Respektimi i ndarjes së pushteteve i sjell efektivitet Reformës në Drejtësi
Konferenca “Reforma në drejtësi në Shqipëri dhe roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në forcimin e shtetit të së drejtës”
Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani mori pjesë në konferencën “Reforma në drejtësi në Shqipëri dhe roli i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në forcimin e shtetit të së drejtës”, organizuar nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, në kuadër të projektit të platformës Cluster 1.
Në fjalën e tij, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nënvizoi kënaqësinë, për vëmendjen që kanë organizatat e shoqërisë civile mbi punën e ILD-së.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë u ndal në arsyet, që çuan në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe arkitekturën e re të institucioneve të drejtësisë, si baza për një mentalitet të ri shoqëror, atë të respektimit të ndarjes së pushteteve, që në këndvështrimin e tij, sot nuk po transmetohet.
“Shoqëria, për shkaqe, dhe nuk e gjykojmë dot shoqërinë, sepse për shkak të mungesës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, sot qytetarët nuk marrin drejtësi. Kjo është evidente dhe natyrisht jemi në këtë anë të shoqërisë, por nga ana tjetër edhe organet e reja të drejtësisë ILD, KLGJ, KLP po marrin masa aq sa u takon në ligj, që të adresojnë këto çështje. Por nëse drejtojmë gishtin, pa kuptuar problematikën, pa kuptuar punën e organeve tona, standardet që po mundohemi të ngremë me shumë vështirësi, të cilat në këndvështrimin tonë, nuk i përgjigjen debatit politik të momentit, por i përgjigjen sfidës së të ardhmes dhe ajo që po mundohemi të ngremë është për 10 vitet që vijnë, për 15 vitet që vijnë, jo për zgjidhje të situatës, sepse ne e zgjidhim situatën sot, por me shumë gjasa do kthehet në një precedent, të cilin do ta vuajmë pas 10 vitesh. Dhe kështu rrotullohemi përsëri në një rreth vicioz. Dhe për këtë arsye duhet të kuptojmë përse u krijua reforma në drejtësi dhe ndarja e pushteteve. Në momentin që fillojmë kuptojmë dhe ta pranojmë këtë ndarje pushtetesh me shumë vështirësi, atëherë do i krijojmë vetes një lehtësi të madhe për të ardhmen. Janë shumë vështirësi për momentin, por të paktën e kemi rrugën e qartë për të ardhmen, me një vizion të qartë për të ardhmen. Ky është këndvështrimi im për atë që po ndodh sot. Mund të mos biem dakord padyshim, por unë mendoj që 30 vjet e provuam të kundërtën e kësaj që ndodh sot, dhe erdhëm këtu. Atëherë ta provojmë të respektojmë ndarjen e pushteteve.”, u shpreh Metani
Këndvështrime mbi reformën në drejtësi dhe rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndanë Ambasadori i Mbretërisë së Holandës, Reinout Vos, shefja e Sektorit të Drejtësisë, Çështjeve të Brendshme dhe Qeverisjes së Mirë pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, Lenka Vitkova, koordinatori rajonal për shtetin e së drejtës i Ambasadës së Mbretërisë së Holandës në Serbi dhe Mal të Zi, Bart de Bruijn, si dhe drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studime të Demokracisë dhe Qeverisjen, Arjan Dyrmishi.
Gjetjet dhe rekomandimet e studimit mbi punën e Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, nga studjuesja Ilvana Dedja, u diskutuan gjatë konferencës me fokus në rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë në garantimin e integritetit dhe llogaridhënies së gjyqësorit nga Rene van Veen, gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Holandë, Isida Koka, këshilltare në kabinetin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Dr. Erind Merkuri, pedagog në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, Marash Logu, këshilltar ligjor i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë.
(Marrë nga ATSH)