Dr. Abaz Hodo, “Mjeshtri i Madh” i komunitetit fisnik çam
Fragment nga libri i Nikolla Sudar: “Shijaku – ky oaz fisnikëre, atdhetarie dhe humanizmi”.
Nga Nikolla Sudar
Komuniteti fisnik çam i Shijakut ka nxjerrë figura të nderuara në shumë sfera të jetës, që e kanë bëtë të njohur në të gjithë vendin, madje edhe përtej. Njëri prej tyre, që është bërë kaq i dashur, sidomos për telespektatorin, është edhe piktori i talentuar, kritiku i shquar i arteve pamore, Dr. Abaz Hado.
Cili është Abazi?
Nëse prindërit e tij ishin njerëz të thjeshtë të punës dhe pa pretendime në Shijak, dikur fisi Hado në Çamëri kishte qenë mjaft i përmendur. Keqtrajtimi i autoriteteve greke i detyroi ata, si shumë të tjerë, të braktisnin vendlindjen e tyre dhe të vendoseshin në Shijak. Në këtë familje me tradita atdhetarie, lindi në vitin 1957, Abazi.
Ndonëse sot e kam mik të ngushtë dhe shumë të nderuar, dikur e kam pasur nxënës në tetëvjeçare. Shpesh vija re sesi i përhumbur, në një cep të klasës, nxirrte një fletë dhe pikturonte gjatë orës së mësimit atë, që ia impononte fantazia e tij e pasur.
Me mbarimin e tetëvjeçares, me shumë sakrifica arriti të futej në liceun artistik “Jordan Misja”. Këtu do të shkëlqente talenti i tij në pikturë, sidomos në grafikë. Gjatë viteve në këtë qendër arti ai paraqiti veprat e tij fillestare në ekspozita që organizonte shkolla.
Mbase mund të thuhet se Abazi ishte me shumë fat, që arriti të regjisitrohej në Institutin e Lartë të Arteve, duke e ditur përbuzjen deri lart që mbizotëronte ndaj minoritet fisnik çam. Tashmë si student ai gjithashtu do të merrte pjesë në ekspozita me vepra tashmë të arrira. Abazi u diplomua, në vitit 1983 për “pikturë monumetale”. Për një farë kohë ka punuar si pedagog në shkollën “Jan Kukuzeli”. Dy vjet më vonë kreu studimet pasuniversitare si studjues dhe kritik arti; gjithashtu është specializuar edhe në degën menaxhim arti. Në fushën e arteve pamore tashmë Abazi ushtron një veprimtari të gjerë dhe veprat e tij janë mbresëlënëse.
Vlen të theksohet se, duke vlerësuar talentin dhe përkushtimin e tij të sinqertë në art, kurator i tij për vite me radhë do të bëhej kritiku i shquar i artit, profesori i paharruar Andon Kuqali.
Abazi Ka marrë pjesë në shumë ekspozita ndërkombëtare dhe në bienale të shumë vendeve të botës dhe në Shqipëri. Një nga veprat e tij është në “Fondin e veprave të artit” të Mbretëreshës së Anglisë. Meritë të dukshme ka ai edhe në fushën e botimeve. Ai ka botuar artikuj të shumtë dhe ka marrë pjesë në diskutime dhe konferenca mbi artet pamore. Abazi ka botuar edhe monografitë “Guri Madhi. Jeta dhe Vepra”, “Për Galerinë Kombëtare të Arteve”, si edhe “Histori Arti” me bashkautorë.
Tashmë e njeh mirë telespektatori i shumtë në të gjithë vendin. Gjatë dhjetë viteve ai drejtoi emisionin e vet televiziv “Art Shopping”, në emisionin më të madh të lajmeve, të kanalit “News 24” dhe së fundmi “Art dhe Art”, në kanalin kombëtar TVSH.
Abaz Hado për disa vite ka qenë drejtor i suksesshëm i Galerisë Kombëtare të Arteve, zëvendësministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe nënkryetar i bashkisë së kryeqytetit. Ai është profesor i Historisë së Artit e Komunikimit dhe mban titullin Doktor i Shkencave për Artet. Abaz Hado ka drejtuar për pak kohë Galerinë e Arteve Tirana (GAT), institucioni më i ri kulturor në zemër të qytetit të Tiranës, i hapur në nëntor 2021. Ndërkohë së fundi ka kaluar pedagog na Instituin e Arteve në Tiranë.
Lidhur me politikat e institucionit të ri GAT, rëndësi i kushtoi edhe krijimit të fondit me vepra. “Ne kemi politikën tonë, që e ka dhe Bashkia e Tiranës për të stimuluar artin dhe krijimtarinë jo vetëm të artistëve në Tiranë, por dhe në kuadër të asaj që Tirana është Kryeqyteti i Rinisë Europiane stimuluam edhe artet e vendeve të ndryshme. Kemi bërë një sërë ekspozitash me rëndësi dhe me nivel të lartë të artistëve të rinj. Kemi pasur ekspozitën “Euro Humor”, që ishte një aktivitet i përmasave europiane, aktiviteti me një piktor të Malit të Zi, një piktor nga Siria, që kishte ardhur si emigrant, aktivitete me piktorë të tjerë edhe me të rinj shqiptarë. Ne, duke i stimuluar dhe, duke treguar seriozitet në bashkëpunimin me ta, nuk jemi kthyer në institucion fitimprurës, por institucion stimulues. Ne patëm idenë që të krijojmë një fond muzeal”, – tregon Hado për GAT-in (Galeria e Artit Tiranë), që hapi dyert në nëntor të vitit 2021. Drejtori, dr. Abaz Hado, thoshte se fondi i veprave ka shumë rëndësi për një institucion të tillë si GAT.
“Rëndësia e një fondi në galeri është e jashtëzakonshme, sepse krijon mundësi që të
krijohet një institucion tjetër, që është institucioni i muzeut. Ne kemi synuar, që kjo galeri të kishte muzeun e vet, i cili të përbënte fondin muzeal”, – thotë dr. Hado.
Lidhur me kritikën në art, studjuesi Illo Foto nënvizon:
„Kritika e Hados ka karakterin e nje proze me naracion te natyrshëm. Vetë kritiku është një prozator i rrallë, ka një fjalor shumë të larmishëm, dhe nuk përmend dy herë një frazë, qoftë dhe me kuptim tjetër; ajo është gjuha që flasin dhe kuptojnë vetëm veprat e artit pamor. Unë nuk kam parë një moderator tjetër të flasi me këtë precizon letrar dhe stilistik, sa Abaz Hado . Ata që s’e kanë ndjekur, le ta provojnë“.
Si rezultat i këtij angazhimi të gjithanshëm krijuesi Abaz Hado është nderuar edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i madh“ nga Presidenti i Republikës.
Abazi me të shoqen, ekomomisten e mirënjohur Mimozën kanë rritur dhe edukuar më së miri të dy djemtë, tashmë të arsimuar, të cilët janë krenarë për prindët e tyre shembëllorë.