Si ndikojnë besimet fetare në sigurinë kombëtare!

Modeli shqiptar i tolerancës fetare ka qenë i dobishëm në zbutjen e çdo rreziku të trazirave sociale


Nga Dr. Arben Ramkaj*

Perceptimet mbi fenë dhe sigurinë interpretohen në mënyra të shumta dhe komplekse në të gjithë globin dhe rrjedhimisht janë të rëndësishme për politikën, strategjinë dhe angazhimin e qeverive. Siguria globale, ka sot një rëndësi të madhe, për shkak të globalizmit dhe rreziqeve të shumëfishuara për jetën e njeriut. Studiues të shumtë kanë hulumtuar kontekstin multidimensional të fesë në skenën botërore, duke përfshirë rolin e saj në fazat e konfliktit, terrorizmit, operacionet e paqes dhe zhvillimin.

Sot asnjë vend nuk mund të cilësohet i imunizuar nga dukuri si luftërat, terrorizmi, radikalizmi i dhunshëm etj. Pothuajse të gjitha shtetet, kanë tashmë strategjitë e tyre afatmesme apo afatgjata, për garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve te tyre. Shkalla e zbatimit dhe e suksesit të tyre varet nga zhvillimi socio-ekonomiko-politik i tyre, dhe njëherësh edhe nga mjetet që kanë në dispozicion. Shtetet bashkëpunojnë mes tyre për garantimin e sigurisë së tyre kombëtare. Por më së pari, ata hyjnë në një partneritet të ngushtë me aktorët më të rëndësishëm të shoqërisë. Dhe një nga ata janë komunitetet fetare.

Ajo që është e rëndësishme është që palët duhet të kuptojnë dhe të adresojnë sfidat urgjente të sigurisë bashkëkohore me implikime fetare. Bashkëpunimi i komuniteteve fetare me akademikë, specialistë dhe individë me një gamë të gjerë të ekspertizës qeveritare dhe të sigurisë duhet të jetë intensiv dhe produktiv.

Feja dhe besimi kanë një rol tejet të rëndësishëm në dimensionin shpirtëror të një qytetari. Te praktikantët e një besimi të caktuar, ky dimension është edhe më i thellë. Ndaj në tërësi, qytetarët që e identifikojnë veten me një përkatësi të caktuar fetare, ndikohen nga mesazhet që vijnë nga klerikët e atij besimi fetar.

Historikisht në Evropë shtetet-kombe e mëdha moderne u themeluan mbi gjuhën, traditat e përbashkëta, por edhe mbi një bazament të fortë fetar. Por monolitizmi religjioz dhe mosnjohja e pluralizmit fetar, çoi në luftëra të përgjakshme me natyrë fetare. Vetëm reformat kushtetuese, që ndanë sferën shtetërore nga ajo fetare i zbutën konfliktet. Shoqëritë evropiane u bënë më të hapura për të pranuar të ndryshmin. Bumi ekonomik pas Luftës së Dytë Botërore, ndikoi shumë në thellimin e multikulturalizmit në kontinentin e vjetër.

Por në dekadën e fundit, kriza financiare, si dhe shfaqja për herë të parë në një nivel gati shtetëror e grupimeve ekstremiste në Lindjen e Mesme, ka shkaktuar rikthimin në Evropë të një fondamentalizimi fetar në vende, dhe segmente të caktuara të popullsisë. Ndryshe nga dikur ata thonë se ndihen të kërcënuar për sigurinë e tyre, pikërisht për shkak të përkatësisë së ndryshme fetare të emigrantëve që vijnë nga vendet e Lindjes së Mesme.

Edhe vendet e Ballkanit në përgjithësi kanë një përmasë fetare në identitetin e tyre kombëtar. Edhe këtu monolitizmi, mungesa e pluralitetit fetar dhe liria fetare kanë shkaktuar probleme të mëdha për pakicat etnike dhe fetare, por edhe për shtete fqinje.

Mund të marrim si shembull antagonizmin e vjetër mes serbëve dhe kroatëve, i shoqëruar me krime të tmerrshme masive ndaj njëri-tjetrit, i cili ka lindur edhe për shkak të përkatësisë përkatësisht ortodokse dhe katolike të tyre, por edhe administrimit nga dy perandori të ndryshme, Austro-Hungareze dhe Osmane.

Lufta më e përgjakshme nga konfliktet që përfshinë ish-federatën jugosllave u zhvillua në Bosnjë Hercegovinë, ku sërish përbërja e vendit nga 3 komunitete etnike dhe fetare njëkohësisht, shkaktoi qindra mijëra të vdekur, kujtojmë këtu edhe masakrën e Srebrenicës. Sot Bosnja mbetet një ndër “hallkat” më të dobëta të zinxhirit, sa i përket sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa Shqipëria, si pjesë e Ballkanit Perëndimor, ka gëzuar prej shekujsh një pluralitet fetar. Ai është kultivuar gjatë sundimit të vendit nga Perandoria Osmane. Rilindja kombëtare në fillim të shekullit XIX, e ndërtoi apelin e saj ndaj shqiptarëve, duke evokuar identitetin shqiptar dhe respektuar diversitetin fetar. Rrethuar nga shtete të ndara në vija etnike dhe fetare, Shqipëria, një vend i vogël në Evropën Juglindore, ka gëzuar marrëdhënie të mira midis bashkësive kryesore fetare të saj. Këto janë Komuniteti Mysliman Shqiptar (KMSH), Kisha Ortodokse, Komuniteti Bektashi, Kisha Katolike Romake dhe Vëllazëria Ungjillore

Klerikët e besimeve të ndryshme, u vunë shpejt në ballë të kësaj lëvizjeje, duke qenë pjesë e shumë kuvendeve në krahina të ndryshme. Kohezioni social, që kishte krijuar bashkëjetesa dhe harmonia fetare ishte thelbësor në suksesin e asaj lëvizjeje, që kulmoi me aktin e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

Por, me fillimin e diktaturës komuniste, diktatori Enver Hoxha, nën shembullin e  udhëheqësit të tij shpirtëror Josif Stalin, nisi një sulm të paprecedentë ndaj komuniteteve fetare në vend. Klerikët u demonizuan, dhe nga ndihmës dhe garantë të sigurisë, u akuzuan si agjentë të shteteve të huaja, dhe si rrezik kryesor për rendin dhe stabilitetin e shtetit komunist. Shumë prej tyre u pushkatuan dhe u burgosën padrejtësisht, ndërsa vendet e adhurimit u shkatërruan ose u tjetërsuan. Pas 23 viteve si një shtet zyrtarisht ateist, i pari dhe i vetmi shtet ateist në të gjithë botën, në Shqipëri rifilloi praktikimi i besimeve fetare.

Fillimi i viteve ’90, me ardhjen e demokracisë në vend shumë klerikë të rinj patën mundësinë që të shkolloheshin jashtë vendit. Shumica prej tyre u vendosën në vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht Arabi dhe Egjipt. Një pjesë e klerikëve myslimanë, të cilët u shkolluan në këto vende, sollën me vete një rrymë disi radikale në raport me islamin tradicional shqiptar. Radikalizmi u bë edhe më i dukshëm pas shfaqjes së skenë të Al-Kaedës dhe sulmeve të 11 Shtatorit në SHBA, dhe më së fundmi të ISIS, me pushtimin e Irakut, dhe luftën civile siriane e cila është në vitin e saj të tetë.

Ishte shumë e çuditshme që shumë të rinj, edhe nga Perëndimi, u bashkuan me këto grupe terroriste. Të nxitur nga disa klerikë që predikonin në xhami të palicencuara, si dhe duke përfituar nga vakumi ligjor, dhjetëra qytetarë shqiptarë shkuan për të luftuar në Siri në radhët e forcave opozitare, dhe kryesisht ISIS.

Modeli shqiptar i tolerancës fetare ka qenë i dobishëm në zbutjen e çdo rreziku të trazirave sociale, që qëndrojnë përgjatë dekadave të transformimit të thellë social, politik dhe ekonomik. Udhëheqësit e secilës prej bashkësive fetare të Shqipërisë herë pas here theksojnë angazhimin e tyre për të vazhduar dialogun ndërfetar për të garantuar sigurinë kombëtare në vend. Udhëheqësit fetarë në Shqipëri besojnë se përpjekjet e kombinuara për të ruajtur dhe promovuar harmoninë fetare do të sigurojnë një spirancë të rëndësishme kulturore për modernizimin e vazhdueshëm të Shqipërisë.

Harmonia fetare e Shqipërisë ka marrë falënderime ndërkombëtare. Në vitin 2014, Papa Françesku zgjodhi Shqipërinë si vendin e tij të parë evropian për të vizituar. Gjatë kësaj vizite ai nisi një sulm ndaj ekstremizmit fetar, duke nënvizuar tolerancën fetare të Shqipërisë si një thesar kombëtar dhe një ekzemplar politik.

Rindërtimi i shtetit post-komunist ka kërkuar bashkëpunim midis të gjitha komuniteteve, duke krijuar një themel të bashkëpunimit ndërfetar. Që atëherë, Shqipëria ka përjetuar një nivel kohezioni kulturor që ka kontribuar në stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin e gjithanshëm të vendit. Ndërsa vendi përpiqet të modernizojë dhe të konsolidojë demokracinë e vet, ky dialog i vazhdueshëm është thelbësor për të krijuar një ndjenjë të përgjegjësisë së përbashkët për të ardhmen e Shqipërisë.

Kur identitetet fetare, janë faktorë shkaktarë në konfliktet e dhunshme, diplomacia tradicionale mund të ketë pak vlerë në kërkimin e paqes apo menaxhimit të konfliktit. Dagllas Xhonson, president i Qendrës Ndërkombëtare për Fe dhe Diplomaci, ka identifikuar kushtet në disa situata konfliktuale, ku ndikimi i religjionit është shumë i rëndësishëm:

  1. Feja është një faktor i rëndësishëm, në identitetin e një ose të dy palëve në një konflikt.
  2. Udhëheqësit fetarë në të dyja anët e konfliktit, mund të mobilizohen për të lehtësuar arritjen e paqes.
  3. Luftimet e zgjatura midis dy traditave të mëdha fetare, i kalojnë kufijtë kombëtarë, siç është rasti me kohën islamin dhe krishterimin; dhe forcat e real-politikës, kanë çuar shpesh në një paralizë të zgjeruar të aksioneve.

Xhonson identifikon gjithashtu atributet që udhëheqësit dhe institucionet fetare mund të ofrojnë në promovimin e paqes dhe pajtimit, duke përfshirë:

  1. Besueshmërinë si një institucion i besuar.
  2. Një grup vlerash të respektuara.
  3. Urdhra morale për kundërshtimin e padrejtësisë nga ana e qeverive.

Ish-sekretari i Shtetit Xhon F. Kerri, deklaroi në një fjalim në prillin e vitit 2016, se komunitetet fetare mund të luajnë një rol në arritjen e qëllimeve të politikës së jashtme anembanë botës. “Sa më shumë që ne e kuptojmë fenë, dhe sa më mirë që jemi si rezultat i angazhimit të aktorëve fetarë, aq më efektive do të jetë diplomacia jonë në avancimin e interesave dhe vlerave të popullit tonë”, tha Kerri në një fjalim në Universitetin Rajs.

Sipas tij zhdukja e lirive themelore, përfshirë lirinë fetare, ushqen zemërimin, që mund t’i bëjë njerëzit të ndjeshëm ndaj rekrutimit nga ana e terroristëve.

Feja si unitet

Të gjitha fetë janë të lidhura së bashku nga një ligj moral universal për ta dashur njëri-tjetrin, dhe trajtuar me dinjitet dhe respekt. Feja është në fund të fundit, besimi tek humanizmi. Për shkak të kësaj, fetë e botës janë një forcë e fuqishme për unitet, nëse bashkëpunohet si duhet me liderët fetarë, për të inkurajuar njerëzit të angazhohen për të kuptuar njëri-tjetrin, dhe për të zgjidhur konfliktet.

Çdo fe që predikon ndryshe – duke përhapur urrejtjen, dhunën ose kundërshtimin ndaj një feje tjetër – nuk është fe e vërtetë, por vetëm mashtrim.

Islami është një fe që përfshin paqen dhe kundërshton dhunën. Kundërshtarët aktualë si ISIS, talebanët dhe Al-Kaida nuk përfaqësojnë asnjë fe, por vetëm urrejtje dhe dhunë. Për t’i mposhtur ata, një zgjidhje afatgjatë kërkon krijimin e një partneriteti të qëndrueshëm me botën myslimane, duke kërkuar mundësi për të nderuar besimin mysliman, duke adresuar keqkuptimet e ndërsjella, dhe identifikimin dhe ndjekjen e interesave të përbashkëta.

Shqipëria ka zhvilluar një kuadër strategjik të përballjes me terrorizmin ndërkombëtar, i cili u intensifikua sidomos pas vitit 2001. Për herë të parë terrorizmi përmendet në mënyrë sistematike si një kërcënim ndaj sigurisë kombëtare në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të vitit 2004.

Kjo strategji është rishikuar në themel, me Strategjinë e Sigurisë Kombëtare (SSK), e miratuar në parlament në vitin 2014, duke e kontekstualizuar terrorizmin si kërcënim të brendshëm, jo vetëm ndërkombëtar. Sipas SSK (2014): “Ideologjitë ekstreme bazohen te padija, varfëria, mungesa e shërbimeve shtetërore dhe lidhjet e shumëfishta”.

Këto shkaqe krijojnë terrenin e favorshëm për rekrutimin e individëve vulnerabël për të marrë pjesë në konflikte ndërkombëtare. Në aspektin institucional, është krijuar një strukturë e re brenda policisë shqiptare, Drejtoria e Anti-Terrorit, me mision zvogëlimin e rrezikut ndaj terrorizmit në Shqipëri, e cila funksionon përmes koordinimit të të gjitha veprimtarive ligjzbatuese me institucionet e tjera, dhe bashkëpunon ngushtësisht edhe me drejtuesit e komuniteteve fetare në vend.

Në dhjetor 2017 qeveria shqiptare ngriti Qendrën e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (QKEDH). Kjo është një nismë e mirë nga ana e qeverisë, pasi rritja e ekstremizmit të dhunshëm në Evropë bën që të shihet më me seriozitet kjo temë e nxehtë.

Në dhjetor 2016, në Elbasan themelohet Këshilli i parë Vendor i Sigurisë Publike në Shqipëri, me ndihmën e Prezencës së OSBE-së. Synimi kryesor i Këshillit, është të vërë në lëvizje të gjithë aktorët vendorë për të trajtuar së bashku çështjet që lidhen me kriminalitetin, dhunën në familje dhe ekstremizmin e dhunshëm.

Vendosja e një bashkëpunimi të qëndrueshëm mes gjithë aktorëve vendorë, përfshirë shoqërinë civile, policinë, shërbimet sociale dhe sidomos komuniteteve fetare, është  vlerësuar si një hap i rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë. “Komunitetet fetare kanë rol themelor në çarmatosjen e mendjes dhe të shpirtit”, do të deklaronte në vitin 2016 ish-Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë një aktiviteti në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”.

Më 18 Mars 2005, krerët e 4 komuniteteve fetare në Shqipëri, nënshkruan Deklaratën e Angazhimeve Morale të Përbashkëta, ku ndër të tjera thuhej: “Ne do të vazhdojmë t’u përkushtohemi lutjeve për të ushqyer tolerancën, bashkëjetesën dhe paqen si në komunitetet tona, ashtu edhe për gjithë shoqërinë shqiptare. Ne angazhohemi gjithashtu të vazhdojmë të promovojmë një atmosferë paqësore brenda komuniteteve tona, duke ua theksuar klerikëve tanë, se predikimi në asnjë rast nuk duhet të nxisë urrejtje fetare. Do të vazhdojmë të angazhohemi për gjetjen e mjeteve për të siguruar ndihmesë për ata që vuajnë në mënyra të ndryshme në shoqërinë tonë”.

Komunitetet fetare në Shqipëri ndjekin përherë me vëmendje zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale. Në disa raste kanë dalë me deklarata të përbashkëta apo të veçanta mbi fenomene si vrasjet, vjedhjet, shtimi i lojërave të fatit, kanabizimi i vendit etj. Në prill të këtij viti, në kuadër të rekomandimit të BE për çeljen e negociatave të anëtarësimit, komunitetet fetare, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, i bënë thirrje qeverisë shqiptare për të përmbushur kriteret e kërkuara.

Ato shprehnin shqetësim për largimin e të rinjve nga vendi, duke theksuar se duhet të jepet shpresë për të ardhmen në Shqipëri. “Nuk duhen mbyllur sytë ndaj shtresave në nevojë, ndaj punësimit të të rinjve dhe subvencionit të familjeve në vështirësi, nëpërmjet skemave të drejta të asistencës sociale”, theksohej në deklaratë.

Brenda Bashkimit Evropian, feja përdoret në programe të ndryshme, për të parandaluar dhe kundërshtuar ekstremizmin e dhunshëm. Disa përfshijnë fenë në mënyrë sistematike, si pjesë e përpjekjeve për të demaskuar / dekonstruktuar ideologjinë dhe / ose udhëzimet ekstremisht të  frymëzuara fetare për një jetë të re. Feja mund të jetë gjithashtu një mënyrë për të hapur bisedën, veçanërisht kur ajo është një pjesë qendrore e dikujt. Në raste të tilla, ka një motivim taktik.

Së fundmi, duhet theksuar se mbështetja e organizatave fetare nga ana qeverive të kujtdo shteti është vitale për shoqërinë, parandalimin dhe kundërshtimin e ekstremizmit të dhunshëm.

———————–

*Kryetar i Qendrës së bashkëpunimit ndërfetar

Lexo më shumë nga

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…