Politikat ekonomike dhe sociale në periudhën 1978-2021, dhe objektivat për periudhën 2026-2035 të Kinës (2)

Objekti kryesor i politikës makroekonomike të Kinës në këtë periudhë do të jetë të sigurohej një normë e rritjes ekonomike mesatare vjetore në rreth 10%.

default

Nga Prof. Dr. Petraq Milo

Politikat ekonomike dhe sociale në periudhën 1996 – 2012

Objekti kryesor i politikës makroekonomike të Kinës në këtë periudhë do të jetë të sigurohej një normë e rritjes ekonomike mesatare vjetore në rreth 10%. Sfida makroekonomike me të cilën u përballën politikëbërësit në Kinë pas vitit 1996 ishte e ndryshme nga ajo e vendeve të tjera të Azisë. Në vitet 1997-1998 këto vende patën një rënie të rritjes së PBB-së të shkaktuar nga largimi i kapitalit, rritja e normave të brendshme të interesit dhe një valë e falimentimit të kompanive. Kina i shmangu këto probleme sepse fluksi i kapitalit të huaj dhe integrimi tregtar i Kinës me pjesën tjetër të ekonomisë botërore ishte ende i kufizuar.

Më pas, hyrja e Kinës në OBT dhe politika e dyerve të hapura, privatizimi masiv i industrisë shtetërore, urbanizimi, rritja e produktivitetit si dhe zhvillimi i bursës kineze kanë qenë motori shtytës i rritjes ekonomike. Politika tregtare kineze para vitit 1996 mund të karakterizohet si një politikë e integrimit e kufizuar me ekonominë botërore. Transformimi i Kinës nga një gjigant i fjetur rural, bujqësor në një gjigant të sektorit të prodhimit dhe shërbimeve solli zhvillim të shpejtë të infrastrukturës, urbanizimit, rritje të të ardhurave për frymë për banorë dhe një ndryshim të madh në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Rruga e re e industrializimit paraqet rënie të industrisë parësore dhe rritje të industrisë terciare. Me kalimin e kohës, përqindja e PBB-së e përfaqësuar nga bujqësia vazhdimisht është tkurrur. Industria primare bie nga 19.3% e PBB-së në vitin 1996 në 9.1% të PBB-së në vitin 2012. Pesha e industrisë sekondare u ul nga 47.1% e PBB në vitin 1996 në 45.4% e PBB-së në vitin 2012. Industria terciare e Kinës është rritur me rreth 33.6% në vitin 1996 në 45.5% të PBB-së në vitin 2012. Në vitin 2012 kontributi në rritjen ekonomike do të ishte rreth 5.7% nga industria parësore, rreth 48.7% nga ajo sekondare dhe 45.6% nga industria terciare.

Gjatë kësaj periudhe rritja ekonomike mbetet e lartë me rreth 9.7% mesatarisht në vit. Industria primare është rritur mesatarisht ne 0.5% në vit, industria sekondare ne 5.2% në vit dhe industria terciare ne 4.0% në vit. Zhvillimi i sektorit sekondar dhe terciar ndihmoi në thithjen e një numri të madh të fuqisë punëtore të tepërt rurale. Edhe përqindja e punësimit ka ndryshuar. Pjesa e punësimit të industrisë parësore u zvogëlua nga 50.5% në 1996 në 33.5% në 2012. Pjesa e industrisë sekondare dhe terciare e punësimit u rrit nga 23.5% dhe 26.0% në vitin 1996 në 30.4% dhe 36.1% përkatësisht në vitin 2012.

Ruajtja e normës së lartë të investimeve ishte një dhe nga arsyet e ritmit të shpejtë të rritjes ekonomike. Pjesa e kapitalit në PBB u rrit nga 38.8% në vitin 1996 në 47.7% në vitin 2012. Rritja e kapitalit ka frenuar konsumin, dhe në veçanti konsumin e familjeve. Pesha e konsumit u ul nga 59.2% e PBB-së në 49.5% në vitin 2012. Pjesa e konsumit të qeverisë u rrit nga 13.4% në 13.8%. Ndërsa e konsumit familjar u tkurr nga 45.8% në 35.7% në 2012.

Në këtë periudhë ka një ndryshim të shpejtë në strukturën e popullsisë dhe punësimin. Popullsisë urbane do të rritej nga 30.5% në vitin 1996 në 52.6% në vitin 2012. Ndërsa popullsia rurale ra nga 69.5% në vitin 1996 në 47.4% në vitin 2012. Barrierat ndaj migrimit të brendshëm për motive punësimi u reduktuan me synimin për të siguruar një furnizim të bollshëm të fuqisë punëtore në zonat industrial. Numri i punëtorët emigrantë është rritur nga 70.7 milionë në vitin 1995 në 263.0 milion në vitin 2012[1]. Punësimi urban është rritur nga 28.9% në vitin 1996 ne 48.4% në vitin 2012. Punësimi rural ka rënë nga 71.1% në vitin 1996 në 51.6% në vitin 2012.

Programi i privatizimit industrial u përshpejtua pas shtatorit 1997. Ndërsa politika industriale para 1996 fokusohej në ristrukturimin dhe liberalizimin e ndërmarrjeve politika pas vitit 1996 u përqëndrua në privatizimin e industrive shtetërore në qytete dhe në fshatra. Numri i kompanive të sektorit privat u rrit nga 10 667 në 189 289 në vitin 2012. Ndërsa numri i ndërmarrjet shtetërore ra nga 64 737 në vitin 1998 në 17 851 në vitin 2012.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Rritja e produktivitetit ishte gjithashtu një faktorët e rritjes ekonomike. Produktiviteti i fuqisë punëtore është rritur mbi 3.2 herë në sektorin e shërbimeve dhe në 3.5 herë në sektorin e industrisë. Rritja e produktivitetit në sektorin e bujqësisë do të jetë rezultat i rritjes se sipërfaqeve bujqësore të ujitura dhe e sasisë së plehrave kimike. Sipërfaqet e ujitura janë rritur nga 503.8 milion ha në vitin 1978 në 624.91 milion ha në vitin 2012 ose një rritje në 24%. Përdorimi i plehrave kimike është rritur nga 38.27 milion ton në vitin 1996 në 58.39 milion ton në vitin 2012, ose një rritje mbi 52%.


Burimi: Internal Labor Office 2015 dhe analiza e autorit

Anëtarësimi i Kinës në OBT çoi në ndryshime të thella strukturore. Këto ndryshime do të jenë në thelb të transformimit drejt një ekonomie moderne të bazuar në ekonominë e tregut. Viti 2001 do të jetë një vit historik për Kinën, me anëtarësimin e saj në Organizatën Botërore të Tregtisë. Anëtarësimi në OBT i dha Kinës një mundësi të rriste partnerët tregtarë, rritjen e eksporteve, hapjen e tregut si dhe rritjen e investimeve të huaja. Në periudhën 1996-2002 eksportet u rritën nga 1 511 (në 100 milion USD) në vitin 1996, ne 3 256 (ne 100 milion USD) ne vitin 2002. Ndërsa ne periudhën 2002-2012 eksportet janë rritur ne rreth 7 here, duke arritur ne 20 487 (në 100 milion USD) në vitin 2012. Importet u rriten nga 1 388 (në 100 milion USD) në vitin 1996 ne 2 952 (ne 100 milion USD) ne vitin 2002. Ndërsa në periudhën 2002-2012 importet janë rritur mbi 6 here, duke arritur ne 18 184 (në 100 milion USD) në vitin 2012. Duke filluar nga vitet 1990 tarifat janë ulur gradualisht. Por pas hyrjes në OBT në 2001, normat ranë ndjeshëm nga 19.76% në 2001 në 5.99% në vitin 2011.

Eksportet kanë qenë kryesisht produkte të manifakturës të prodhuara me intensitet të larte te punës. Kjo është mundësuar nga numri i madh dhe i lire i fuqisë punëtore (Chen, 2009). Fokusimi në prodhimin e produkteve me intensitet të larte te punës dhe rritja e shërbimeve i zhvendosi punëtorët nga industria primare drejt industrisë sekondare dhe terciare. Përqindja e punëtorëve të punësuar në industrinë parësore ne periudhën 2002-2012 u ul ne 16.5%, ne industrinë sekondare u rrit ne 9.0%, dhe ne industrinë terciare u rrit ne 7.5%. Për më tepër, përqindja e PBB-së që i atribuohej industrisë primare u ul nga 14.4% në vitin 2001 në 9.1% në vitin 2012. Rritja e prodhimit e produkteve me intensitet të larte të punës, rriti kërkesën për fuqi punëtore dhe nivelin e pagave. Nga viti 2001 deri në vitin 2012, pagat mujore në sektorin e prodhimit u rriten 4.3 herë, nga 9 744 Yuan në 41 650 Yuan.

Gjatë periudhës 1996-2001, investimet e huaja direkte hyrëse (IHD) u rritën vetëm 7.2 miliard USD. Ndërsa pas anëtarësimit në OBT, investimet e huaja direkte hyrëse u rriten nga rreth 47.1 miliard USD në vitin 2001 në 241.2 miliardë USD në vitin 2012. Sipas UNCTAD, investimet e huaja të Kinës në vendet e tjera u rritën nga 2.1 miliardë USD në vitin 1996 në 6.8 miliardë USD në vitin 2001 dhe në 87.8 miliardë USD në vitin 2012. Aksesi më i madh në tregjet e huaja si dhe rritja e IHD-ve kane ndikuar në rritjen e kapitalit vendas. Tregu i aksioneve të Kinës i cili u hap në vitin 1991 në Shangai dhe Shenzhen është kthyer gjatë periudhës në një nga burimet më të rëndësishme të financimit të ndërmarrjeve. Numri i kompanive të listuara në aksione është rritur nga 530 në vitin 1996 në 1 160 në vitin 2001. Nga anëtarësimi në OBT, numri i kompanive të listuara në tregun e aksioneve ka arritur në 2 538 kompani me një kapital mesatar rreth 23.4 trilion Yuan.


Burimi : Statistika, 2022 dhe analiza e autorit

Sistemi i ri i taksave vendosi TVSH-në, taksën mbi biznesin, taksën mbi të ardhurat e korporatave dhe mbi të ardhurat personale, taksa mbi transaksionet e pronës dhe tokës, si dhe reformoi ndarjen e të ardhurave ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Struktura tatimore u thjeshtua dhe normat tatimore u standartizuan. Si rezultat i reformës do të rriteshin të ardhurat totale, do të ndryshonte struktura e tëe ardhurave si dhe do të rritej pjesa e të ardhurave të qeverisë qendrore.

Në periudhën 1996-2012 ka një rritje të lartë të të ardhurave në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Të ardhurat totale janë rritur nga 10.6% e PBB në vitin 1996 në 22.6% e PBB në vitin 2012. Të ardhurat nga taksat janë rritur nga 9.9% e PBB në vitin 1996 në 18.7% në vitin 2012, duke tejkaluar nivelin global i vlerësuar rreth 13.8% e PBB ne vitin 2012.

Ndërsa nga pikëpamja e strukturës, të ardhurat kryesore mblidhen nga taksimi mbi të ardhurat dhe fitimin. Në vendet e OECD të ardhurat nga taksimi i të ardhurave dhe fitimin do të jenë në 32% e të ardhurave nga taksat. Kina ka arritur një standart më të lartë në vitin 2012. Te ardhurat nga taksimi i te ardhurave dhe fitimin do te arrinte ne 40.5% e te ardhurave nga taksat.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Do te ndryshonte ndarja e të ardhurave ndërmjet qeverisë qendrore dhe asaj lokale. Në krahasim me periudhën e mëparshme ka një rritje të ndjeshme dhe të qëndrueshme të raportit të të ardhurave të qeverisë qendrore në raport me të ardhurat totale. Të ardhurat e qeverisë qendrore do të arrinin në nivelin rreth 49-50% të të ardhurave totale.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Arritjet ekonomike dhe sociale gjate periudhës 1996-2012

Objektivi i politikës gjatë periudhës synoi rritjen e prodhimit dhe të standardit të jetesës. Në fund të vitit 2012, Kina u bë ekonomia e dytë më e madhe për nga madhësia e PBB-së pas SHBA. Në vitin 2012 PBB e Kinës ka arritur në 8 539,6 miliard USD nga 860,5 miliard USD në vitin 1996. Kina u bë eksportuesja më e madhe dhe importuesja e dytë më e madhe, dhe mbetet marrësi më i madh i investimeve të huaja direkte (IHD) midis vendeve në zhvillim. Banka Botërore e përkufizon Kinën si “një vend me të ardhura të mesme të larta’’. PBB-ja për frymë arriti në 6 301 USD dollarë në vitin 2012, nga 709 USD në vitin 1996. Të ardhurat e disponueshme në zonat urbane rriten nga 4 839 Yuan në vitin 1996 në 24 565 Yuan në vitin 2012, dhe në sektorin rural nga 1926 juan në 1996 në 7917 juanë në 2012.

Në këtë periudhë u arrit një ulje e lartë e personave në varfëri ekstreme. Deri në fund të vitit 2012 numri i personave që jetonin në varfëri ekstreme ka rënë ne rreth 411 milion njerëz, nga 499.2 milion në vitin 1996 në 87.8 milion në vitin 2012. Indeksi i zhvillimit njerëzor u rrit ndjeshëm nga 0.554 në vitin 1996 në 0.716 në vitin 2012, ose një rritje prej 29%. Rritja e shpenzimeve qeveritare në arsim dhe shëndetësi ka qenë një faktor i rëndësishëm i zhvillimit të indeksit njerëzor, i uljes së varfërisë, i zgjatjes së jetesës mesatare, i uljes së analfabetizmit dhe uljes së vdekshmërisë foshnjore. Shpenzimet për arsimin u rritën nga 2.36% e PBB-së në vitin 1996 në 4.28% në vitin 2012, dhe në shëndetësi nga 3.79% e PBB-së në vitin 1996 në 5.26% të PBB-së në vitin 2012.

Regjistrimi në arsimin primar arriti në 99.8% në vitin 2012. Një rritje të lartë do të ketë regjistrimi në arsimin sekondar që arriti në 88.2% në vitin 2010 nga 54.9% në vitin 1996. Regjistrimi në arsimin tercial do të rritej nga 4.9% në vitin 1996 në 28.7% në vitin 2012. Shkalla e analfabetizmit për personat nga 15 vjeç e lart është ulur në 4.96% në vitin 2012. Jetëgjatësia ka vazhduar të rritet si një mesatare prej 70.1 në vitin 1996 në 74.9 në vitin 2012. Ndërsa shkalla e vdekshmërisë foshnjore për 1 000 lindje u ul nga 36.3 në 13.4 në vitin 2012.

Gjatë kësaj periudhe ka një rritje të indekseve të pabarazisë në ndërmjet kategorive të të ardhurave pavarësisht përpjekjeve për uljen e tyre. Në periudhën 2000-2012 pabarazia ndërmjet kategorive të të ardhurave tepër të larta me kategoritë e të ardhurave të larta, të mesme, të mesme të ulëta si dhe të ardhura të ulëta rriten si në zonat urbane dhe ato rurale. Raporti i të ardhurave më të larta për zonat urbane në krahasim me të ardhurat e larta është rritur nga 3.6 në vitin 2000 në 5.0 në vitin 2012, ndërsa me të ardhurat e mesme nga 2.4 në 3.1, me të ardhurat e rritura nga 1.9 në 2.3, dhe me të ardhurat e fundit nga 1.5 në 1.7.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

I njëjti trend është dhe për zonat rurale, me përjashtim të raportit i të ardhurave tepër të larta me të ardhurat e ulëta i cili është i njëjtë gjatë periudhës. Raporti i të ardhurave më të larta në krahasim me të ardhurat e larta është rritur nga 6.5 në vitin 2000 në 8.2 në vitin 2012, ndërsa me të ardhurat e mesme nga 3.6 në 4.0, me të ardhurat e mesme të ulëta nga 2.6 në 2.7, dhe me të ardhurat e ulëta nga 1.5 në 1.7.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Angazhimi më i qartë do të ishte vendosmëria për të reduktuar hendekun rajonal të të ardhurave midis rajoneve lindore dhe perëndimore. Diferencat ndërmjet rajoneve janë ulur si për zonat urbane dhe rurale. Për periudhën 2005-2012 për zonën urbane raporti i të ardhurave të rajonit lindor me atë qendror, perëndimor dhe verilindor është ulur nga rreth 1.52 në vitin 2005 në rreth 1.43 në vitin 2012.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Për periudhën 2005-2012 për zonën rurale, raporti i të ardhurave të rajonit lindor me atë qendror është ulur nga 1.6 në vitin 2000 në 1.5 në vitin 2012, me atë perëndimor është ulur nga 2.0 në 1.8 dhe me atë verilindor është ulur nga 1.5 në 1.2.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Pabarazia e të ardhurave të ndërmjet zonave urbane dhe rurale është përkeqësuar. Raporti i ardhur të disponueshme ndërmjet personave urban dhe rural është rritur nga 2.5 në vitin 1996 në 3.1 në vitin 2012. Në vitin 2009 ky raport është rritur mbi 3.3.


Burimi : Zyra Kombëtare e Statistikës dhe analiza e autorit

Emblematikë do të mbetej niveli i ndotjes të ajrit. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, emetimet e CO2 në ton metrikë për frymë u rriten nga 2,52 ton në vitin 1996 në 7,04 ton në vitin 2012.

[1]ABDI- Ming Lu and Yiran Xia (2016), Asian Development Bank Institute : Migration in the People’s Republic of China for 1995 and Statista for 2012

Burimi: CRI.CN

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.