Certifikatat e origjinës do të lëshohen në mënyrë elektronike me nënshkrim dixhital
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli morri pjesë në Takimin e Komitetit të Përbashkët mbi Rregullat e Origjinës Preferenciale Pan–Euro- Mediteriane (PEM) në Bruksel.
Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli morri pjesë në Takimin e Komitetit të Përbashkët mbi Rregullat e Origjinës Preferenciale Pan–Euro- Mediteriane (PEM) në Bruksel.
Gjatë këtij takimi u votua Konventa Rajonale mbi Rregullat e Origjinës Preferenciale Pan–Euro- Mediteriane.
Sipas Koventës së votuar sot, nga data 1 janar 2025 certifikata e origjinës së mallrave do të lëshohet në mënyrë elektronike me nënshkrim digital duke reduktuar kohën dhe kostot për bizneset mbi origjinën e mallrave si në import ashtu dhe në eksport, sipas njoftimit zyrtar të Doganave.
Përdorimi i certifikatës elektronike të origjinës do të lehtësojë bizneset në eksportet dhe importet drejt/nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, vendet e EFTA, vendet e CEFTA, Turqia, Ukraina, Gjeorgjia dhe vendet e Paktit të Barcelonës.
Deri më tani certifikatat e qarkullimit për qëllime të origjinës preferenciale duhet të paraqiteshin të nënshkruara dhe vulë ndërkohë që me votimin e sotëm procesi do të jetë elektronik dhe do të lehtësojë biznesin në tregtinë me jashtë, si në eksport ashtu dhe në import.
Nevoja e përdorimit të certifikatave elektronike lindi në vitin 2020, si rrjedhojë e pamundësisë që ndeshin partnerët tregtarë për të ofruar pasi kontaktet midis administratave doganore dhe operatorëve ekonomikë në këto vende ishin pezulluar për shkak të pandemisë COVID-19.
Si palë kontraktuese në Konventën PEM, Shqipëria ka qenë pjesë e diskutimeve dhe negociatave 10-vjeçare për ndryshimin dhe përmirësimin e rregullave të origjinës preferenciale për arritjen e objektivave për thjeshtëzimin e tyre me qëllim rritjen e përfitimeve tregtare nga palët e Konventës.