presidencës së radhës të BE-së, Delegacioni i Bashkimit Evropian dhe ambasadat e Italisë, Gjermanisë, Austrisë dhe Greqisë, organizuan Konferencën Ndërkombëtare rreth perspektivave të integrimit evropian të Shqipërisë. E organizuar si një debat i hapur, Konferenca mblodhi në një studiues të çështjeve evropiane, akademikë, diplomatë, gazetarë nga Shqipëria, Spanja, Italia, Gjermania, Austria, Greqia etj.
E veçanta e këtij debati ishte se ai synonte të eksploronte narrativat e përfitimit të ndërsjellë të integrimit evropian. Ndërsa narrativa mbizotëruese për procesin e integrimit evropian mbetet ajo fuqisë transformuese të këtij procesi, konferenca theksoi se ka ardhur koha të analizohet edhe kahja tjetër e këtij procesi, ajo se çfarë Shqipëria dhe vendet e rajonit i sjellin Bashkimit Evropian, çfarë kontributesh strategjike dhe vlerash të shtuara sjellin ato sot dhe në të ardhmen.
Në panelet e Konferencës u diskutua se çfarë sjell konkretisht Shqipëria dhe rajoni në BE-në e sotme dhe të nesërme, dhe cili është kontributi i saj në shkallë rajonale dhe ndërkombëtare, duke iu referuar rolit të saj si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit.
(Marrë nga ATSH)